Zotimet e vogla – Hapa të mirë për ndryshim

218

Amiri, një student universitar, një ditë shkoi në fermën e babit dhe u ul nën hijen e një peme të madhe, duke menduar për gjendjen e tij personale.
Sa herë që përqendrohej në një aspekt të jetës së tij, ai e krahasonte atë me atë që e dinte për shokun e tij më të mirë, Sa’din.

Kjo i solli një përbuzje të madhe për personalitetin e tij, meqë ai nuk mund të gjente ndonjë krahasim pozitiv midis tyre. Ky djalosh i ri u zotua se do të punonte shumë për një vit të tërë për të ndryshuar personalitetin e tij për 180 shkallë dhe për t’u bërë më i mirë sesa shoku i tij Sa’di.

Misioni ishte i vështirë, mirëpo ai bëri një plan të punës. Ai filloi të ndryshonte. Megjithatë, pas vetëm njëzet ditësh, ai ndali çdo gjë, hoqi dorë nga ajo dhe e pati të pamundur të
vazhdonte. Në fakt, ai ndjeu se situata e tij ishte më e keqe se ç’kishte qenë, sidomos kur ishte fjala për marrëdhëniet e tij me familjen.
Kjo situatë përsëritet qindra herë çdo ditë në çdo shoqëri. Arsyeja është se njerëzit mendojnë se ndryshimi është i lehtë, kështu ata e mbingarkojnë veten me më shumë sesa kanë mundësi të bartin. Prej këtu ka lindur ideja e ‘zotimeve të vogla’ ose ‘hapat e foshnjës’.

Çka nënkuptojmë me ‘zotimet e vogla’?

A. Ndryshimi në kuptimin e tij esencial është një përshtatje ndaj një situate të re që besojmë se është më e mirë sesa situata e tanishme. Çdo qenie e gjallë, duke përfshirë njerëzit gjejnë vështirësi në ndryshim dhe në përshtatje me një situatë të re. Njeriu gjithashtu i frikësohet ndryshimit, sepse ai shpesh përfshinë diçka të panjohur.

B. Zotimet ose hapat e foshnjës nënkuptojnë përqendrimin në ndryshimin e një shprehie ose situate në një kohë. Ne duhet të vazhdojmë me këtë derisa të largojmë plotësisht shprehinë e vjetër dhe të ndiejmë se shprehia e re është bërë pjesë e njohur dhe e natyrshme e jetës sonë të përditshme. Për shembull, nëse dëshirojmë të ndalim shprehinë e ngrënies së çokollatës çdo ditë derisa pimë kafe, mos ha ushqime të fërguara, çdo dite lexo gjysmë ore për të arritur leximin e librave që i ke blerë në panair, bëje një telefonat në ditë për të përmirësuar marrëdhëniet e dobëta me shokë ose zgjohu për namaz nate të paktën një herë në javë…

C. Çështja e zotimeve të vogla e fiton rëndësinë nga lidhja e fortë që ato kanë me sistemin nervor në trupat tanë. Inteligjenca emocionale e njeriut anon kah thjeshtësia, prandaj ajo anon kah pranimi i gjërave të thjeshta dhe të vogla. Kur ndryshimi që dëshirojmë ta bëjmë është i madh ose i shumtë, ai ngjallë frikë dhe dëshirë për të ikur nga ajo që dëshirojmë ta zëvendësojmë brenda mendjeve tona emocionale. Sa u përket hapave të foshnjës, ato nuk ngjallin këtë reagim teknik të avancimit dhe zmbrapsjes, sepse ne mbajmë një lidhje të mirë me aftësitë tona shpikëse dhe përshtatëse. Për më tepër, përpjekja për të ndryshuar shumë gjëra për një herë, nuk i jep trurit atë që i ndihmon për t’u fokusuar. Kur diçka mbetet në mendjen tonë për një kohë të gjatë, bëhet pjesë e programit mendor, psikologjik dhe të sjelljes. Në këtë mënyrë, është e mundur qe dikush të zotohet se këtë vit do t’ia kushtojë ndryshimit të shprehive të të ushqyerit, duke i lënë ato të pashëndetshme për ato të shëndetshme.

Pas një viti, ai mund të zotohet se ky vit i kushtohet përmirësimit të lidhjes me Allahun dhe përmirësimit të gjendjes shpirtërore. Viti tjetër është për përmirësimin e lidhjeve familjare, e kështu me radhë.

Përvoja njerëzore tregon se mendja, shpirti dhe trupi e kanë më të lehtë të pranojnë ndryshime të vogla dhe të ngadalshme që është kryesisht për shkak të dobësisë së sistemit tonë imunitar në ballafaqimin me ndryshimet e tilla. Ne duhet të përpiqemi të përfitojmë nga kjo përvojë, me qëllim që të zhvendosim nga një pozicion në tjetrin.

