Sqarimi i pyetjeve, dilemave dhe dispozitave se kujt i takon zekati e kujt jo?

432

Kam dilema se kujt t’ia jep zekatin, shumë ma kërkojnë, unë kam shumë mendime.
Sqarimi i pyetjeve, dilemave dhe dispozitave se kujt i takon zekati?

A lejohet të jepet për nxënësin e dijes ?

Dijetarët e fikhut janë të një mendimi se është e lejuar që zekati t’i jepet nxënësit të dijes. Këtë e gjejmë të qartë te hanefitë, shafitë dhe hanbelitë, por edhe medhhebi maliki aludon në këtë. Dijetarët e fikhut e kanë lejuar këtë vetëm për nxënësin e shkencave fetare. Po ashtu, shumica e dijetarëve kushtëzojnë që nxënësi të jetë i varfër.

A lejohet të jepet për shërim?

Nëse i sëmuri është i varfër dhe nuk ka mundësi që të shërohet me të ardhurat e tij, atëherë, sipas një grupi dijetarësh bashkëkohorë, lejohet që të shërohet me paratë e zekatit, mirëpo kjo gjë është e lejuar nëse përmbushen tri kushte:
1. Pamundësia që shërimi të bëhet falas,
2. Shërimi të jetë në gjërat e domosdoshme, e jo në ndërhyrje estetike a të ngjashme,
3. Shpenzimet të jenë vetëm sa për t’i mjaftuar të semurit, pa shpenzime shtesë.

A lejohet të jepet për shtëpi apo banesë ?

Kjo çështje kthehet tek ajo se, sa duhet të jetë sasia që i jepet të varfrit? Dijetarët kanë dhënë tre mendime:
1. Dijetarët hanbeli dhe maliki thonë: I jepet aq sa i mjafton për një vit, për shpenzimet e domosdoshme, siç janë: ushqimi, pija, qiraja e shtëpisë, mjetet e kuzhinës etj.
2. Dijetarët shafi thonë: I jepet aq sa i duhet për tërë jetën.
3. Dijetarët hanefi thonë: Nëse është një person, atëherë i jepet vetëm aq sa ta arrijë nisabin, e, nëse janë disa anëtarë të një familjeje, atëherë secilit prej tyre i jepet aq sa ta arrijë nisabin, e jo përtej vlerës së nisabit.
Një pjesë e dijetarëve bashkëkohorë e kanë zgjedhur mendimin e parë si më të saktin, sepse zekati obligohet për çdo vit, andaj të varfrit i jepet aq sa i mjafton për një vit. Po ashtu i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ua siguronte familjes së tij ushqimin për një vit.(Buhariu, 5357 dhe Muslimi, 1757). Në anën tjetër, nëse disa të varfërve u blihet shtëpi apo banesë, ndodh që një pjesë e madhe e të varfërve të privohen prej marrjes së ndihmave të zekatit, pasi që zekati është përqendruar vetëm në disa persona, ngase çmimi i shtëpive apo banesave është tejet i lartë.
Në bazë të këtij mendimi, themi se nuk është e lejuar që të blihet shtëpi apo banesë me para të zekatit, porse të varfrit duhet t’i jepen paratë që ta paguajë qiranë për një vit.
Nëse një person ka blerë shtëpi apo banesë, mirëpo ka marrë borxhe për këtë, atëherë lejohet t’i jepet atij prej zekatit, ngase është borxhli.

A lejohet të jepet për martesë ?

Nëse i varfri nuk ka mundësi të martohet, atëherë është e lejuar që për martesë t’i jepet prej zekatit, por pa e tepruar në shpenzime, thjesht duke ia siguruar nevojat elementare
që i duhen për martesë.

A lejohet të jepet për jetimët ?

Jetimet nuk përfshihen në kategoritë që i ka përmendur Allahu i Madhëruar se lejohet t’u jepet zekati, mirëpo shikohet se a hyjnë në ndonjërën prej tetë kategorive apo jo, për shembull: a janë të varfër, a janë nevojtarë, a janë borxhlinj etj. Nëse po, atëherë u jepet prej zekatit. Mirëpo, jo për shkak të kriterit që janë jetimë, por që janë të varfër… etj.

A lejohet t’u jepet familjarëve ?

