Ndryshoni për hir të qëllimeve

67

Ndryshoni për hir të qëllimeve

Jeta jonë bëhet më domethënëse kur ne i praktikojmë qëllimet dhe objektivat për të cilat përpiqemi në mënyrë të saktë. Besoj se një musliman më së miri mund ta kuptojë këtë koncept, sepse problemi më të cilin shumica e njerëzve ballafaqohen në jetë zakonisht ka të bëjë me vendosmërinë e qëllimit final ose objektivit kryesor. Të gjitha qëllimet dhe objektivat janë thjesht mjete kur të krahasohen me këtë objektiv.

Muslimani nuk vuan nga dykuptimësia sa i përket këtij koncepti, meqë e di se njerëzit janë vendosur në këtë tokë me qëllim që ta adhurojnë Allahun Fuqiplotë dhe për t’i zbatuar urdhrat e Tij.

Allahu ka thënë në Kur’anin e Madhërishëm:
“Xhindet dhe njerëzjt i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. ” Edh-Dharijat, 56
Kur këtë ta bëjmë në mënyrë perfekte, mund të arrijmë kënaqësinë e Allahut dhe lumturinë e përhershme. Natyrisht se ky është qëllimi më i madh dhe kryesor në jetë.
Në këtë jetë ne dëshirojmë të jetojmë të lirë dhe të jemi të respektuar, të fitojmë jetesën dhe të ardhurat me dinjitet, si dhe të gëzojmë shëndet me siguri dhe stabilitet. Ndryshimet që çdonjëri prej nesh duhet t’i mishërojë, duhet t’i kenë synim këto shpresa, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë Idetë vijuese do ta pasurojnë këtë temë:

a. Plani i mirë në radhë të parë

Objektivat mbesin vetëm ëndrra nëse nuk bëhen plane që implementohen për realizimin e tyre. Kjo do të thotë se çfarëdo dëshirojmë të arrijmë seriozisht dhe me ndershmëri, duhet të kemi një plan praktikë dhe të zbatueshëm, përndryshe ajo mbetet vetëm një dëshirë e padobishme.

b. Trendi pozitiv

Kur dëshirojmë t’i përcaktojmë qëllimet tona për të ardhmen është me rëndësi të mendojmë në mënyrë pozitive sa herë që është e mundur. Futja e gjërave negative në planet tona shkakton një lloj refuzimi të brendshëm për ndryshim. Kjo po ashtu e bën situatën tonë emocionale, të dykuptimtë, të errët dhe të hijezuar. Në anën
tjetër, konceptet pozitive nxisin dhe zgjerojnë anën emocionale të personalitetit tonë, si dhe të japin rehati dhe siguri. Për rrjedhim, është me rëndësi që gjithmonë të parafytyrojmë një imazh të mirë të asaj që dëshirojmë të arrijmë përgjatë viteve të ardhshme, në vend që t’i përsërisim gjërat inferiore, të cilat dëshirojmë t’i flakim.
Për shembull, është më mirë t’i strukturojmë mendimet pozitivisht si vijon:
“Dëshiroj të ndihem më afër Allahut të Madhërishëm”, dhe jo të thuhet “Dëshiroj të largoj indiferencën time ndaj Allahut të Madhërishëm.”
“Dëshiroj të kem një jetë stabile martesore me pak rehati dhe luks” në vend që të thuhet “Jam i lodhur nga nevoja për ndihmën e të tjerëve dhe nga zhytja në borxhe.”
“Dëshiroj që trupi im të jetë në formë të shkëlqyeshme, i shëndetshëm, i lehtë në peshë dhe aktiv”, në vend që të thuhet “Dëshiroj të heq trashësinë, sepse ajo është e dëmshme për trupin.”

c. Sjelljet që të ndihmojnë

Kur dëshirojmë të lëvizim nga një situatë në tjetrën, duhet të përfshijmë ide, parime dhe sjellje që na ndihmojnë në kryerjen e një ndryshimi të tillë. Për shembull, nëse një person ndien se ai është më afër koprracisë sesa bujarisë ndaj shokëve dhe vëllezërve në Islam ndaj të varfërve dhe nevojtarëve dhe ndien se duhet të ndryshojë gjendjen e tij, çfarë duhet të bëjë?
– Të ketë besim të fortë se njeriu bujar është më afër Allahut të Madhërishëm dhe gjithashtu më afër njerëzve.
-Sa herë që shpenzon për kauza të mira, Allahu do t’ia kthej shumëfish në këtë jetë dhe do ta shpërblejë për të në botën tjetër.
– Të besojë se kur shpenzon me bujari për hir të Allahut, ai do të ndihet më i lumtur dhe do ta mposht egoizmin dhe dashurinë për një jetë materiale.
– Të ftojë shokët, kolegët dhe të afërmit në shtëpi të paktën një herë në dy muaj.
– Çdo ditë të japë një shumë të vogël parash.
-Të paguajë zekatin me kënaqësi dhe gatishmëri.
-Të bëjë disa vepra vullnetare dhe t’u përgjigjet atyre që i bëjnë ato.
– T’u jap hua të afërmve dhe shokëve që kanë nevojë, pasi të marrë premtimin se do t’ia kthejnë.

