Bankat dhe shtetet – një aleancë e kobshme

322

Eurozona vuan nën papunësinë e lartë, lufton kundër recesionit, rënkon nën peshën e borxheve shtetërore. Por ajo që i shkakton më shumë probleme bashkimit monetar është varësia mes bankave dhe shteteve.
Me para të lira bankat qendrore u përpoqën rreth 10 vjet më parë të pengonin një recesion pas shpërthimit të flluskës së internetit dhe atentateve të 11 shtatorit. Meqenëse një sasi e madhe parash kërkonte mundësi për t’u investuar, produkte financiare novatore nga SHBA-ja gjetën treg të mirë shitjeje edhe tek bankat gjermane të landeve. Irlandezët dhe spanjollët hynë në një garë të ethshme për blerje imobiljesh, shkaktuan rritje të çmimeve të shtëpive dhe thurën ëndrra për pasuri. Në SHBA, në Spanjë apo në Gjermani, ishin bankat të cilat i përkisnin plotësisht apo pjesërisht shtetit, ato që treguan guximin më të madh për investime me risk të lartë. “Kudo ku shteti është pronari i vërtetë, rreziqet nuk merren aq seriozisht sa duhen.” … thotë Johann Eekhoff, drejtor i institutit për politikë ekonomike në Universitetin e Köln-it. Kjo nuk është vështirë të kuptohet: kur punët shkojnë keq përgjigjet shteti.
Tek shtetet mund të kesh gjithnjë besim. Ato i kanë përcaktuar rregullat në mënyrë të tillë që bankat me pak kapital mund të ndërmerrnin diçka të vështirë, dhe siç rezultoi më vonë, diçka tepër të madhe. Bankat e falenderuan shtetin duke blerë me zell titujt e borxhit të qeverive. Në fund të fundit titujt shtetërorë të borxhit konsideroheshin si të sigurta në bazë të dokumentit ndërkombëtar për rregullimin e funksionimit të sektorit financiar Basel II. Bankat mund t’i blenin ato pa vënë mënanjë kapital të vet. Në Eurozonë madje shtetet në jug përfituan nga boniteti i Gjermanisë dhe mund të merrnin dy herë më shumë borxhe me të njëjtën kosto interesi.
Së bashku zhyten edhe më thellë në batakun e borxheve
Zgjimi i frikëshëm erdhi me falimentimin e bankës amerikane të investimeve Lehman Brothers në 2008. Letrat me vlerë amerikane aq të preferuara u bënë helmuese. Shumë banka në Evropë filluan të lëkunden. Për të shmangur një shkrirje bërthamore në sektorin financiar, shtetet përdorën miliarda për të shpëtuar bankat. Gjermania shpenzoi 39 miliardë euro. Irlanda shtetëzoi të gjitha borxhet e bankave duke shënuar në 2010 një deficit buxhetor prej 32 për qind.

Ndërkohë që në Irlandë ishin bankat që çuan drejt falimentimit shtetin, në Greqi ishte shteti që po u merrte frymën bankave me borxhet e tij. Ishin pikërisht bankat ato që mbanin pjesën kryesore të obligacioneve shtetërore greke, të cilat në pranverë 2010 u shpallën pa vlerë. Banka Qendrore Evropiane ndërhyri dhe bleu titujt financiarë të Athinës – për shumë ekonomistë gjermanë një mëkat kapital.
Rreziku merret përsipër nga taksapaguesi
Të prekura ishin edhe bankat gjermane dhe franceze. Lobi i tyre arriti të bindë qeveritë në Berlin dhe Paris që të thurnin një paketë ndihme për Greqinë. Kështu bankat mund të shkëputeshin me qetësi nga letrat e tyre të rrezikshme me vlerë. Rreziku u kaloi shteteve të tjera apo thënë më mirë, taksapaguesve.
Bankat qendrore të unionit monetar ulën kriteret për siguritë që bankat duhet të vënë mënjanë për të marrë kredi. Me këtë duhej t’u vihej në ndihmë para së gjithash bankave të vendeve në vështirësi, titujt financiare të të cilave nuk kishin më nota të mira boniteti. Johan Eekhoff kritikon: “Në këtë mënyrë varësia u bë tepër e madhe pasi ishte e qartë se shtetet nuk do të mund të shlyenin detyrimet e marra.”
Disa vende emetuan obligacione enkas për bankat, në mënyrë që ato të mund t’i këmbenin me para likuide në bankën qendrore. Të gjitha këto ndihmuan pak – tregtia ndërbankare pushoi se funksionuari. Paratë rrodhën nga periferia jugore në drejtim të portit të sigurt – Gjermanisë.
BQE-ja i bën edhe më të pandashme
Sërish Banka Qendrore Evropiane mori rolin e zjarrfikësit. Deri në shkurt 2012 bankat e Eurozonës u ngopën me para tejet të lira. Duhej të shmangej një ngushticë kredish, ky ishte argumentimi zyrtar i Bankës Qendrore. Por nën zë bankat u inkurajuan të blinin tituj shtetërorë borxhi, për të ulur interesat dhe reduktuar kështu trysninë ndaj vendeve me borxhe të larta. Këtë e bënë para së gjithash bankat spanjolle dhe italiane.
“Kur tani bankat spanjolle blejnë obligacione të shtetit spanjoll me rifinancim nga BQE, në të vërtetë bankat huazojnë para nga Eurozona dhe ia japin shtetit spanjoll. Kështu varësia shtohet.” … thotë Clemens Fuest nga universiteti i Oksfordit.
Pra bankat dhe shtetet mbeten të lidhur njëra me tjetrën në të mirë dhe në të keqe. Nuk ka asnjë rrugëdalje? Po, mendon Clemens Fuest. Në periudhë afatshkurtër duhen marrë masa që bankat të bëhen sërish të afta të veprojnë: “Ose kreditorët e bankave apo pronarët e obligacioneve shtetërore do të pësojnë humbje, ose humbjet do të bien mbi shpatullat e taksapaguesve.”
Huat e bankave shpërthejnë çdo ombrellë shpëtimi
Ai kërkon që aksionarët e bankave dhe kreditorët të mbajnë një pjesë së barrës së humbjeve. Në fund të fundit një nga rregullat e ekonomisë së tregut është që kapitali bazë mban përgjegjësi. Pikërisht e kundërta u vendos në samitin e fundit të BE-së. Me insistimin e Spanjës Eurozona hoqi dorë nga e drejta për prioritet të kredive të ESM-së. Kështu shtohet rreziku për taksapaguesit.

Ekspertët propozojnë receta të ndryshme për zgjidhjen e problemeve. Një prej tyre është ndarja e bankave shumë të mëdha, falimentimi i të cilave mund të rrezikonte gjithë sistemin. Një union bankar me mbikëqyrje dhe sigurim depozitash në nivel evropian mund të kontribuonte gjithashtu që të ndërpritej varësia e ndërsjellë mes shteteve anëtare dhe sistemeve të tyre bankare, thotë Clemens Fuest. Por kjo së pari nuk është recetë për krizën aktuale dhe së dyti nuk duhet të ndodhë që, … “… nën termin union bankar, borxhet e bankave dhe shteteve në Evropën jugore të transferohen tek taksapaguesit në gjithë Evropën.”
Eksperti për çështjet e ekonomisë Johann Eekhoff kërkon edhe më shumë kapital bazë) për bankat. “Kjo është rruga për të vënë para përgjegjësisë pronarët në rast humbjesh, në mënyrë që shtetet të mos jenë menjëherë të detyruara të shpëtojnë bankat.” /DW