Dashuria ndaj kreativitetit: ylli i shtatë që duhet kuptuar nga nëntë yjet e suksesit

389

YLLI NUMËR SHTATË:
DASHURIA NDAJ KREATIVITETIT

“Jam vonuar në garën e jetës sime,
e nuk i gjeta vetes jetë përveç kësaj”.

  • Ne kohët kur njerëzit luftojnë për jetën e rëndomtë dhe për të mbijetuar,
  • në kohën kur bota pãrparon dhe zhvillohet me një shpejtësi marramendëse,
  • në kohën kur një numër i madh i mendjeve dhe intelekteve shkojnë drejt shkatërrimit,
  • na paraqitet rasti dhe nevoja për dashurinë ndaj kreativitetit dhe inovacioneve.
  • Na është dhënë rasti t’i zbulojmë pasuritë e fshehura të mëdha dhe të vlefshme, si dhe t’i lirojmë mendjet tona të preokupuara.

DASHURIA NDAJ KREATIVITETIT

Rezultatet dhe prodhimet e tua duhet të jenë margaritarë të vërtetë dhe xhevahire të shtrenjta. Medoemos duhet të jesh një individ i cili jep pa kurrfarë egoizmi, një individ i cili ua ndriçon rrugën e errët të tjerëve. Dashuria ndaj kreativitetit pasqyrohet në luftën permanente dhe të pakursyer kundër hijes, e assesi në kënaqjen me gjendjen ekzistuese.
Dashuria ndaj kreativiteteve pasqyrohet në mënjanimin e prangave dhe zinxhirëve të rëndë të cilët të pengojnë, të cilët nuk të lejojnë të ecësh përpara dhe në largimin nga stereotipat dhe punët rutine të cilat gjithashtu të pasivizojnë. Thjesht, ti duhet t’i kalosh yjet, duhet t’i mbjellësh dhe t’i shpërndash karakteristikat e tua kreative në fushën e cila quhet dashuria ndaj kreativiteteve.
I dashuruari me kreativitetin nuk dëshiron të jetë i mesëm, nuk dëshiron të bëhet i pavërejtur ndër të tjerët. I dashuruari me kreativitetin dëshiron pikërisht punë korrekte, përparim, zhvillim, vend të parë, e assesi nuk kënaqet me gjendjen statike dhe me gjendjen e prapambetur. Ai vetëm dëshiron t’ia rikthejë lavdinë inteligjencës që ia shndrit rrugën të tjerëve.

Prandaj, ec përpara o ti, i cili e dëshiron kreativitetin dhe inovacionet! Hyr lirisht në garë sepse pikërisht ti do të fitosh. Dije se udhëtimi i gjatë prej mijëra miljesh fillon me një hap që quhet dashuri ndaj kreativitetit.

