Mbi 60 mijë biznese nuk paguajnë tatim

635
Është e frikshme ajo që po ndodhë me bizneset në Kosovë. Në bazë të deklarimeve të vetë Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) vitin e fundit në listën e atyre që nuk paguajnë tatime janë 60 mijë biznese.
ATK ka deaktivizuar vetë mbi 51 mijë biznese, ndërsa afro 3500 tjera i ka deaktivizuar pas kërkesës së tatimpaguesit. Të njëjtën periudhë, ATK ua ka marrë certifikatën e TVSH-së gati 5 mijë bizneseve tjera.
Kjo administratë,  nuk ka dhënë përgjigjet qartë se cilat procedura ndiqen në lidhje me deaktivizimin e bizneseve që ato të mos paguajnë tatime.
“Çdo biznes i cili de-aktivizohet pas kalimit të proceduarave ligjore, mw pas ai futet në listën e bizneseve jo-aktive”, tha për Gazetën Fjala, Valentina Bytyqi – Sefa, zyrtare për Komunikim me Publikun në ATK.
Ajo ka dërguar edhe një link duke pretenduar se aty shpjegohen procedurat. Por, në atë link tregohet se si një biznesi të deaktivizuar nuk i njihet e drejta e rimbursimit të TVSH-së.
ATK ka qenë më e qartë kur bëhet fjalë për tërheqjen e certifikatës së TVSH-së.
“Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së mund të anulojë apo tërheqë një Certifikatë të TVSh-së nëse ATK përcakton se personi të cilit certifikata i është lëshuar ka shkelur ligjin”, tha Bytyqy- Sefa. E Behxhet Haliti, drejtor i ATK-së ka pasur shumë punë në këtë drejtim.
Atij iu desht që mesatarisht certifikatën e TVSH-së t’ua tërheqë 1000 bizneseve në vit. Ato, shkelën ligjin duke ua dhënë në përdorim certifikatën e TVSH-së një personi tjetër, ose duke bërë lëshimin e faturave fals apo fiktive duke shfrytëzuar certifikatën, duke mos deklaruar apo duke mos e paguar me kohë TVSH-në.
Me këtë volum pasivizimi, ATK ka 71 mijë biznese që paguajnë tatim. Kurt krahasohet numri i bizneseve aktive dhe atyre pasive i bie që mbi 45 për qind të bizneseve t’i shmangen obligimeve shtetërore.
Kjo gjendje e nderë ka bërë që të reagojnë edhe ekspertët e ekonomisë.
“Një nga problemet madhore të ekonomisë së Kosovës është edhe ekonomia joformale. Në njërën anë Qeveria ngarkon bizneset me taksa dhe tatime dhe pjesë më e madhe e tyre i shlyejnë me rregull obligimet shtetërore, në anën tjetër Qeveria i dëmton pikërisht këto biznese ngase lejon funksionimin e një mori biznesesh të cilat nuk paguajnë tatimet dhe përfitojnë nga ekonomia jo formale”, tha për Gazetën Fjala, Agron Demi, Drejtor i Instutit GAP.
Shifrat janë alarmante.
“Edhe pse nuk ka një studim të kohëve të fundit, në vitin 2012 ekonomia jo formale në Kosovë përbënte mbi 34% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky nivel, i kthyer në vlerë monetare paraqet 1.3 deri 1.6 miliard euro të PBB, ashtu siç konfirmohet edhe nga Strategjia qeveritare për luftimin e ekonomisë joformale”, tha Demi.
Kohëve te fundit, duhet vlerësuar se ATK ka arritur qe përmes sistemit te digjitalizimit dhe praktikave te reja te punës për inspektorët tatimor, të verë nën kontroll një numër te bizneseve.
“Por ajo çka mbetet shqetësuese është se bizneset e vogla, kryesisht ato artizanale, obligohen që të blejnë arka të shtrenjta fiskale, përderisa bizneset e mëdha si puna e pikave te karburanteve lejohen që të operojnë edhe me tutje pa fiskalizim”, tha Demi./Gazeta Fjala