d. Kthimi prapa është gjithmonë i mundur

Gjithmonë ekziston një boshllëk midis teorisë, planifikimit dhe implementimit praktikë për shkak të lirisë tonë të veprimit dhe pengesave të ndryshme në realizim. Andaj, është me rëndësi për çdonjërin prej nesh që në planet afatgjata dhe afatshkurta të ketë parasysh se mund të ndodhë një përmbysje e asaj që e ka arritur në të gjitha situatat. Kjo është e qartë në të gjitha situatat jetësore.
Meqenëse kjo konsiderohet e natyrshme, ne nuk duhet të zhgënjehemi kur të ballafaqohemi me dështime të vogla. Duhet të ngrehim disponimin dhe të mbledhim forcën pas çdo ndëshkimi ose
rrëzimi. I gëzohem faktit që shumë njerëz fillojnë të implementojnë programe të tilla të ndryshimit me optimizëm dhe entuziazëm të madh, mirëpo dëshpërohen kur ata humbin terë atë që e fitojnë pasi të hasin në pengesa ose kur të ndiejne se kanë humbur ca nga fitimet e tyre.

e. Objektivi i mençur

Objektivin të cilin dëshirojmë ta arrijmë duhet të jetë një objektiv inteligjent, pra ai duhet të jetë i qartë dhe i lehtë për t’u marrë me të.
Në fakt, objektivi i mençur përmban një numër karakteristikash bazike. Disa prej tyre janë:
Ai duhet të jetë i matshëm. Arsyeja për përkufizimin e qëllimit është të ndiejmë se kemi mundësi ta masin atë. Për shembull, nëse dikush i thotë vetes se këtë vit dëshiroj të jem shumë më i mirë në devotshmëri dhe frikë ndaj Allahut dhe t’i shmangem të gjitha llojeve të veprimeve të dyshimta. Në këtë rast, personi duhet të jetë specifik duke përkufizuar disa veprime që manifestojnë devotshmëri dhe frikërepsekt ndaj Zotit. Për shembull, ai mund t’i vë qëllim vetes që të mos marrë pagesë për punën që nuk e ka kryer, t’i vendos vetes qëllim që të mos dëgjojë e as të mos marrë pjesë në përgojim, ose ai mund të vendosë një qëllim që të mos bëhet pjesë e asnjë kontrate të cilën nuk e aprovojnë dijetarët muslimanë.
Ai duhet të jetë realist. Arritshmëria nuk duhet të drejtohet nga ajo që të tjerët e mendojnë, mirëpo duhet të jetë relevante në bindjet e personit i cili po ndryshon. Ai duhet të ndiejë thellë në vetvete se nuk i ka kërkuar vetes të arrijë më tepër sesa ka mundësi në kohën e përzgjedhjes së qëllimeve të tij. Objektivit duhet ti vendoset një kornizë. Është obligim që objektivit t’i vendoset një kornizë kohore ose një orar. Në fakt, një plan është i pakuptueshëm nëse nuk ka kornizë kohore të ekzekutimit.

Mund të ndodhë që një person të vendosë një kornizë kohore për të flakur një shprehi ose sjellje të padëshiruar. Më vonë, ai zbulon se koha që e ka caktuar është tepër e shkurtër. Në këtë rast, të shtohet më shumë kohë është e pranueshme për aq kohë qe kjo nuk përsëritet për shumë herë.

f. Teknikat e specifikimit të qëllimit

Gjenden disa teknika të dobishme që ndihmojnë në përcaktimin e qëllimeve tona dhe në arritjen e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Disa prej tyre janë:
-Është me rëndësi që një person ta parafytyroje shëndetin e tij dhe situatën shoqërore, financiare dhe morale pas njëzet vitesh, gjatë të cilave, normalisht se shumë ndryshime do të ndodhin. Një 60 vjeçar do të bëhet 80, atëherë si ka mundësi një person i tillë të përgatitet për këtë fazë të plakjes në jetën e tij me qëlim që të kalojë
me dhimbjet dhe shqetësimet më të vogla? Brenda njëzet vitesh një person do të ketë mundësi të mësojë shumë gjëra për veten dhe familjen. Kjo kërkon që ai t’i vendosë pesë ose gjashtë objektiva që ndien se me arritjen e tyre do të jetonte jetën që e ka dashur.
Atëherë, ajo që kërkohet është t’i vendos këto qëllime sa më parë që është e mundur. Ato vërtet do të shprehin çfarë është në sipërfaqe të vetëdijes së tij dhe do të tregojnë ndjenjat më të qarta që i ka.
– Nëse një person ka qëllime më të vogla që u shërbejnë atyre objektivave kryesore, të cilat kanë nevojë për një ose dy vjet për t’u arritur, ai duhet ti nënvizojë ose ti shënojë ato me një ngjyrë tjetër në shënimet e tij. Të gjithë e dimë se objektivat më të vogla janë mjet për realizimin e objektivave të mëdha.
-Është me rëndësi të përkufizohen dhe të specifikohen qëllimet dhe objektivat që besojme se jemi të përgatitur t’i arrijmë me përpjekje maksimale nga ana jonë. Duhet të bëhemi si një student ambicioz, i cili e përgatit veten, me qëllim që të kryejë studimet e ti.
Ose si një mjek i sinqertë i cili përpiqet shumë për të shpëtuar jetën e një pacienti. Ky definicion është shumë i rëndësishëm për suksesin në caktimin e qëllimeve sipas prioriteteve.

 

Ndrysho ose do të humbësh | Autor: Dr.Abdul Kerim Bekkar