Secili kosovar mesatarisht tymos 2687 cigare në vit

0
86

Derisa Projektligji kundër duhanit pret edhe shqyrtimin e dytë në Kuvendin e Kosovës, bizneset e vogla e cilësojnë eksperimental atë dhe vazhdojnë ta kundërshtojnë. Përfaqësuesi i Shoqatës së shitoreve të vogla, e cila kishte mbledhur 4 mijë nënshkrime kundër projektligjit të cekur, Haqif Vitia, ka theksuar se nuk është që të mos luftohet pirja e duhanit, por është kundër qasjes eksperimentale të këtij projektligji. “Që një ligj i mirëfilltë kundër duhanit të zbatohet në Kosovë duhen elemente funksionale dhe jo kopje të ligjeve të ngjashme të shteteve më të zhvilluara të botës, siç është Norvegjia”, ka thënë Vitia, i fokusuar kryesisht në nenin 9.2 të projektligjit.

“Ky nen ndalon ekspozimin e duhanit, por s’e ndalon shitjen. Kështu dëmtohemi vetëm ne shitësit, sepse duhanxhiu e gjen cigaren që i intereson, kurse neve na krijohen shumë telashe”, ka thënë Vitia, pa e anashkaluar edhe mundësinë e vjedhjes së mallit nga hajnat. Kundër këtij ligji ditë më parë është shprehur edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu. Ai e ka quajtur antiekonomik atë pasi që, sipas tij, industria e duhanit ua jep financave publike të Kosovës më shumë se 100 milionë euro.

Zyrtarët e Shëndetësisë ndërkaq vazhdojnë ta mbrojnë atë dhe thonë se e kanë edhe përkrahjen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICE, Koalicionit Antiduhan, që përfshin 20 shoqata qeveritare e joqeveritare, Raportit të Progresit nga Komisioni Evropian-pjesë për shëndetësinë etj. Drejtori i informimit në MSH, Faik Hoti, thotë se efektet pozitive të projektligjit të ri janë se pirja e duhanit në hapësirat publike ndalohet qind për qind.

“Ky ligj synon mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe nuk e ndalon përdorimin ose shitjen e tij. Ligji vetëm përkufizon disa gjëra”, ka theksuar Hoti, teksa ka thënë se fshehja e duhanit ndikon në mosnxitjen e të rinjve që ta blejnë atë. Ai ankesat e industrisë së duhanit të tregtarëve i vlerëson të pabazuara.

Projektligji, sipas Hotit, zvogëlon sëmundjet vdekjeprurëse në Kosovë. Ai thotë se statistikat tregojnë se rreth 1/3 e kosovarëve janë duhanpirës. Për kokë banori brenda vitit në Kosovë tymosen 2687 cigare, menjëherë pas Serbisë (2861), Bullgarisë (2822) e Greqisë (2795). “Esenca është që tymosja të ndalohet qind për qind në hapësirat e mbyllura publike, në hapësirat e punës, në transportin publik etj. Kjo masë aplikohet në shumë vende të botës dhe është në përputhje të plotë me Konventën Kornizë të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit (FCTC), të cilën e kanë nënshkruar 176 shtete të botës (përfshirë edhe vendet e BE-së), që paraqesin 90 % të popullatës në botë./koha/kohaislame