Psikologjia e tiranisë

84

Hyrje:

Kur nisa të shkruaj mbi këtë studim modest, vetëdija ime ishte e mbushur me imazhe të tiranisë së brendshme të njeriut, ku një nga sferat njerëzore dominonte mbi të tjerat. Po ashtu, mu kujtua dhe tirania brenda familjes, ku dallova etër tiranë, bashkëshortë, vëllezër më të mëdhenj dhe nëna tirane. Më erdhi ndërmend dhe tirania brenda shoqërisë, mu kujtuan mësues, drejtorë, përgjegjës dhe klerikë tiranë e despotë. Para syve më dolën edhe imazhet e të sëmurëve të mi të shkretë, viktimat e tiranisë. Më kujtohen shumë mirë dhimbjet e tyre, ngaqë vazhdonin të vuajnë nga shtypja, dhuna dhe poshtërimi që ushtrohej nga tirania brenda familjes. Ata kishin pësuar deformime te renda psikologjike per shkak te forces se tiranise dhe despotizmit qe ishte ushtruar mbi to.Në një moment, mu shfaq si papritur imazhi i vetes time në mesin e viktimave të tiranisë. Atëherë mu kujtua, edhe pse nuk e kisha harruar, se edhe vetë unë kisha qenë viktimë e despotizmit të një shefi departamenti, njëkohësisht edhe profesor me tipare të qarta despotike. Ai ishte një diktator i vërtetë dhe zullumqar i pashpirt. Kam humbur disa vite nga jeta ime për shkak të shtypjes dhe tiranisë së tij. Disa javë para se të japë shpirt, ai u bë objekt i një skandali moral, për të cilin shkruan gazetat dhe revistat.

Në fakt, unë nuk isha viktima e vetme e tij. Njerëzit të cilëve u kishte shpallur luftë pikërisht në të ardhmen e tyre shkencore ishin të shumtë. Ai  kishte shtypur dhe persekutuar shumë studentë. Vetë posti që zinte si shef departamenti, i krijonte hapësira absolute dhe ia mbulonte problemet psikologjike dhe deformimet fizike, të cilat diheshin nga të gjithë, por që askush nuk guxonte ti deklaronte. Kjo më ndodhi në fillim të jetës time akademike dhe shkencore. Kjo gjendje më shokoi, pasi e gjeta veten përballë një despoti i cili shfrytëzonte kompetencat për të më shtypur dhe askush nuk i thoshte dot mjaft.

Që atëherë, unë jam i vetëdijshëm për efektet negative të tiranisë dhe despotizmi dhe rrezikun e tij, prandaj edhe e refuzoj pavarësisht rrethanave dhe situatave.Madje, bëj thirrje natë e ditë me pendën, gjuhën dhe sjelljet, për liri, drejtësi dhe barazi për të gjithë njerëzit, pa dallime racore, fetare apo çfarëdolloj tjetër. Fillimisht, nuk pata menduar aspak për tiraninë dhe despotizmin politik, ndoshta ngaqë kam qëndruar larg kësaj sfere, edhe pse kam vuajtur personalisht në disa stade të jetës time.

Rreziku i tiranisë nuk qëndron në nivele personale dhe individuale, por shtrihet gjer në kufijtë e një umeti të tërë, i cili vuan dhe ka nevojë për ilaç nga kjo patologji dhe ky zjarr që është gati ta djegë. Veç kësaj, tirania është ndër pengesat më kryesore për mendimin e lirë, kreativitetin, punën, moralin, zhvillimin dhe progresin në fusha të ndryshme.

Edhe pse në mendjet e njerëzve, fjala tirani është e lidhur me atë politike më shumë, ky fenomen haset edhe në sferën personale të njeriut, atë familjar, arsimor dhe institucioneve sociale. Prandaj është mirë që tiranisë ti përqasemi nga të gjithë këndvështrimet dhe jo vetëm në atë politik.

Unë dua t’ju tërheq vëmendjen se trajtesa jonë ka të bëjë kryesisht me aspektin psikologjik të tiranisë. Uroj që ky studim modest të shërbejë si një tullë në ngrehinën e lirisë të cilën synojmë të gjithë të realizohet dhe aktualizohet humanizmi ynë. Ne duhet t’i mbrojmë fëmijët nga vuajtjet e brezit tonë dhe nga pasojat e tiranisë, duke u hapur dritaret e lirisë dhe reformave të përgjithshme në çdo aspekt të jetës.