DASHAMIRËT E KREATIVITETEVE GJATË HISTORISË

Dashuria ndaj kreativitetit është një dashuri e re. Atë do të mund ta gjesh shumë rrallë dhe ajo është e karakteristikë e përbashkët e të gjithë njerëzve të suksesshëm. Dashuria ndaj kreativitetit nuk është e huaj për ty, sepse ti je pjesë e asaj dashurie dhe ajo është pjesë e jotja, sepse ti je mik i Selman el-Farisiut, i cili parashtroi iniciativën dhe planifikoi strategjinë e kanaleve mbrojtëse (e njohur si Beteja e Hendekut). Dije se ti je mik edhe i Halid ibn Velidit i cili dinte t’iu kundërvihej dhe të luftonte me disa qindra luftëtarë kundër dyqind mijë ushtarëve të armikut. Halid ibn Velidi ishte ai i cili u tregua një luftëtar dhe strateg mjaft i shkathët dhe gjenial, siç është të përdorurit e zërit të tmerrshëm përmes një briri me qëllim që ta hutonte dhe ta frikësonte armikun. Halid ibn Velidi ishte ai i cili planifikoi ngritjen e pluhurit me kuajt e tij me qëllim që ta dezorientonte armikun, gjegjësisht ushtarët e Bizantit me taktikat e përforcimit të ushtrisë muslimane. Në këtë mënyrë ushtria e armikut u tërhoq dhe u dorëzua. A është i njohur për ty rasti i betejës së Kadisijes, atëherë kur kuajte ushtrisë muslimane i frikësuan elefantët e ushtrisë së armikut dhe në skenë u paraqit figura e formuar e një elefanti prej argjile, elefant ky i cili e trimëroi ushtrinë muslimane e cila assesi nuk u frikësua nga elefantët e ushtrisë armike. Kështu, pra, me ndihmën e Zotit dhe përmes kësaj strategjie muslimanët arritën ta mposhtnin armikun.
E di se ti je mik edhe i Mehmed Fatihut i cili hartoi një plan mahnitës (për çlirimin e Kostandinopojës) kur urdhëroi ushtarët që anijet t’i bartin nëpër një zonë kodrinore, pasi që forcat bizantinase i kishin mbyllur të gjitha rrugët të cilat shpinin në det.
Prandaj, dije mirë se ti je pjesë e kreacionit, ndërsa hartimi është pjesë e jotja. Dashuria ndaj kreativitetit qëndron në zemrën tënde, ashtu siç qëndronte edhe në zemrën e Shafiut atëherë kur kishte vendosur që ta përpilonte veprën e tij të quajtur Usuli- Fikh dhe Risale.
Dashuri ndaj kreativitetit kishte edhe dijetari i njohur islam, imam Buhariu, gjë për të cilin na tregon më së miri fakti se si ai i ka njohur thëniet autentike të të Dërguarit të Allahut (hadithet) nga ato që ishin me zinxhir të dobët të transmetimit. Kështu dhe vetëm në këtë mënyrë lindi vepra Sahihul-Buhari. Tani të erdhi radha edhe ty që ta plotësosh atë që e ke filluar. Prandaj tregoje dashurinë tënde ndaj kreativitetit dhe në atë mënyrë realizoje suksesin në shekullin e njëzetenjëtë.

DHJETË KARAKTERISTIKA TË CILAT DO TË MUNDËSOJNË QË TË ARRISH DERI NË MAJË

Dashurinë ndaj kreativitetit mund ta paraqesim në mënyrë metaforike si ngjitje sportive. Në majëne dëshiruar do të mund të arrijmë vetëm përmes dhjetë karakteristikave të cilat mund të nxisin në personalitetin tënd entuziazmin, mund të të lirojnë nga prangat të cilat bllokojnë punën efikase të intelektit tënd, mund të ta përforcojnë
besimin në vetveten tënde dhe, në fund, të bëjnë ta duash inovacionin dhe kreativitetin në mënyrë të vërtetë dhe korrekte.

Karakteristika numër një: ti je i vetëm

Tregohet se një herë një bujk nga Afrika kishte pasur një arë. Ai kishte dëgjuar se njerëzit e Afrikës i mihnin livadhet dhe arat e tyre duke kërkuar gurë të çmuar nën tokë, madje thoshin se vërtet njerëzit të cilët kishin gjetur gurë të çmuar nëpër arat e tyre i kishin shitur dhe ishin bërë shumë të pasur. Bujku në fjalë vendosi që ta shesë arën e tij dhe të vihet personalisht në gjurmë pas gurëve të çmuar. Ai kaloi një kohë të gjatë duke kërkuar margaritarë dhe xhevahire, madje harxhoi edhe shumë para. Megjithatë, nuk gjeti asgjë të çmuar. Gjurmoi për një kohë të gjatë pas pasurisë së dëshiruar, derisa i harxhoi të gjitha paratë dhe mbeti pa para. Me në fund i rraskapitur ra në një lumë. Ndërsa njeriu i cili e kishte blerë arën e tij punonte në të dhe ja, e gjeti një gur në formë mjaft të çuditshme. E la mënjanë dhe nuk i kushtoi aq kujdes, sepse mendonte se nuk është i vlefshëm. Kështu që kaloi një kohë e gjatë derisa atë gur e vërejti një njeri i cili kuptonte nga guret e çmuar dhe margaritarët. Ai e mori gurin, më pas e pastroi dhe zbuloi se bëhej fjalë për një gurë të çmuar dhe të vlefshëm. Në fund u zbulua se pikërisht ajo arë ishte përplot gurë të çmuar..
Sa e sa njerëz të këtillë ekzistojnë sikurse ky bujk fatkeq. Dije mirë se ti je qenie njerëzore të cilin historia nuk e ka mbajtur mend. Dije mirë se ti je qenie njerëzore dhe si ti nuk ekziston ndonjë lloj tjetër në këtë botë. Inovacioni dhe kreativiteti gjenden tek ti. Ti je pronar i kësaj karakteristike. Zbuloje këtë karakteristikë, manifestoje, liroje që edhe të tjerët ta shohin dhe ta ndiejnë… Mos lejo që ajo karakteristikë të mbetet e mbuluar në veten tënde, e nëse ndonjëri e gjen atë dhe e merr prej teje, ja – kjo është luftë e humbur. Inovacioni dhe kreativiteti janë vetëm të tuat, mos ua jep askujt tjeter.

