Shfrytëzoje imagjinatën për të ngritur veten dhe për të ndryshuar statusin tënd

222

Imagjinata jote

Ne gjithmonë imagjinojmë dhe i kujtojmë gjërat. Të dyja këto kanë një ndikim të qartë në ndjenjat, emocionet dhe qëndrimet tona të përgjithshme. Megjithatë, ne rrallë e shfrytëzojmë imagjinatën për të ngritur veten dhe për të ndryshuar statusin tonë.
Imagjinata është njëra nga dhuntitë e Allahut të Madhërishëm që i ka dhënë njeriut; ajo i dallon njerëzit nga kafshët. Kjo e shtyri Ainshtajnin të thoshte: “Imagjinata është më e rëndësishme sesa dituria”
Natyrisht, kjo është për shkak të aftësisë së imagjinatës për të na çuar nga realiteti i vërtetë në të cilin jetojmë në realitetin virtual ose imagjinar. Mund të vërejmë, se kur dëshirat tona bien në konflikt me imagjinatën tonë, imagjinata është ajo që fiton! Për shembull, nëse i themi vetes: “Dëshiroj të zgjohem një orë para agimit çdo ditë. Mirëpo, këtë nuk mund ta bej verës sepse nata është e shkurtër dhe në shtëpi nuk kthehem deri në orën 23:00 të natës.” Në këtë rast ne krijojmë një konflikt midis dëshirës për t’u zgjuar dhe imagjinatës se është vështirë të zgjohemi. Zakonisht imagjinata del fitimtare ndaj dëshirës.

Nganjëherë, ne vërejmë një person të cilit i pëlqen t’i takojë njerëzit, mirëpo ai gjithmonë mendon se paraqitja e tij përpara tyre mund të jetë e papërshtatshme. Për rrjedhim, ai shpesh bëhet tip i mbyllur sepse nënvetëdija e tij ia konfirmon imagjinatës së tij këto pengesa dhe ai i thotë vetes të mos takohet me njerëz dhe të mos i vizitojë.

Ngjashëm, një student i cili e imagjinon veten të zgjedhet në mesin e studentëve më të mirë në fund të vitit akademik do të ndihet i lumtur, i kënaqur dhe i detyruar për të bërë më tepër përpjekje për të arritur këtë.

Duket se struktura jonë e thellë emocionale nuk di të bëjë dallimin midis imagjinatës dhe realitetit. Nëse e imagjinojmë prezencën e një gjëje të mirë ose madje të keqe në jetën tonë, emocionet dhe ndjenjat tona do të merren me të sikur të ishte realitet. Për rrjedhim, është me rëndësi të imagjinojmë gjërat që janë në interes të ndryshimit pozitiv dhe progresit personal.

Gjithmonë imagiino se ke arritur lumturi pasi ke lënë duhanin, pasi ke braktisur vonesën e namazit deri në fund të kohës së caktuar dhe ngritjen e zërit në një bashkëbisedim me të tjerët. Imagjino se nesër do të jesh më i sinqertë në çështjet që lidhen me sjelljen e fëmijëve tuaj. Imagjino se do të kesh mundësi të përmirësosh marrëdhëniet me nënën tënde (ose babanë) ose imagjino se do të bësh ushtrime rregullisht.

Në të njëjtën kohë duhet të harrosh për të gjitha imagjinatat negative, si për shembull:
– Pas një jave do të kem një problem me bosin tim lidhur me raportin që nuk e kam plotësuar ende.
– Pa marrë parasysh sa shumë përpjekje bëj në studimet e mia, nuk mund të imagjinoj veten ndër të parët dhe ndër më të mirët e klasës sime.
– Përvoja ime personale më ka mësuar se për çfarëdo që imagjinoj, ato janë vetëm ëndrra dhe imagjinata dhe nuk do të bëhen realitet
Këto imagjinata gjithmonë kufizojnë aspiratat e tona, na shtyjnë në nënshtrim dhe na parandalojnë nga kërkimi i aspiratave më të larta.