Liria është në zanafillë… sakaq tirania është patologji.

Liria është baza dhe origjina e ekzistencës së njeriut. Vetëm njeriu nga të gjithë gjallesat e tjera, e gëzon privilegjin e të qenit i lirë. Zoti i lartësuar e krijoi dhe pajisi me aftësi për të zgjedhur të mirën ose të ligën. Thotë Zoti në Kuran:”Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.” (Insan, 3)  “dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?” (Beled, 10)

Zoti e ka pajisur njeriun me liri të plotë për të zgjedhur sipas dëshirës, madje e ngarkoi me përgjegjësi për zgjedhjet e tij në këtë botë. Me këtë privilegj i cili tregon për pjekurinë e njeriut, ky i fundit gëzon superioritet ndaj të gjithë gjallesave të tjera. Zoti i lartësuar nuk ia ka garantuar këtë liri vetëm njeriut, por edhe armikut më të lig të tij, shejtanit. Ai i krijoi hapësirat e nevojshme që shejtani të mund të kundërshtojë urdhrat e Tij. Kështu, shejtani refuzoi ti përulej Ademit a.s kur e urdhëroi Zoti atë dhe melekët e tjerë që ti përulen si formë respekti. Siç e dimë, Zoti nuk e detyroi me zor shejtanin që ti përulej Ademit a.s. Madje, Zoti e afatizoi shejtanin që të ushtrojë zanatin e tij që e zgjodhi vetë, të luftojë njeriun dhe ta shmangë atë nga rruga e drejtë. Për këtë, shejtani krijoi dhe partinë e tij, anëtarët e së cilës janë miliona shejtanë dhe njerëz, të cilët shfrytëzuan lirinë e dhënë nga Zoti për një zgjedhje të tillë.

Zoti ka dërguar profetë njëri pas tjetrit, me qëllim që t’i përcjellë njerëzimit fjalën e Tij dhe për të krijuar një shoqëri e cila respekton urdhrat hyjnorë. Kjo, me qëllim që të korrigjohet besimi dhe bindjet e njerëzve, të përhapet drejtësia, e mira dhe drejtësia në tokë, për ti  bërë ballë partisë së shejtanit e cila i shërben të keqes padrejtësisë dhe korrupsionit në tokë. Megjithatë, Zoti u dha një mësim të rëndësishëm të gjithë profetëve lidhur me lirinë, sidomos atë fetare, kur u deklaroi:”Ska detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka siguruar lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (Bekare, 256)

Profeti Nuh a.s, nuk deshi që ti imponohej në çështjet e besimit djalit të tij. Ai bisedoi, dialogoi dhe e paralajmëroi për pasojat, mandej e la të lirë të vendosë si të dojë. Kjo, edhe pse Nuhu a.s e dinte se zgjedhja që kishte bërë i biri ishte e papërshtatshme dhe e gabuar, pasi do të mbytej në këtë botë dhe do të ndëshkohej në xhehenem në botën tjetër. Nuhu a.s e kuptonte dhe vlerësonte vlerën e lirisë me të cilën Zoti i kishte pajisur njerëzit. Edhe vetë adhurimin e Tij, Zoti e ka lënë në dorën e njeriut dhe vullnetin e tij, pa imponim dhe shantazh.

Në nivelin psikologjik, liria është e domosdoshme për zhvillimin normal psikologjik të njeriut. Është liria ajo që e pajis njeriun me fuqinë e të menduarit të lirë, kreativitetit, punës dhe moraleve të cilat e pasurojnë dhe zhvillojnë jetën mbi tokë.

Bazuar në këtë, tirania dhe despotizmi janë patologji që prekin njeriun dhe i shkaktojnë problemet psikologjike, si personit që e ushtron atë dhe personin mbi të cilin ushtrohet. Tirania e deformon si tiranin dhe personin mbi të cilin ushtrohet. Prandaj, të gjithë fetë qiellore, lëvizjet reformuese filozofike, sociale apo politike, gjatë gjithë historisë janë orvatur ta luftojnë këtë patologji të rëndë e cila e deformon natyrën pozitive njerëzore. Ajo e ndot mjedisin njerëzor me devijime dhe deformime të shumta. Tirania është burimi i shumë të këqijave individuale dhe kolektive.