Duhet të dish se nëse ndonjëri dëshiron të bëjë luftë kundër teje apo dëshiron t’i shkatërrojë aftësitë e tua të inovacionit dhe kreativitetit, atëherë dije se ti je më i fuqishëm se cilado ushtri tjetër – vetëm nëse atë e dëshiron vërtet. Ti posedon motivin më të fuqishëm. Ti posedon armën më të fuqishme, e ajo është që ti je këmbëngulës në realizimin e kreativitetit tënd. Prandaj, duhet ta njohësh mirë veten tënde, duhet ta zbulosh aftësinë e kreativitetit, duhet ta aktivizosh energjinë tënde mahnitëse dhe të jashtëzakonshme që posedon, e cila gjendet e fshehur thellë në veten tënde. Thjesht, duhet të besosh se ti je i aftë për tu dashuruar me kreativitetin për shkak se ti nuk je një trup i thjeshtë, ti je një univers i tërë që quhet shekulli i njëzetenjëtë.
“Ti pohon se je ndonjë trup i vogël, e në ty ekziston gjerësia më e madhe kozmike”.
Pra, vlera jote është ajo të cilën e plotëson me punë, prandaj plotësoje dashurinë tënde ndaj kreativitetit, sepse ti je i vetmi…

Karakteristika numër dy: ti je injorant

E dimë se ti tani gjendesh në periudhën jetësore kur je duke menduar për veten tënde kinse je ndonjë dijetar i madh. Eh, pikërisht këtu fillon rënia graduale, fillon vërsulja drejt shkatërrimit. Sado që të arrish ndonjë dituri, ti duhet ta dish dhe duhet të besosh thellë se vërtet je një injorant, se vërtet je një krijesë që posedon çdoherë ndonjë mangësi të caktuar. Nëse e njeh vetveten tënde në këtë mënyrë, nëse beson dhe vepron kështu, atëherë do të shkaktosh ndezjen e dëshirës për mësim permanent, për përparim efikas dhe do ta dashurosh vazhdimisht kreativitetin.

Karakteristika numër tre: ti je i fuqishëm me miqtë e tu ndihmëtarë

Pasi që e dashuron kreativitetin, atëherë do të të nevojiten miq të cilët do të të ndihmojnë, veçanërisht në momentet kur gjendesh në ndonjë fatkeqësi, kur je i rraskapitur dhe kur je i vetmuar. Në ato çaste kërko ndihmë dhe kaloje kohën tënde me miqtë, që gjithashtu e dashurojnë kreativitetin, të cilët do të të ndihmojnë.
Miqtë e vërtetë çdoherë do të jenë në dispozicion për të të ndihmuar. Tek ata do të mund të mbështetesh lehtë, sepse ata do të të japin kurajë dhe assesi nuk do të lejojnë që të dobësohesh shpirtërisht.

Qëndro i sigurt se ekziston një numër i madh njerëzish të cilët e duan kreativitetin dhe i dashurojnë inovacionet. Orvatu të njohësh sa më shumë njerëz të tillë dhe kalo sa më shumë kohë me ta, me qëllim që ti të forcohesh dhe ta plotësosh dashurinë tënde ndaj kreativitetit.