1. Zekati nuk lejohet t’u jepet prindërve e as gjyshërve. Si dhe nuk lejohet t’u jepet fëmijëve e as nipave.
2. Ndërkaq, atyre që nuk kanë lidhje trashëgimore me atë që e jep zekatin, është e lejuar t’u jepet zekati, siç janë: daja, halla, tezja etj.
3. Dijetarët hanefi e konsiderojnë të lejuar që ti jepet vëllait ose motrës.
4. Një pjesë tjetër e dijetarëve thonë: Nëse e ka obligim që të shpenzojë për të, nuk i lejohet që t’ia japë zekatin, e, nëse nuk e ka obligim, atëherë i lejohet që t’ia japë zekatin.
5. Sipas konsensusit të dijetarëve, burri nuk bën që t’i japë zekatin gruas së tij, sepse ai e ka obligim që të shpenzojë për të dhe ta mbajë atë.
6. Gruas i lejohet që zekatin t’ia japë burrit të vet, ngase Zejnebja, gruaja e Abdullah ibn Mesudit, dhe një grua tjetër e kishin porositur Bilalin që ta pyeste të Dërguarin lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të,”A pranohet që zekati të jepet për burrin dhe për disa jetimë që ishin nën përkujdesjen e saj ?
Ai i ishte përgjigjur: “Po, ajo ka dy (herë) shpërblime: shpërblimin e afërsisë dhe atë të zekatit.” (Buhariu,1466 dhe Muslimi, 1000).
Kësisoj mendojnë dy nxënësit e Ebu Hanifes. Ndërkaq, Ebu Hanife mbron mendimin se nuk lejohet që gruaja t’ia japë zekatin burrit të saj, ngase ajo pasuri prapëseprapë i kthehet asaj.

A lejohet të jepet para kohe, gjegjësisht para se të kalojë një vit hënor?

Shumica e dijetarëve hanefi, shafi dhe hanbeli janë të mendimit se është e lejuar që zekati të nxirret para kohe. Argument për këtë kanë hadithin e Abasit, i cili i kërkoi leje të Dërguarit lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, që ta shpejtojë (ta japë) zekatin para se të, obligohet, gjë të cilën ai ia lejoi.(Ebu Davudi,1624, Tirmidhiu,678, Ibn Maxhe,1795)

A lejohet të vonohet dhënia e zekatit ?

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se zekati duhet tëjepet menjëherë pasi të bëhet obligim (sapo të kalojë një vit henor) dhe se nuk lejohet të vonohet nxjerrja e tij, nëse ka mundësi për ta dhënë dhe nëse nuk frikësohet se do të demtohet me dhënien e tij. Kjo, se urdhri për ta dhënë zekatin nënkupton kryerjen e menjehershme të tij, e jo që të vonohet. Në anën tjetër, zekati është hak i të varfërve, e, nëse ua vonojmë, vetem se i kemi privuar prej hakut të tyre.
Disa dijetarë e kanë lejuar shtyrjen e dhënies së zekatit nëse ka arsye të shëndoshë, për shembull: nëse një person duhet ta japë zekatin më datë 1 Ramazan, mirëpo paratë i ka të shpërndara te huamarrësit e tij, atëherë personit në fjalë i lejohet të presë ca ditë, derisa ta mbledhë shumën që e ka për obligim për ta dhënë.

Në cilin muaj është më së miri të jepet zekati ?

Fetarisht nuk është caktuar cili muaj është më i vlefshmi për ta dhënë zekatin, ngase zekati duhet dhënë posa të kalojë një vit pas arritjes së nisabit.
Në shumë vende praktikohet që të jepet në Ramazan, për shkak se është muaj i bekuar dhe se i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në këtë muaj ka qenë më bujar. Kjo gjë nuk ka të keqe, mirëpo, sikur të jepej edhe muajve të tjerë, do të ishte më e përshtatshme për të varfrit, ngase ata kryesisht marrin në Ramazan, porse jashtë tij mbesin keq.

A lejohet të nxirret jashtë vendit ?

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se, nëse zekatin e dergon jashtë vendbanimit në gjatësi ku lejohet shkurtimi i namazit, atëherë pranohet.
Dijetarët hanefi thonë se është mekruh (e urryer), sepse kemi të bëjmë me hakun e fqinjit, porse është e pranuar, ngase, megjithatë, u jepet të varfërve. Mirëpo, nëse nxirret jashtë vendit te të afërmit e tij ose te dikush që është më nevojtar sesa vendasit e tij, atëherë nuk është mekruh.
Ndërkaq, dijetarët hanbeli e ndalojnë një gjë të tillë.

A i lejohet huadhënësit që t’ia fshijë borxhin borxhliut të tij, në mënyrë që atë ta llogarisë zekat?