Duket se shoqëritë arabe dhe islame janë prekur nga kjo patologji dhe vazhdojnë të vuajnë, edhe pse shumë shoqëri moderne e kanë luftuar dhe vazhdojnë ta luftojnë, duke vendosur mekanizma mbrojtës për ta kufizuar sa më shumë. Mekanizmat e përdorur prej tyre, herë shfaqen me imazhin e të drejtave të njeriut, herë me lirinë mediatike, herë me regjimet demokratike, herë me imazhin e kulturës së lirisë, drejtësisë dhe barazisë. Me gjithë këto ndryshime në shoqëritë e zhvilluara përreth nesh, ne vazhdojmë të vuajmë nga simptomat e kësaj sëmundjeje, saqë bota e jashtme – me apo pa keqdashje – na konsideron si të sëmurë në nevojë për trajtim politik, social dhe psikologjik, me qëllim që ngrihemi në një nivel me pjesën tjetër të botës së lirë, të përqafojmë vlerat e lirisë, drejtave të njeriut, zbatojmë demokracinë etj… si mekanizma që e kufizojnë përhapjen e virusit të tiranisë.

Lëvizjet reformatore janë orvatur që në kohët e hershme që ta trajtojnë këtë sëmundje. Asokohe, Abdurrahman Elkevakibij shkroi librin “Natyra e tiranisë” ku diagnostifikonte sëmundjen dhe jepte recetën si duhej trajtuar, por fjalët e tij i mori era. Në kohët moderne, shumë reformatorë kanë paralajmëruar rrezikun e tiranisë, por pa dobi. Sot rendi i ri botëror ushtron presion mbi ne që ta pranojmë trajtimin, me qëllim që të mos kthehemi në fokus patologjik të shoqërisë njerëzore.

Në anën tjetër, ka gjithmonë orvatje për ta mohuar dhe për ti groposur përpjekjet për reforma dhe trajtim të kësaj patologjie, duke pretenduar se nuk jemi të sëmurë deri në këtë gradë, se demokracia është një sistem perëndimor dhe nuk vlen për shoqëritë tona islame, se liri do të thotë humbje të vlerave dhe traditave islame, se ne jemi shoqëri konservatore, se liria dhe demokracia i cenojnë këto vlera. Në fakt, këto janë justifikime të një sëmuri i cili refuzon të pijë ilaçet.

Kushdo që mendon se po flasim vetëm për despotizmin politik, e ka gabim. Siç dhe do të shihet, ky studim do të përfshijë të gjithë nivelet e despotizmit dhe tiranisë, si në rangun individual, familjar dhe atë social, rajonal apo ndërkombëtar. Ne po i qasemi kryesisht në aspektin psikologjik, sepse besojmë se ai është elementi bazë që lehtëson depërtimin dhe përhapjen e kësaj patologjie. Mesa duket ne kemi avari në sistemin tonë ideologjik, pasi kemi lejuar të depërtojë virusi i tiranisë, gjë e cila e ka vonuar trajtimin dhe shërimin deri tani, madje e kemi refuzuar edhe ilaçin që na vjen si nga brenda dhe nga jashtë. Mesa duket, një pjesë e mirë e jona e kanë humbur dhe gjykimin e shëndoshë, pasi nuk i ndjejnë më simptomat e kësaj sëmundjeje, madje as që lëndohen prej saj. Në përgjithësi, ne jemi shoqëri autoritare e cila bazohet në idenë se i madhi di gjithçka dhe zotëron gjithçka. Sakaq i vogli është injorant, nuk merr vesh nga kjo botë dhe nuk duhet të zotërojë gjë.

Sistemi i lirisë:

Shpesh herë flasim për lirinë, demokracinë dhe konsultimin. Për shkak se bisedat tona janë të përgjithshme dhe të papërcaktuara mirë, këto vlera na duken si ëndrra dhe të parealizueshme në aktualitet. Për ta shmangur diçka të tillë, duhet të prezantohemi me sistemin e lirisë në mënyrë metodologjike, me qëllim që kur ta kërkojmë të jemi të qartë.