Virtyti i të theksuarit

Virtyti i të theksuarit të asaj që kemi qëllim ta kryejmë ka argumente të mjaftueshme për influencën e fjalëve që i përdorim në ndjenjat dhe mendimet tona. Andaj, duhet të përpiqemi shumë për të forcuar drejtimin e ndryshimit brenda vetes dhe theksimin e zotimeve të vogla që dëshirojmë t’i kryejmë.

Të theksuarit nënkupton specifikimin. Ajo gjithashtu nënkupton përsëritjen e fjalëve dhe koncepteve që tregojnë se ne jemi të interesuar për ndryshim. Nëse presim me padurim për të lexuar një orë gjatë ditës, të theksuarit na ndihmon si vijon:
A. Ai duhet të përmbajë fjalë pozitive, si për shembull: “Unë jam i përkushtuar të lexojë një orë në ditë.”
B. Kur ta themi këtë, duhet ta themi me optimizëm të plotë dhe energji të lartë shpirtërore.
C. Ta themi qartë dhe zëshëm.
G. Të mendojmë për atë që e themi, si dhe për përfitimet e mëdha dhe rezultatet e mira të arritjes së një zotimi të caktuar. Gjithmonë mendo se kjo është e lehtë dhe e mundshme.
D. Fjalitë e tilla duhet t’i shkruash në kohën e tashme: “Unë lexoj çdo ditë për një orë”, Të thuash këtë fjali në kohën e ardhme “Do të
lexoj një orë në ditë”, e bën personin që e lexon të ndiejë se të lexuarit nuk ekziston tani.
DH. Shkruaje këtë fjali dhjetë herë në ditë në një copë letër. Të shkruarit e saj në letër nënkupton të shkuarit e saj në tru, në shpirt dhe në ndjenja. Veproje këtë pandërprerë për tri javë. Vendosi letrat në një vend të dukshëm, kështu që t’i shohësh shpesh gjatë ditës.
Për shembull, vendose në tavolinën në të cilën ulesh ose në pasqyrën në të cilën shikohesh.
Nëpërmjet të theksuarit synohet të mobilizohet mendja, motivimi dhe energjia shpirtërore për të arritur sukses me procesin e ndryshimit.

Kërko mbështetje

Fatkeqësisht tradita jonë sugjeron se kërkimi i ndihmës nga të tjerët për të zgjidhur një problem është shenjë e dobësisë. Në këtë mënyrë, secili prej nesh përtyp në mënyre te qetë dhimbjet, vuajtjet dhe pikëllimin. Me këtë ne e privojmë veten nga një element themelor në procesin e ndryshimit. Kur një person të dëshirojë
ndryshimin e vetes nga një punëtor normal ose inferior në një punëtor të mirë ose të shkëlqyer, personi që mund të ndihmojë në këtë proces është ai punëtor, i cili e kryente më herët një punë normale ose i cili nga një firmë e vogël ka kaluar në një kompani gjigante dhe shumë të organizuar. Ai është personi i cili e ka marrë rrugën e njëjtë që ky person dëshiron ta marrë për tu ndryshuar.

Kemi shumë raste të njerëzve që dëshirojnë të ulin peshën dhe për këtë konsultohen me shokë ose kolegë që kanë pasur përvojë në uljen e peshës. Këta njerëz kanë tre herë më shumë sukses sesa ata që nuk konsultohen me të tjerët.

Kërkimi i ndihmës dhe asistencës nuk duhet të kufizohet vetëm te ekspertët dhe ata që kanë përvojë. Ajo mund të vijë gjithashtu nëpërmjet leximit të një libri të specializuar për temën në të cilën dëshirojmë të ndryshohemi ose nëpërmjet kërkimeve në internet.
Kërkimi i asistencës mund të përfshijë edhe marrjen e ndonjë tablete, që e dobëson varësinë ose e ul intensitetin e shqetësimeve, edhe pse personi që e bën këtë duhet të kërkojë këshillën dhe konsultimin e një mjeku dhe t’i përmbahet këshillës së tj.