Heq dorë nga arsyetimet

Nëse shikojmë jetën e atyre që kanë dështuar, vërejmë se shumica e tyre janë bërë specialistë në krijimin e arsyetimeve.
Çfarëdo dështimi ose dobësimi që e pësojnë, ata ia atribuojnë arsyeve të jashtme, gjërave që nuk janë nën kontrollin e tyre, kështu që askush të mos ketë të drejtë ti fajësojë, ose ti marrë në llogari. Ky është mendimi i tyre.

Arsyetimet që i bëjmë për të justifikuar situatën tonë të stagnuar janë dy llojesh: Lloji i parë sillet rreth të metave tona. Për shembull, dikush mendon me vete: “Kam një trup të dobët, prandaj nuk mund të marrë pjesë në sport” Ose: “Nuk kam ndonjë kualifikim, andaj nuk mund të gjej një punë të mirë,” ose “Gjaknxehtësia është pjesë e pandarë e karakterit tim dhe nuk mund ta kontrolloj atë” etj.

Sa i përket llojit të dytë, ai sillet rreth mjedisit, rrethanave, fyerjeve të të tjerëve, konspiracioneve, garës ose urrejtjes drejt një personi. Për shembull, një person mund të mendojë në vete: “Nuk lexoj në shtëpi, sepse shtëpia jonë është e vogël dhe familja jonë është e madhe”, “Bosi im nuk më pëlqen. Ai ua ka zili punëtorëve”, “ Unë jetoj në një vend rural dhe nuk ka vend në të për t’u ofruar femijëve një shkollim të dinjitetshëm” etj.
Në këtë mënyre, personi gjithmonë gjen një arsyetim për ngecjet e tij dhe është gjithmonë i përgatitur të përdorë arsyetime të tilla (të gabuara) për të mbrojtur rastin e tij përpara çdokujt që i kërkon të ndryshojë qasjet e tij ose të paktën t’i përmirësojë ato. Arsyetimet mund të bazohen në opinione të vërteta dhe nganjëherë mund të jenë mungesë e diturisë së duhur për mundësitë e pranishme.

Sidoqoftë, është me rëndësi të kujtohet se gjenden mijëra njerëz, të cilët vuajnë më tepër sesa ju, mirëpo ata ia kanë dalë t’i flakin shumë probleme dhe shprehi të këqija.

Sa shpesh kam parë të rinj që janë rritur në familje të varfra, mirëpo kanë arritur sukses në studimet e tyre. Ata kanë studiuar në ndonjë xhami, bibliotekë ose shtëpi të shokut. Sa shpesh kemi degjuar për familje të varfra që janë shpërngulur nga fshatrat ose qytezat në qytete më të mëdha për t’u siguruar fëmijëve të tyre një shkollim më të mirë dhe për t’u mundësuar që të jetojnë në një mjedis më të mirë?
Një herë ka qenë një person, i cili çdo ditë ecte gjysmë ore. Kur babai i tij u sëmurë, ai u detyrua të qëndronte me të në spital. Ka qenë e pritur që ai të mos e praktikonte këtë shprehi sa ishte në spital, mirëpo ai nuk veproi kështu. Ai filloi të bënte këtë ecje në oborrin e spitalit.

Njëra nga gjërat më të bukura që është transmetuar në histori lidhur me këtë është ajo që është transmetuar për Ebu Bekrin r.a.
(halifin e parë të muslimanëve). Para se të bëhej halif ai milte delet e disa jetimëve. Pasi u bë halif i muslimanëve, ai vazhdoi t’u shërbente atyre jetimëve, edhe pse ai kishte filluar detyrat e halifit. Ai kishte çdo arsye për të mos e bërë këtë.

Pa marrë parasysh çfarë situate është, pa marrë parasysh sa të ngushta bëhen rrethanat dhe pa marrë parasysh sa të pakta janë burimet, ne përsëri kemi mundësi të ndryshojmë atë që ka nevojë të ndryshohet.

Ndrysho ose do të humbësh | Autor: Dr.Abdul Kerim Bekkar