Konsumatorët kosovarë kërkojnë cilësi më të mirë në prodhimet ushqimore vendase

0
257

Banorët kosovarë gjithnjë e më shumë janë duke blerë ushqim të prodhuar në vend, por si konsumatorët, ashtu edhe ekspertët e biznesit pranojnë se duhen marrë masa për të përmirësuar cilësinë e prodhimeve vendase.

Kryetari i Aleancës kosovare të Biznesit Agim Shahini tha se konsumi i prodhimeve vendase është rritur me 10 përqind gjatë dekadës së kaluar. Organizata filloi një projekt për nxitjen e ushqimit të prodhuar në vend, me sloganin, “Unë konsumoj prodhime vendase, po ti?”

Shahini tha se kompanitë vendase disa herë nuk përmirësojnë cilësinë e prodhimeve të tyre në mënyrë që t’i mbajnë çmimet të ulëta, duke ua lënë konsumatorëve që të vendosin se ç’farë të blejnë. Ndërsa disa konsumatorë binden nga i ashtuquajturi patriotizëm ekonomik — blerja e prodhimeve vendase për të ndihmuar bizneset kosovare — përfundimisht është cilësia e prodhimit që përcakton se ç’farë shitet.

Banori i Prishtinës Betim Rexha tha se pret që cilësia e prodhimeve vendase të rritet me kalimin e kohës.

“Përpiqem të konsumoj prodhime vendase megjithëse cilësia e tyre është më e ulët sesa disa prodhime të tjera në treg,” tha Rexha për SETimes. “Më ndodhi të blej një farë prodhimi vendas e ta hedh në plehra, sepse nuk ishte i ngrënshëm. Blerja e prodhimeve vendase do të thotë të japësh kontribut për ekonominë e vendit, por gjithashtu do të thotë se prodhuesit vendas duhet të ofrojnë cilësi”.

Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kosovë, tha se kompanitë vendase duhet të zbatojnë standarde ndërkombëtare të cilësisë, gjë që do të përmirësojë prodhimet e do ta bëjë më të lehtë shitjen e tyre jashtë vendit.

“Por nuk duhet të harrohet se prodhuesit kosovarë përballen me shumë vështirësi e janë të nevojshme masa stimuluese, përfshirë çlirimin e tyre nga tarifat doganore për lëndët e para, gjë që do t’i ndihmojë të bëhen më konkurrues në krahasim me prodhuesit e tjerë nga pjesa tjetër e rajonit,” tha Zeka për SETimes.

Lamir Thaçi i Agjencisë për Ushqimin dhe Veterinarinë të Kosovës, e cila mbikëqyr cilësinë e prodhimeve ushqimore, pranoi se rritja e sasisë së prodhimeve kosovare në tregjet ndërkombëtarë do të thotë cilësi e përmirësuar.

Thaçi tha për SETimes se vlera ushqimore e prodhimit, si dhe paraqitja e paketimi i tij, janë faktorë në përcaktimin e cilësisë.

“Këto vlera diktojnë gjithashtu fuqinë e atij prodhimi në treg, në kuptimin e kërkesës nga konsumatorët”, shtoi Thaçi. “Shohim prodhime të ndryshme në tregjet tona, vendas e të importuar, të një sferë të ndryshme të cilësisë e një sferë të ndryshme të çmimit mbështetur në cilësinë, por gjithnjë pa kompromentuar sigurinë e ushqimit”.

Selatin Kaçaniku i OJQ-së Shoqata Konsumatori tha se jo të gjitha prodhimet vendase mund të konkurrojnë me importet, por “edhe mes prodhimeve të importuara ka të tilla që nuk përmbushin standardet e madje janë të dyshimta”.

Por Adnan Shabani, një banor i Gjilanit në Kosovën lindore, tha se prodhimet vendase kanë cilësi shumë më të ulët në krahasim me prodhimet turke, gjermane e kroate.

“Tregu është gara në të cilën fiton më i miri. Ajo që ka rëndësi për mua është cilësia”, tha Shabani.

Lena Azizi, një konsumatore nga Prishtina, ishte dakord.

“Prodhimet blihen për shkak të cilësisë së tyre e jo për shkak të patriotizmit”, tha Azizi për SETimes.

“Duhet të jemi realistë e të pranojmë se prodhimet tona nuk mund të krahasohen me prodhimet e huaja kur bëhet fjalë për cilësi”, tha Azizi. “Shteti duhet të ndihmojë prodhuesit vendas më shumë, në mënyrë që t’i bëjë të kenë prodhime cilësore e të mbizotërojnë tregun”.