Ndrysho mjedisin

Njerëzit ndikohen nga dy gjëra sa u përket sjelljeve, shprehive dhe edukatës: mjedisi dhe gjenet.
Nëse jemi plotësisht të pashpresë për të bërë ndonjë ndryshim në atë që e kemi trashëguar nga paraardhësit tanë, nga karakteristikat dhe potenciali, ne përsëri mund të bëjmë ndryshime në mjedisin në të cilin jetojmë dhe punojmë. Është vërtetuar se ju mund të ndryshoni shumicën e sjelljeve individuale të çdo personi nëse e vendosni në një mjedis i cili dallon nga mjedisi në të cilin jeton. Disa nga ndryshimet mund të ndodhin menjëherë, përderisa të tjerat mund të kërkojnë kohë, sepse kalimi nga një mjedis në tjetrin përfshin ndryshimin e shumë rrethanave. Mjedisi i ri mund të ketë marrëdhënie, rregulla, tradita, zakone, të dhëna fizike, atmosferë dhe klimë të ndryshme. Ne jemi mjaft të vetëdijshëm për faktin se struktura psikologike dhe intelektuale e njeriut nuk është mjaft solide dhe si e tillë ndikohet prej shumë elementeve të mësipërme.

Çështja e ndërrimit të mjedisit për hir të ndryshimit të sjelljes është një metodë e përdorur për mijëra vite. Këtë mund ta gjejmë në hadithin e Pejgamberit a.s. për një njeri i cili kishte mbytur nëntëdhjetë e nëntë njerëz, mirëpo shfaq dëshirën për t’u penduar.

Në kërkim të një përgjigje e kishte takuar një murg dhe pasi i kishte rrëfyer krimet e tij, e kishte pyetur nëse kishte pendim për të. Murgu i kishte thënë se krimet e tij assesi nuk falen.

I dëshpëruar nga përgjigja, e kishte mbytur edhe vetë murgun. Pasi kishte vazhduar kërkimin për ndonjë njeri tjetër të ditur dhe vërtet e kishte gjetur një të tillë. Pasi i tregon për vrasjen e 100 njerëzve, ai e pyeti nëse kishte pendim për të. Njeriu i ditur i thotë se po, por duhej të shkonte në nje vend në të cilin jetonin njerëz të mirë, të cilët e adhuronin Allahun dhe t’u bashkohej atyre. Ai i kishte thënë që të mos kthehej në vendin e tij ku i kishte kryer vrasjet, sepse ai ishte një vend i keq.

 

Shembuj praktikë

Një student universitar dëshiron të diplomojë me notë të lartë dhe e di se kjo kërkon përpjekje shtesë. Çfarë do të mund të bënte për ta ndryshuar mjedisin e tij?
– Nëse studimi në shtëpi e mban të preokupuar me punë anësore, ai duhet të studiojë në një bibliotekë ose në xhaminë e lagjes.
-Ai duhet të shoqërohet me një ose dy studentë për të studiuar bashkë dhe për të mësuar si të jetë student i zellshëm.
– Të lexojë biografinë e disa mësuesve shembullor, të cilët kanë qenë të njohur për të arritura dhe suksese gjatë jetës së tyre.
Nëpërmjet leximeve të tilla, ai do të zbulojë rrethanat që u ndihmuan atyre për të pasur sukses në karrierat dhe profesionet e tyre.
Një musliman gjynahqar dëshiron të pendohet tek Allahu, të forcojë besimin dhe të marrë rrugën e reformës. Çfarë duhet të bëjë?
Nëse një person i tillë jeton në një mjedis të prishur, ai duhet të lëvizë në një mjedis të pastër, të drejtë dhe të devotshëm. Ai duhet të zgjedhë vendbanimin afër një xhamie, nëse ka mundësi.
– Ai duhet të heqë dorë nga shoqëria e keqe dhe të bëhet shokë me njerëz të mirë.
Njëri i ri, i cili vuan nga mbipesha ekstreme dëshiron të humbë peshë. Si të ndryshojë mjedisin për t’i ndihmuar të humbë peshë?
– Nëse ende nuk është i martuar, ai duhet te mos martohet me një vajzë të trashë.
– Ai nuk duhet të rri me njerëz të trashë, sepse ata do ta inkurajojnë në mënyra të ndryshme për të ngrënë më tepër ushqim.
-Ai duhet të shmangë ngrënien në tavolina të hapura, sepse kush hanë aty inkurajohet të hajë më tepër, sepse ndien se po e marrin atë që e kane paguar.
Ai duhet të zvogëlojë pjesëmarrjen në bankete. Kur njerëzit ulen për të ngrënë së bashku, ata kanë zakon të hanë më tepër, sesa kur janë vetëm.
Është me rëndësi të kuptohet se në realitet, mjedisi i përbën rrethanat në të cilat punojmë. Për rrjedhim, angazhimi në sigurimin e rrethanave të mira që ndihmojnë ndryshimin është një mënyrë për të jetuar në një mjedis të ri.

 

Ndrysho ose do të humbësh | Autor: Dr.Abdul Kerim Bekkar