Sistemi i lirisë është një zinxhir me hallka të kapur fort pas njëra-tjetrës, të cilat fillojnë me konceptin e lirisë dhe të barazisë, mandej me mekanizmin që i realizon këto dy koncepte. Rezultati i kësaj është përmirësimi i jetës. Le ta trajtojmë më me imtësi në kufijtë që na e lejon kjo qasje.

1 – Liria nuk është vetëm një kërkesë politike, sociale dhe morale. Në fakt, ajo është një domosdoshmëri ekzistencialiste e cila lidhet që me fillimet e para të njeriut. Nëse i referohemi skenës ku u deklarua për herë të parë krijimi i njeriut, do të pikasim brenda saj parimin e lirisë. Kjo skenë, fillon me dialogun dhe bisedën që zhvillohet mes Zotit dhe melekëve, madje më vonë edhe mes Zotit dhe shejtanit. Thotë Zoti në Kuran:” Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”. (Bekare, 30)

“Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë mosbesimtar.” (Bekare, 34)

Kulmi i lirisë manifestohet kur vetë shejtanit i jepet shansi të shprehë mendimin e tij, edhe pse u rebelua ndaj urdhrit të Zotit duke refuzuar përuljen ndaj Ademit a.s. Kjo ndodhi, përmban një mësim të rëndësishëm mbi vlerën e lirisë dhe respektit të zgjedhjes, si dhe në mbajtjen e përgjegjësisë mbi pasojat e kësaj zgjedhjeje.

Vetë krijimi i njeriut me lirinë e duhur për të  zgjedhur mes të mirës dhe të keqes – ”Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.” (Insan, 3)  “dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?” (Beled, 10) – është deklaratë e qartë se liria është thelbësore në jetën e njeriut. Ajo është një nga nevojat dhe domosdoshmëritë psikologjike të ekzistencës së njeriut si një qenie e cila gëzon aftësinë për të bërë zgjedhje dhe ka vullnetin për ti çuar gjer në fund këto zgjedhje, si dhe të mbajë përgjegjësi për to. Zoti i lartësuar ia ka garantuar njeriut këtë liri, edhe pse ajo mund të përdoret për gjynahe dhe thyerje të urdhrave hyjnorë.

Koncepti i lirisë u theksua më fort, kur Zoti i lartësuar deklaroi parimin e lirisë në zgjedhjen e besimit:”Ska detyrim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!” (Bekare, 256)

“Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë” (Kehf, 29)

Nëse Zoti i lartësuar na ka lënë të lirë të zgjedhim besimin, atëherë kjo liri është më e kërkuar në gjërat e tjera.

Liria nuk është luks për njeriun dhe nuk është diçka plotësuese në jetën e tij. Në fakt, ajo është themeli i ekzistencës së njeriut. Mesazhi me të cilin e ka dërguar Zoti njeriun, nuk mund të realizohet veçse nën hijen e lirisë. Një person që shtrëngohet dhe detyrohet për diçka, nuk mban përgjegjësi të plotë. Megjithatë, koncepti filozofik, politik, social dhe moral i lirisë, nuk mjafton derisa të përmbushen dhe hallkat e tjera të zinxhirit dhe sistemit.

2 – Barazia. Ky është një parim tejet i rëndësishëm në sistemin e lirisë, sipas të cilit të gjithë njerëzit, pa asnjë dallim, janë të barabartë në të drejta dhe detyrime. Ata janë të barabartë për të gëzuar të drejtën e lirisë, pasi të gjithë janë krijesa të Zotit. Sa më shumë të realizohet ky parim, aq më shumë pamundësohet skllavërimi i njerëzve nga të tjerët në bazë të racës apo besimit. Të gjithë gëzojnë të drejtën e jetës në një shtet, komb apo shoqëri njerëzore. Kur ky parim pëson avari dhe nuk respektohet, shfaqen njerëz të cilët e shohin veten superiorë ndaj të tjerëve dhe kështu fillon e lind tirania dhe despotizmi.