Pjesa derrmuese e dijetarëve e konsiderojnë të ndaluar që huadhënësi, në vend se ta nxjerrë zekatin, t’ia fshijë borxhin borxhliut të tij me qëllim që këtë ta llogarisë dhënie të zekatit. Kjo, se zekati është hak i Allahut, andaj nuk bën që ta japë, e ky të përfitojë prej tij apo që t’i lahet borxhi.
Po ashtu, zekati duhet të jepet, e ai që e meriton, duhet ta marrë atë, e nuk lejohet vetëm të anulohet borxhi, pa dhënie dhe pa marrje.

A e pengon borxhi zekatin ?

Në këtë rast kemi të bëjmë me dy palë: huadhënësin dhe huamarrësin, ku për secilën ka dispozitë në vete:
1. Huadhënësi: Sa i përket huadhënësit, se a duhet ta japë zekatin apo jo, kemi dy mendime të dijetarëve:
Mendimi i parë: Nuk e ka obligim ta japë zekatin për pasurinë që e ka dhënë për borxh, sepse është gjë që nuk zhvillohet.
Mendimi i dytë: Bëjnë dallimin mes borxhit që shpreson se do t’i kthehet dhe borxhit për të cilin nuk shpreson se do t’i kthehet.
a. Për borxhin që shpreson se do t’i kthehet, të cilin ia ka dhënë atij që ka mundësi t’ia kthejë dhe është besnik në kthimin e borxheve, obligohet ta japë zekatin.
Disa kanë thënë: Zekati jepet pasi t’i kthehet borxhi. Këtë mendim e ndajnë dijetarët hanefi dhe hanbeli,
Disa të tjerë kanë thënë: E jep kur ti vijë koha e zekatit. edhe nëse huamarrësi nuk ia ka kthyer borxhin, ngase afati i borxhit ende nuk është përmbushur. Këtë mendim e kanë Shafiu dhe Ebu Ubejdi.
Për shembull: një person posedon pasuri prej 7000 eurosh, kurse një shumë prej 2000 eurosh ia ka dhënë borxh një shoku, i cili ka mundësi t’ia kthejë dhe është besnik në kthimin e borxhit. Atëherë themi se pronari i kësaj pasurie, pasi të kalojë një vit hënor, duhet ta japë zekatin për gjithsej 9000 euro, sepse këtë shumë prej
2000 eurosh e ka të sigurt. Pra, 9000: 40= 225 euro.
b. Për borxhin që nuk shpreson se do t’i kthehet, të cilin ia ka dhënë atij që nuk ka mundësi t’ia kthejë ose mohon se i ka marrë borxh, ose e vonon atë pa arsye, nuk obligohet ta japë zekatin, sepse ajo pasuri llogaritet sikurse të jetë e humbur dhe se nuk është nën pronësinë e pronarit (huadhënësit). Këtë mendim e kanë Shafiu dhe dijetarët hanefi.
Disa kanë thënë: Kurdo që t’i kthehet ai borxh, duhet ta japë zekatin për të gjitha vitet e kaluara. I këtij mendimi është Shafiu dhe Ahmedi.
Ndërkaq, Maliku është i mendimit se duhet ta japë vetëm për një vit.
2. Huamarrësi: Sa i përket huamarrësit, dijetaret kanë bërë dallimin mes:
a. Atij që merr borxh për nevoja të domosdoshme personale.
Ne këtë rast, shumica e dijetarëve nuk e obligojnë dhënien e zekatit, sepse, ai që posedon, ta zëmë, 1000 euro, por të gjitha i ka borxh, nuk llogaritet i pasur.
Argument i këtij mendimi është fjala e Othmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili ka thënë: “Ky është muaji i zekatit tuaj. Ai që ka borxh, fillimisht le ta paguajë atë, pastaj le ta japë zekatin e asaj që ka i mbetur.”
Pra, i jep përparësi larjes së borxheve që ka, më pas, nëse i mbesin para që arrijnë vlerën e nisabit, e jep zekatin e tyre. Për shembull: nëse një person posedon një shumë prej 2000 eurosh, porse është detyruar të marrë edhe një borxh prej 2500 eurosh për nevoja shtëpiake, në këtë rast themi se ky person nuk duhet të japë zekat për këto 2000 euro të tij, sepse, çështë e vërteta, personi në fjalë është në minus, për shkak të borxhit që ka.
b. Atij që merr borxh për tregti ose për zhvillim të
prodhimtarisë. Në këtë rast duhet të japë zekatin e pasurisë, sepse këto borxhe nuk janë të domosdoshme për nevojat elementare të njeriut. Për shembull, nëse një person merr borxh në vlerë prej 50000 eurosh, ndërkohë posedon biznesin në vlerë prej 40000 eurosh, atëherë ky person e ka për obligim ta nxjerrë zekatin e këtyre parave të tij, pra të 40000 eurove, kurse borxhi i marrë nuk e pengon obligimin që e ka në zekat.
Për ata që kanë mallra në shitje, a është e lejuar që malli të jepet zekat, e jo paratë ?
Shumica e dijetarëve maliki e hanbeli dhe, sipas një transmetimi, imam Shafiu, nuk e konsiderojnë të lejuar që zekati i mallrave tregtare të nxirret prej mallrave, por thonë se duhet të jepet (shumë parash) në vlerëtë tyre.
Dijetarët hanefi dhe, sipas një transmetimi tjetër, Shafiu e konsiderojnë të lejuar që për zekat të jepen qoftë mallrat, qoftë vlera e tyre.
Mendimin e dytë e përkrahin Ibn Tejmije dhe disa dijetarë bashkëkohorë, si: Ibn Bazi, Muhamed Munexhidi etj.
Mbase ky mendim është më i përshtatshëm në rastin kur bizneset kanë mallra që mund t’i japin për zekat, porse nuk kanë para në vlerën që duhet ta nxjerrin.