Karakteristika numër katër: ndjenja për dhembjet dhe vuajtjet e njerëzve të tjerë

Ti ke nevojë për ndjenjë serioze dhe të vërtetë ndaj dhembjes dhe vuajtjeve të njerëzve të tjerë, e assesi për ndjenjë artificiale dhe formale. Mëso që ta ndiesh në mënyrë të sinqertë dhe korrekte dhembjen dhe vuajtjen e umetit tënd. Mëso që të qash për gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendemi. Mëso që t’i tejkalosh stereotipat dhe
gjërat e shumta të pavlefshme të cilat thjesht shkatërrojnë përparimin dhe në fund mësohu që t’i dashurosh njerëzit ashtu që do të jesh dijetar dhe vizionar i mirë.
Atëherë pasi që t’i përvetësosh këto karakteristika, do të mund ta ndriçosh rrugën drejt dashurisë për kreativitet.

Karakteristika numër pesë: qartësia

Ripërtërije nevojën tënde për kreativitet. Njoftohu me faktin se ku gjendesh tani dhe se në çfarë gjendje je! Mëso se edhe në cilin drejtim dëshiron të shkosh dhe ku dëshiron të arrish! Po qe se nuk e di këtë, arëherë ekziston mundësia që të devijosh në një rrugë të gabuar, në një rrugë e cila nuk të shpie në përparim dhe në zhvillim, në një rrugë e cila do të të shpie drejt shkatërrimit përfundimtar dhe në fund do të dorëzohesh.
Prandaj, qartësia e qëllimit është ajo që të shpie drejt qartësisë së planifikimit dhe strategjisë, ndërsa qartësia e planifikimit dhe strategjisë do të të shpien në Rrugën e drejtë, e pasi që të arrish deri në Rrugen e Drejtë, arëherë shërbehu me mjetet dhe shenjat e nevojshme të cilat do të të udhëheqin në atë rrugë.

Duhet ta dish se kreativitetit i nevojitet qartësi, ashtu që përmes fuqisë së mendjes të dalë në skenë. Vetëm në këtë mënyrë mund të realizohet kreativiteti. Prandaj, të dashuruarit me kreativitetin e njohin mjaft mirë rrugën përmes së cilës duhet të ecin. Ata i shfrytëzojnë me mjaft racionalitet dhe logjikë aftësitë dhe mjetet e tyre që kanë në dispozicion drejt asaj rruge dhe vetëm në atë mënyrë mund t’i realizojnë planet dhe qëllimet e tyre. Shembulli më i mirë për këtë është Zejd bin Thabiti (radijAllahu anhu) i cili ia parashtroi vetes së tij qëllimin për ta mësuar gjuhën siriane, madje ai planifikoi që atë ta realizojë vetëm për shtatëmbëdhjetë dite (Tirmidhiu, 2715 dhe Ahmedi, 21077).

Karakteristika numër gjashtë: ji i lirë

Assesi mos u bëj skllav i ndonjërit përveç Allahut, Krijuesit të Lartëmadhëruar. Ti je ai i cili e sjell vetë vendimin që dëshiron. Ti je ai i cili e sjell vetë vendimin se çfarë do të bësh dhe nuk je i detyruar për të. Dije mirë se ai i cili detyrohet në një punë dhe e bën atë kundër vullnetit dhe dëshirës së tij, ai asnjëherë nuk do të arrijë ndonjë kreativitet. Ndoshta në ndonjë sferë ai do të mund të arrijë ndonjë sukses, mirëpo ai nuk do të mund asnjëherë të hartojë dhe të ofrojë ndonjë gjë të re, sepse kreativitetin mund ta realizojë vetëm ai i cili është plotësisht i lirë. Prandaj, logjiko dhe silli vetë vendimet për vetveten, e assesi mos ia lejoi atë punë ndonjë tjetri dhe bëj ashtu siç ti dëshiron dhe mendon se është më mirë. Po, pa dyshim se tek një numër i madh njerëzish ekziston imitimi i verbër. Megjithatë, ekziston dallim i madh ndërmjet imitimit të tjetrit në bazë të diturisë dhe të vërtetës dhe imitimit të verbër të ndonjërit që nuk posedon kurrfarë përsiatjeje, kurrfarë diturie dhe kurrfarë ndjenjash.

Qëllimi është që të jemi plotësisht të lirë në sjelljen e vendimeve si dhe ta dashurojmë kreativitetin.