3 – Demokracia. Në fakt, demokracia është një mekanizëm që zbaton parimet e lirisë dhe barazisë. Ajo formohet në bazë të kushteve dhe rrethanave, sipas të cilave mund të marrë formën e pleqësisë, besës apo të zgjedhjeve. Njerëzimi ka përjetuar eksperienca të shumta në kërkim të metodës më ideale e cila garanton parimin e drejtësisë dhe barazisë dhe ka korrur suksese relative, por jo ideale. Kështu, njerëzimi ka ligjëruar sisteme, kushtetuta dhe mekanizma të shumtë për të ndaluar tiraninë dhe despotizmin. Këto mekanizma nuk kanë qenë objektiv në vetvete, por kanë shërbyer si mjete për tu garantuar njerëzve lirinë e nevojshme. Prandaj, këto mjete mund të ndryshojnë, të korrigjohen dhe zhvillohen nga koha në kohë.

4 – Mirëqenia. Meqë liria, barazia dhe demokracia nuk janë thjesht parime filozofike, por parime dhe themele për një jetë më të mirë, atëherë ky objektiv duhet realizuar si një fryt i asaj që cekëm më lart. Por nëse mirëqenia nuk përmirësohet, atëherë duhen rishikuar konceptet dhe mjetet e lartpërmendura, për të gjetur ku çalon puna.

Sistemi i tiranisë:

Ky sistem përmban cilësitë dhe tiparet e tiranit dhe të atyre që vuajnë nga tirania, natyrën e raporteve mes tyre dhe mjedisin ku jetojnë.

1 – Hyjnizimi (lartësimi dhe madhështia). Tirani ndjen se është më i lartë dhe superior në krahasim me njerëzit e tjerë. Madje, ai beson se gjithçka tjetër është pronë e tij. Bazuar në këtë, ai u kërkon ti binden dhe nënshtrohen, duke ia hequr mundësinë kujtdo që të kundërshtojë apo diskutojë. Kështu, atij fillon ti fryhet vetja, aq më tepër kur sheh nënshtrimin e të tjerëve, derisa fillon të veshë cilësi hyjnie. Ky është fundi i pashmangshëm i tiranëve, fund të cilin e mbërriti dhe faraoni: “Unë jam zoti juaj më i lartë!” (Naziat, 24) “Dhe Faraoni tha: “O pari! Unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje!” (Kasas, 38)

2 – Mospërfillja dhe injorimi. Tirani ndjen mospërfillje dhe i injoron të gjithë personat që ka nën pushtetin e tij. Kjo ndjenjë i rritet sa herë që njerëzit manifestojnë bindje, servilosje dhe nënshtrim ndaj tij, sepse ai e kupton hipokrizinë dhe falsitetin e ndjenjave të tyre. Vetë mospërfillja dhe injorimi, tregojnë nënshtrimin, përuljen dhe shfrytëzimin.

3 – Kokëfortësi dhe dhunë. Tiranett dhe despotët janë kokëfortë, inatçi dhe të dhunshëm. Këto janë tipare të pandashme nga tiranët, pasi kanë mbirë nga një ego e vetme.

Sistemi i tiranisë zë fill me mendjemadhësinë dhe lartësimin dhe vazhdon derisa të mbërrijë në hyjnizim. Që këtu e kuptojmë zemërimin ndaj tiranëve nga ana e Zotit, pasi ata rreken të marrin cilësitë e Zotit. Ata dëshirojnë që urdhrat e tyre të mos u bëhen dysh. Prandaj, Zoti i ka paralajmëruar me ndëshkim të rëndë. Transmeton Ebu Musa, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Në xhehenem ndodhet një luginë, brenda së  cilës gjendet një pus i emërtuar Hubhub. Është e drejtë e Zotit që aty të hedhë tiranët kokëfortë.” (Taberanij)

Transmeton Muavije, Zoti qoftë i kënaqur me të, se i dërguari i Allahut a.s ka thënë:”Pas meje do të vijnë udhëheqës të cilëve nuk do u kthehet fjala. Ata do të piqen në zjarr, ashtu siç piqen majmunët.” (Taberanij)

Nga mënyra si do të ndëshkohen, kuptohet edhe madhësia e krimit të diktatorëve dhe despotëve kryeneçë.

