Elementet profesionale që u mundësojnë ndryshim transformues

230

Niveli profesional

Në të kaluarën kur dikush takonte një person tjetër, ai e pyeste: “Si quhesh dhe i kujt je (si quhet babai yt), cilës familje ose cilit fis i takon etj.?” Sot kur të takohesh me njerëz, ata janë të interesuar të mësojnë për shkollimin e personit dhe vendin ku punon. Këto dy aspekte në mënyrë të qartë i referohen potencialit të ndryshëm të individëve, pasi koha jonë është kohë e garës së flaktë në botën e biznesit

Sot në botë bëhet një përpjekje e madhe globale në arenën e zvogëlimit të kostos së produkteve dhe përmirësimit të kualitetit të tyre, si dhe në nivelin e marketingut dhe hapjes së tregjeve të reja. Individi i cili kryen aktivitete të tilla është një punëtor profesionist i shkathet. Prandaj, kjo është tregues se gjithnjë kërkohen individë
kompetentë me aftësitë dhe shkathtësitë më të larta. Pronarët e biznesit janë të gatshëm t’i paguajnë rrogat dhe bonuset më të larta për individët që u ndihmojnë t’i mposhtin konkurrentët e tyre. Në fakt, zhvillimi i performancës tonë profesionale dhe karrierës dhe kalimi nga neglizhenca dhe nivelet e ulëta të efikasitetit në seriozitet, performancë të lartë kualitative dhe përkushtim ndaj qëllimeve dhe objektivave të kompanisë, kërkon shumë elemente. Prej më të rëndësishmeve janë:

1. Studimi në një shkollë të mirë dhe me reputacion

Gjithmonë duhet të mbajmë në mend se studimi në një shkollë ose universitet me reputacion formon fillimin e mirë për një jetë të pasur, profesionale dhe produktive. Atij që i ka ikur një shans i tillë duhet ta zëvendësojë atë me kurse trajnuese, me pjesëmarrje në konferenca dhe seminare profesionale dhe me vizitë të panaireve të specializuar. Kompanitë e avancuara sot ndajnë buxhet të madh për trajnim të punëtorëve të tyre. Një person i cili nuk mund të bëhet pjesë e trajnimeve të tilla duhet t’i shpenzojë paratë e tij për t’i përmirësuar shkathtësitë e tij personale dhe profesionale.

2. Fillo punën në një kompani me reputacion

Beje të pamundurën që të punosh në një kompani të avancuar dhe mjaft të organizuar ose në një organizatë, apo institucion të tille.
Organizatat dhe institucionet e tilla zakonisht sigurojnë një mjedis të rehatshëm dhe tërheqës që ofron shumë nxitje dhe inkurajim. Për më tepër, puna në organizata të tilla të shton përvojën dhe diturinë që është e barabartë me studimin në një shkollë ose universitet me reputacion.

3. Punëtori i keq

Disa nga shenjat e performancës së dobët dhe të një punëtori inferior është produktiviteti i dobët, indiferenca ndaj kualitetit të produkteve, mos plotësimi i punës me kohë, konfliktet e vazhdueshme me menaxhmentin dhe punëtorët e tjerë, besnikëria e nivelit të ulet ndaj kompanisë, mungesa e perkushtimit ndaj orarit të punës, kritikat ekstreme dhe pesimizmi kur të bisedohet për çështjet që lidhen me punën ku punon.

Këto tipare gjenden te punëtor te panumërt dhe te stafi i shumë organizatave dhe kompanive. Si mund që një punëtor të ndryshojë këtë gjendje? Besoj se pikat vijuese mund të ndihmojnë për të sjellë ndryshimin e nevojshëm:

A. Nëse nuk ndihesh rehat me punen tënde ose ndihesh se organizata jote në të cilën punon nuk të ndihmon të përmbushësh aspiratat tuaja, atëhere lëre atë punë. Përmirësimi i performancës në një rast të tillë është shumë i vështirë.
B. Muslimani është përgjegjës për të kryer detyrat e tij që i kërkohen sipas aftësisë së tij. Kjo ndihmon që ai të ndiejë se pasuria që po i siguron familjes është hallall.
C. Vendos orën pesë minuta përpara, që gjithmonë të arrish në punë më herët.
C. Mos e pyet veten: “Çfarë do të përfitoj nga puna ime?” Por pyete: “Çfarë mund të ofroj në këtë punë?”
D. Gjithmonë kujtoje moralin dhe sjelljen e individëve dhe shpikësve të suksesshëm dhe përpiqu të imitosh praktikat e tyre.
DH. Mos harro se në çdo mjedis pune ka çështje dhe probleme të pazgjidhura. Disa nga anëtarët e stafit janë pjesë e këtyre problemeve dhe çështjeve, përderisa disa punëtorë të tjerë janë pjesë e zgjidhjes. Puno që gjithmonë të jesh pjesë e zgjidhjes, duke qenë i shquar në kontributin tënd në biznes.
E. Kërko ndihmë nga kolegët e tu. Gjithmonë përpiqu të ofrosh ndihmën dhe asistencën tënde.
Ë. Përpiqu të shquhesh dhe të përmirësosh shkathtësitë e tua nëpërmjet trajnimeve dhe mësimmarrjes së vazhdueshme derisa performanca e vitit të tanishëm të jetë më e mirë sesa performanca e viteve paraprake.
F. Suksesi i organizatës në të cilën punon është një lloj i suksesit. Kontribuo me sinqeritet për atë sukses.
G. Le të jetë prezenca jote në mesin e kolegeve një burim i lumturisë, kënaqësisë, vetëbesimit dhe optimizmit.
GJ. Përpiqu që të kërkosh sa më pak ndihmë prej kolegëve, ndërsa më shumë bëhu ofrues i ndihmës.

Ndrysho ose do të humbësh | Autor: Dr.Abdul Kerim Bekkar