A është e lejuar që me paratë e zekatit të blihen gjëra ushqimore apo diç tjetër, e ti jepen të varfrit, sepse kjo është më e dobishme për të ?

Shumica e dijetarëve maliki, shafi dhe hanbeli nuk e konsiderojnë të lejuar që zekati të jepet jashtë llojit të vet. Pra, nëse është në para, duhet dhënë para, e, nëse është në kafshë, duhet dhënë kafshë etj.
Dijetarët hanefi, imam Buhariu etj., e konsiderojnë të lejuar që, për llojin e pasurisë që duhet dhënë zekat, të jepet prej një lloji tjetër. Argument për këtë e kanë fjalën e Muadh ibn Xhebelit, i cili u kishte thënë banorëve të Jemenit: “Për zekat, në vend të elbit dhe misrit, më sillni mallra prej rrobave hamis (rrobë e shkurtër me vija) dhe prej atyre që vishen. Kjo është më e lehtë për ju dhe më e mirë për shokët e të Dërguarit lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në Medinë.”
Ibn Teimije e lejon këtë vetëm në rast nevoje, kurse në rrethana të zakonshme nuk e lejon. Këtë mendime zgiedh dijetari Ahmed Halil.

A duhet t’i bëhet me dije të varfrit se kjo pasuri është zekat ?

Personi që dëshiron t’ia japë zekatin një të varfri, nuk ka nevojë që t’i tregojë se është zekat. Madje, me gjasë, një gjë e tillë e lëndon atë, andaj ia jap pa i treguar se është zekat.

Çka nëse zekati i jepet personit të gabuar ?

Në këtë çështje kemi mendime të ndryshme se a i pranohet apo jo, mirëpo ajo që është më e zgjedhur është mendimi i imam Ebu Hanifes dhe nxënësit të tij, Muhamed ibn Hasenit, sipas të cilëve, nëse personi që ka për ta dhënë zekatin, ia jap një personi për të cilin mendon se është i varfër, mirëpo, pasi ia ka dhënë, e kupton se ai paska qenë i pasur, atëherë nuk ka nevojë që prapë ta japë zekatin, sepse ai është munduar dhe është përpjekur ta gjejë të varfrin.
Argument për këtë kemi hadithin e Man ibn Jezidit (Allahu qoftë i kënaqur me ta), i cili rëfen: “… Babai im, Jezidi, nxori disa dinarë për t’i dhënë lëmoshë dhe i la te një person në xhami. Unë shkova dhe i mora ato (prej atij personi), pastaj shkova tek ai (babai i vet, Jezidi), i cili më tha: “Betohem në Allahun se ty nuk të kisha për qëllim.” Atëher unë iu ankova të Derguarit të Allahut lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i cili në atë rast më tha: “Ti ke atë që ke pasur për qëllim, o Jezid (d.m.th. shpërblimin), kurse ti ke atë që ke marrë, o Man (d.m.th. paratë).(Buhariu, 1422).

 

Përmbledhje e dispozitave të zekatit nga Flamur Kabashi