ATK vepron fuqishëm ndaj bizneseve që nuk paguajnë saktë detyrimet e tyre tatimore

64

Administrata Tatimore e Kosovës-përkatësisht Departamenti i Operativës ka ndërmarr veprime të fuqishme operacionale ndaj gjithë tatimpaguesve mos-përmbushës, të cilët pavarësisht zhvillimit të aktiviteteve të tyre, nuk kanë paguar detyrimet tatimore.

Identifikimi i këtyre bizneseve është bërë nga analiza e riskut, bazuar në Planin e Trajtimit të Rreziqeve. Aktualisht janë duke u trajtuar 200 raste, të cilat nuk kanë paguar tatimet në raport me qarkullimin e deklaruar.

Këta tatimpagues dhe gjithë të tjerët, të cilët nuk paguajnë saktë tatimet do të jenë në monitorim të vazhdueshëm dhe nëse qasja e tyre nuk ndryshon-vazhdojnë me mos përmbushje, ATK do të bëjë vlerësim të gjendjes për të konstatuar shmangien tatimore dhe njëkohësisht do të bëjë edhe ngritje të kallëzimit penal, varësisht nga të gjeturat dhe shkeljet e konstatuara.

Këto aktivitete janë duke u ndërmarr në vazhdën e shumë aktiviteteve të tjera, me qëllim të zvogëlimit të shmangies tatimore, si dhe krijimin e një tregu konkurrent, për gjithë tatimpaguesit.

Prioritet i ATK-së vazhdon të mbetet trajtimi i barabartë i të gjithë tatimpaguesve, si dhe rritja e llogaridhënjes nga stafi i ATK-së, në drejtim të rritjes së kualitetit të punës.

ATK, inkurajon tatimpaguesit që t’i kryejnë detyrimet tatimore, në të kundërtën, do të ndërmerren masat ndëshkuese të përcaktuara me legjislacionin tatimor!./ATK