Tiranët nuk e pranojnë diversitetin në mendime, madje ata nuk lejojnë që të ketë mendim tjetër përveç mendimit të tyre. Kjo, pasi mendimi tjetër cenon hyjnizimin e tyre dhe aftësitë e rralla. Supozohet që ata të kenë të drejtë për gjithçka dhe se fjala e tyre është absolute. Që këtu, ai e konsideron personin që jep një mendim tjetër, të pavlerë, mendjelehtë, të paedukatë, madje agresiv ndaj statusit të tij. Zemërimi i tij nuk mbahet dhe mund të arrijë gjer atje saqë të vrasë kundërshtarin, pasi ta ketë torturuar, burgosur dhe syrgjynosur më parë. Tirani ka qenë dhe mbetet kokëfortë, pasi beson se zotëron të vërtetën absolute dhe kurrë nuk bindet me mendimin tjetër, nëse do të supozonim se e lejon mendimin tjetër.

4 – Poshtërsia. Tirania dhe despotizmi i shndërron njerëzit në qenie të deformuara, për shkak se u duhet të përdorin shumë maska për ti bërë qejfin tiranit dhe diktatorit të tyre. Kështu, mes tyre përhapet hipokrizia, dredhitë, gënjeshtra, mashtrimi, frika etj… duke u zhveshur nga tiparet humane, me të cilat i nderoi Zoti.

5 – Korrupsioni. Kur bashkohen tiparet më të liga të tiranit me poshtërsitë dhe ligësitë e popullit, formohet një shoqëri e korruptuar dhe e shthurur.

“Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin,” (Fexhr, 10-12)

Korrupsioni shihet si një pasojë normale e tiranisë, cilatdo qofshin arsyet e kësaj të fundit. Kjo, sepse tirania deformon gjendjen psikologjike si të tiranit dhe të njerëzve ndaj të cilëve ushtrohet. Tirania konsiderohet edhe si një ndër faktorët më të rëndësishëm të ndotjes morale të shoqërisë.

6 – Gabimet dhe humbja. Bazuar në vizionin e kufizuar të tiranit dhe deformimit të psikologjisë së tij, mburrjet e pavend, refuzimi i mendimit të tjerëve, kokëfortësia etj… çojnë në marrjen e vendimeve të gabuara në të gjithë fushat. Thotë Zoti në Kuran:” paria shkoi pas urdhrit të Faraonit, ndonëse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë.” (Hud, 97)

7 – Shkatërrimi. Fundi logjik i deformimit të tiranit dhe njerëzve ndaj të cilët ushtrohet kjo tirani, është shkatërrimi i sigurtë. Çdo tiran i ka çuar njerëzit e tij drejt humnerës, ku kanë rënë të gjithë. “paria shkoi pas urdhrit të Faraonit, ndonëse urdhri i Faraonit nuk ishte i drejtë. Ai do ta udhëheqë popullin e tij në Ditën e Kiametit e do ta çojë në zjarr. Eh, sa vend i shëmtuar është ai, ku do të sillen ata!” (Hud, 97-98)

“Por Ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det. Shiko se cili ishte fundi i keqbërësve!” (Kasas, 40)

Ndëshkimi nuk ka të bëjë vetëm me botën tjetër, por edhe me ndëshkimin e kësaj bote. Dënimi i sistemit të tiranisë, nuk bazohet vetëm në konsiderata morale apo fetare. Në fakt, ai është një ligj universal dhe jetësor, pasi tiranët ecin kunder  rrymës së jetës. Meqenëse tirania deformon dhe shpërfytyron si tiranin ashtu dhe njerëzit, ajo nuk duhet të vazhdojë nëse duam që jeta të zhvillohet dhe ecë para. Tirani i ngjan një mikrobi ose virusi i cili depërton në qelizë dhe të gjithë aktivitetin e saj e vë në interesin e tij.

Shembujt historikë të shkatërrimit të sistemit të tiranisë nuk kanë fund. Kështu, faraoni bashkë me ushtarët e tij u mbytën në det. Neironi dogji dhe u dogj me gjithçka. Shahu i Iranit humbi pushtetin dhe mbeti për një kohë të gjatë në ajër bashkë me aeroplanin e tij, pasi nuk pranonte askush ta strehojë. Çaushesku u vra nga populli i tij i revoltuar. Para tij Hitleri u vetëvra pasi vrau mbi 45 milionë njerëz.

 

Muhamed Mehdij | Perktheu: Elmaz Fida

Psikologjia e Tiranisë: Llojet e despotizmit dhe tipat e personalitetit që priren për despotizëm

 

Psikologjia e tiranisë: Palët dhe mekanizmat e tiranisë

 

Psikologjia e tiranisë: Miti i tiranit të drejtë