ASK dhe IAP nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit

62

ASK dhe IAP nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për vendosjen e bashkëpunimit institucional në fushën e statistikave zyrtare në funksion të përmbushjes së Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030
Prishtinë, 17 janar 2020 – Me synim zhvillimin dhe shfrytëzimin e të dhënave statistikore, për t’i vlerësuar dhe për t’i zbatuar politikat dhe programet që ndikojnë në respektimin, në mbrojtjen dhe në avancimin e të drejtave të njeriut, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) nënshkruan sot një Memorandum dypalësh të Mirëkuptimit.

Të dy autoritetet respektive (IAP dhe ASK), kanë marrë në konsideratë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të miratuara nëpërmjet një Rezolute të veçantë në janar 2018 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, e bazuar në Agjendën 2030 dhe Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e shtatorit 2015. Po ashtu, IAP dhe ASK kanë pasur parasysh standardet dhe instrumentet ndërkombëtare të përfshira në Nenin 22 të Kushtetutës së vendit dhe rëndësinë e të dhënave statistikore, përfshirë treguesit specifikë, në matjen e realizimit të të drejtave të njeriut dhe të zbatimit të rekomandimeve të mekanizmave ndërkombëtarë dhe vendor për të drejtat e njeriut.

Zbatimi i Agjendës 2030 kërkon përkushtim për bashkëpunim dhe mirëkuptim, me qëllim identifikimin dhe prodhimin e treguesve përkatës, përfshirë treguesit kontekstualë relevantë, të cilët bazohen në udhëzimet mbi treguesit e të drejtave të njeriut dhe në Qasjen ndaj të Dhënave të Bazuar në të Drejtat e Njeriut (HRBAD), të përpiluar nga Zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

Treguesit (indikatorët) janë mjet thelbësor për vlerësimin e progresit në të drejta të njeriut dhe në zbatimin e Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030. Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet IAP-së dhe ASK-së e shtron rrugën për grumbullimin e të dhënave statistikore dhe zbërthimin (disagregimin) e tyre, si një mënyrë për të adresuar sfidat me të cilat ballafaqohen grupet e synuara dhe të lëna anash.

Gjithashtu, dy institucionet nënshkruese përgjatë bashkëpunimit do të analizojnë dhe shkëmbejnë të dhëna relevante për treguesit e identifikuar, përshtatshmërisht të disagreguara mbi bazat e mbrojtura nga diskriminimi, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës dhe sipas së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Po ashtu, IAP dhe ASK do të ofrojnë këshilla dhe ndihmë në mënyrë të ndërsjellë, në fushën e mandatit dhe ekspertizës që kanë, si autoritete të veçanta.

Duhet theksuar se IAP dhe ASK janë mbështetur nga Zyra për të Drejta të Njeriut e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, respektivisht Zyra e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut (OHCHR) në Gjenevë, nëpërmjet një punëtorie me temën “Operacionalizimi i qasjes bazuar në të drejta të njeriut ndaj të dhënave dhe indikatorëve në Kosovë”, si rezultat i së cilës është përpiluar formati fillestar i Memorandumit të Mirëkuptimit, i finalizuar përfundimisht sot, me nënshkrimin dypalësh./ASK