Koha për t’u parë në pasqyrë

295

Si myslimanë,çfarë shohim kur ndodhemi përballë pasqyrës. Allahu kërkon prej nesh që aty të shohim vetë Profetin (a.s).
“Vërtet, ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut, kuptohet ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shpesh Allahun”. (33:21)
Profeti Muhamed (a.s) duhet të jetë imazhi ynë. Le të marrim atë për model dhe me moralin e lartë të tij le të peshojmë veten tonë.

Gjithsesi, në sa nga pasqyrat tona pasqyrohet kjo figurë e ndritur?

Pas 11 shtatorit, Islami, feja e së vërtetës dhe paqes, u bastardua keqazi. Muslimanë e muslimane kudo në perëndim u vunë në shënjestër të urrejtjes dhe dhunës.
Islamit iu vunë ofiqe nga më të llahtarshmet, u njollos me terma që kurrë nuk mund t’i meritojë një fe kaq e lartë, nga më të ulëtit që mund të dalin prej gojëve njerëzore. Në një çast të vetëm gjithë rendi u përmbys. E padrejtë, ë! Ndoshta! Po kush e ka fajin në këtë mes?

Ata që bënë gjithë këtë në emër të Islamit, po fshehin fytyrat e tyre të bukura për të përmbushur axhendën e tyre të deformuar ngjyrë gri. Ndërsa në anën tjetër, janë ca pyetje që rëndojnë vazhdimisht si çekan mbi ne: “Po tani? Si duhet t’i përgjigjemi gjithë kësaj?”
Le të përballemi me problemin e të mos mundohemi t’i bëjmë bisht.

E keqja është, se problemi në mbarë botën e sotme islame, janë vetë muslimanët. Koha e tanishme është koha, ku në pasqyrë nuk shihet më i dërguari i Allahut (a.s), por “armiqtë e Islamit”.
Tingëllon një çikë ashpër? Epo mirë. Le ta marrim pak më shtruar muhabetin. Pavarësisht nga politikat e qeverisë dhe elitave bashkëvepruese të disa nga vendeve përendimore, që pak a shumë kanë kolonizuar ekonomikisht, politikisht dhe kulturalisht mbarë botën islame, sa muslimanë janë vërtet muslimanë? Me gjithë xhamitë, Kuranët anembanë, takiet e festet mbi kokë, sa prej nesh i ndjekin udhëzimet kuranore dhe sa prej nesh i binden vërtet Allahut?
Le t’u kthehemi edhe njëherë parimeve bazë, sepse pikërisht aty ka ngecur akrepi.

Të gjithë si umet kemi dalë ca si tepër jashtë udhe; dhe pretendojmë e shpresojmë, se Allahu do të na ndihmojë (që në fakt, shpesh na ndihmon me mëshirën e Tij të pafundme edhe pse ne nuk po i qëndrojmë besnikë deri në fund kontratës që kemi nënshkruar). Kurse ne rrimë e mendojmë, se pse Allahu po i lejon armiqtë tanë të ngadhënjejnë mbi ne!

Të mos biem pre e dëshirave, epsheve, lakmive dhe ndjenjave…thjesht ta jetojmë Islamin. Kjo nuk kërkon ndonjë lëvizje, sekt apo organizatë të re, as argumente të detajuara e as zhargone imagjinare. Gjithçka kërkohet është thjeshtësi dhe përpjekje.

Vullneti individual dhe kolektiv duhet të jetë në vijueshmëri me vullnetin e Allahut. Kjo është e gjitha.

Fillo e falu- pesë herë në ditë, madje sikur ai të jetë dhe namaz i fundit për ty. Jepe zekatin dhe bëj bamirësi, ashtu si i dërguari i Allahut. Fillo të agjërosh me bindje të plotë dhe vetëm për Allahun. Mësoji dhe edukoi fëmijët të jenë muslimanë të mirë, t’i frikësohen dhe ta duan Allahun më shumë se çdo gjë tjetër – le të mendojë ç’të dojë shoqëria.
Fillo ta lexosh dhe përpiqu ta kuptosh Kuranin. Fillo të shtosh njohuritë e tua. Ji i dashur dhe respektoi gratë, ashtu siç bënte profeti (a.s), që i trajtonte përherë me mirësi e butësi.

Fillo të mos i shohësh jomyslimanët me syrin e armikut, por si njerëz me peshë.
Lëre mënjanë egon dhe fillo të lexosh, të pyesësh, të dëgjosh e të interesohesh për përfundimin tënd. Ji i sjellshëm me fqinjin dhe kujto, se profeti (a.s) i trajtonte gjithnjë me mirësi e respekt fqinjët. Vërua në pah gabimet vëllezërve dhe motrave të tua, por në formën më të bukur ama, në një mënyrë që sjell ndryshim dhe që nuk mbjell urrejtje.

Thënë me një frazë – praktikoje Islamin.
E nëse të gjithë ne, ose të paktën një përqindje e mirë e jona, do t’i ndërmerrte këto hapa- duke vështruar nga brenda, kur është fjala për ne dhe jashtë, kur është fjala për ata për të cilët jemi përgjegjës- cila do të ishte përgjigja e Allahut të Lartësuar? Ashtu siç thotë hadithi: “Nëse vini me hap, Unë vij me vrap”. Këtë gjë, e kemi përjetuar thuajse të gjithë individualisht, por ç’do të ndodhte, sikur të ishim unanim si umet në këtë pikë? Imagjinojeni vetë, në një umet me mbi një miliard pasues ! Lërini mënjanë detajet dhe do ta shihni se ç`mrekulli kanë për të ndodhur në veten tonë, në bashkësinë tonë dhe në mbarë botën.
Shkak i gjithë këtyre gjërave të tmerrshme, joislame dhe jonjerëzore që po ndodhin sot në botë, janë zemrat e sëmura. Pa i hyrë analizave se kush e ka fajin, sëmundjet mbeten po ato. Zemrat janë të sëmura e sëmundja kërkon shtrat, fole. Kësisoj, shumë zemra janë infektuar nga të njëjtat sëmundje dhe janë bashkuar kokë më kokë për të thithur sa më shumë të tjera në mesin e tyre. E vetmja zgjidhje, i vetmi ilaç është- praktikoje Islamin. Thjesht të qenit musliman, ngjan shumë e thatë.
“Dhe i suksesshëm do të jetë vetëm ai, që do t’i paraqitet Allahut me një zemër të pastër”. 26:89

Së pari jemi përgjegjës para Allahut dhe para vetes e së dyti para botës. Së këndejmi, nuk mund t’i japim botës një dorë për të sistemuar rrëmujën, kur ende nuk kemi sistemuar shtëpinë tonë. Këto fjalë ia drejtoj çdo muslimani e muslimanje. Duhet të fillojmë ta zbresim Islamin në tokë, duke e jetuar dhe praktikuar atë. Kjo është e vetmja shpresë për ne e rrjedhimisht për gjithë krijimin.

Nga Abdul-Lateef Abdullah