Karakteristika numër shtatë: bëhu ambicioz

Bëhu njeri i cili posedon ëndrra reale e jo njeri i cili imagjinon si i marrë. Bëhu njeri i cili mendon dhe logjikon për të ardhmen i lirë dhe pa kurrfarë përkufizimesh, njeri i cili nuk frikësohet nga e panjohura. Bëhu njeri i cili di të besojë në fat, njeri i cili e di se alternativat e mundshme në të ardhmen nuk do të jenë më të mira se ato të cilat tanimë janë përcaktuar. Bëhu njeri i cili posedon vizionin e kreativitetit të tij, vizionin i cili mund të zbatohet, vizionin real dhe shko drejt tij.
“Bëhu njeri këmbët e të cilit janë në tokë,
ndersa dëshirat ndërmjet yjeve”.

Karakteristika numër tetë: vetmia e përkohshme

Orvatu që të qëndrosh për një kohë të shkurtër në vetmi, largohu nga zhurma dhe rrëmuja. Largohu nga tregjet dhe shëtitoret, madje aq sa edhe mendja dhe zemra të ndiejnë pak pushim. Pasi që të vetmohesh, orvatu që ta adhurosh sa më tepër Allahun e Lartëmadhëruar.

Qëndro sa më gjatë në sexhde, thuaj sa më tepër lutje, ndieje intelektin tënd, freskoji idetë tua, logjiko thellë për dukuritë dhe për njerëzit për reth teje: përkujtoje dijetarin e madh islam Ibn Tejmiun kur ai gjatë qëndrimit me fytyrë në sexhde i përkulur dhe me devotshmëri thoshte ketë lutje: “O Alahu im, o Mësuesi i lbrahimi, të lutem Ty më mëso edhe mua, o Allahu im i Cili i ke dhënë mençuri Sulejmanit, të lutem Ty më
dhuro edhe mua mençur?”.

Karakteristika numër nëntë:  vështrim nga kënde të ndryshme

Kreativiteti është sikurse një formë gjeometrike me shumë kënde.
Kreativiteti nuk posedon një formulë të caktuar, konstante ose ndonjë formë të përhershme. Pra, ashtu siç edhe vetë trupat gjeometrik mund ta ndryshojnë formën dhe pozicionin e tyre, me ndryshimin e vetë këndeve të atyre trupave gjeometrikë, po ashtu edhe kreativiteti kërkon që në të të shikohet nga kënde dhe pozicione të ndryshme, sepse vështrimi vetëm nga një kënd, sjell me vete statikën, stereotipin, përtacinë, pasivitetin dhe asnjëherë nuk do të lindë kreativitetin.

Karakteristika numër dhjetë: durimi i madh

Jemi dëshmitarë të konflikteve të shumta të cilat janë duke ndodhur në shpirtrat dhe në mendjet tona. Po ashtu, jemi dëshmitarë të konflikteve të shumta të cilat i zhvillojmë kundër njëri-tjetrit në planin intelektual me qëllimin e zhdukjes së ideve të huaja. Vërtet, situatat e këtilla të përditshme kërkojnë durim permanent, jo durim të thjeshtë, por durim pa kufij. Na duhet durim, pa ia shtuar dëshpërimin dhe vajtimin. Na duhet durim i cili buron nga mbështetja në Allahun e Lartëmadhëruar. Na duhet durim i cili mbështetet në kënaqësinë e Allahut. Na duhet durim i cili do të na mësojë optimizmin se në fund do të fitojmë.

O ju të dashuruarit me kreativitetin dhe inovacionin, o ju të cilët keni qëllime dhe synime të larta e fisnike, ju të cilët me idetë dhe mendimet tuaja jeni para kohës së juaj, dijeni dhe mbajeni mend mirë se pas çdo vepre të suksesshme qëndron një njeri i suksesshëm i cili besoi thellë dhe pa kurrfarë hamendje në idenë dhe në planin e tij. Dijeni mirë se pas çdo kreativiteti të suksesshëm qëndron një njeri i cili ka punuar me mund derisa ka arritur në cakun e dëshiruar, pra deri në atë cak të cilin e kishte planifikuar mirë që më herët. Pasi që t’i realizosh planet dhe synimet e tua, e kështu të arrish në majën e dëshiruar, atëherë do të bëhesh yll ndërmjet të dashuruarve me kreativitetin.

Si të arrihet suksesi | Fejsal Omer Mahfuz Bashrahil