Zekati i drithërave dhe i frutave apo kokrrave

79

Zekati i drithërave dhe i frutave apo kokrrave

Se në këtë lloj obligohet të jepet zekati, kemi argumente nga Kurani, Suneti dhe konsensusi i dijetarëve (ixhmai).
Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, jepni prej të mirave që keni fituar dhe prej atyre që Ne jua nxorëm juve prej tokës.”(el Bekare, 267)
Prei Sunetit kemi hadithet e Ebu Seid Hudriut dhe Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta), të cilat do t’i përmendim në vijim.
Kushtet e këtij lloji:
1. Arritja e nisabit.
Ebu Seid el Hudriu transmeton se i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk ka zekat në më pak se pesë evsukë të hurmave e as të të kokrrave. ” (Buhariu, 1459 dhe Muslimi, 979)
Evsuk është njësi matëse e barabartë me 60 saë.
Ndërkaq, 1 saë është e barabartë me 2.040 gramë, kështu që kemi: 5 x 60x 2.040 = 612 kg. Domethënë, nisabi i drithërave apo kokrrave është 612 kilogramë.

2. Të jetë nën pronësinë e tij gjatë kohës kur i është bërë obligim. Nëse një person ka blerë 1000 kg miell, atëherë ai nuk e jep zekatin, sepse zekatin a këtij gruri duhet ta japë vetëm pronari që e ka mbjellë dhe e ka korrur grurin.
Llojet për të cilat duhet dhënë zekat janë: gruri, elbi, hurma, rrushi i terur’, orizi, misri etj. Pra, janë drithëra dhe fruta apo kokrra që ruhen gjatë.
Ndërkaq, për pemët dhe perimet vijuese: mollët, dardhat qershitë, shalqiri, pastaj patatet, domatet, trangujt, specat e të ngjashme, nuk jepet zekat, ngase ato nuk ruhen gjatë.
Sqarimin e mësipërm e përkrahin shumica e dijetarëve, siç janë: Ebu Jusufi dhe Muhamedi, nga radhët e hanefive, pastaj malikitë, shafitë, hanbelitë, e që këtë mendim e përzgjedh Ibn Kudame dhe shumë dijetarë bashkëkohorë, edhe pse kanë disa dallime të vogla mes
vete në përkufizimin e këtyre llojeve.

Sasia e nxjerrjes së zekatit

Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të
transmeton se i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Për atë që e ka ujitur qielli dhe burimet apo që e thith vetvetiu (prej nëntokës), duhet (dhënë) një e dhjeta, e, nëse është ujitur me spërkatje, atëherë (duhet dhënë) gjysma e një të dhjetës.”(Buhariu, 1483)
Prej këtij hadithi kuptojmë se, për gjërat që ujiten prej qiellit (shiut), lumit, burimit etj., duhet dhënë 10% zekat, sepse personi që i ka mbjellë këto gjëra, nuk është lodhur dhe nuk ka shpenzuar pasuri për t’i ujitur ato.
Ndërkaq, nëse ky person është lodhur për t’i ujitur, ka shpenzuar në blerjen e mjeteve për ujitje dhe i ujit ato me këto mjete, atëherë ky duhet të japë vetëm 5% prej asaj që ka nxjerrë toka (prej drithërave apo kokrrave).
Për shembull: nëse një person ka një arë të mbjellë me grurë, prej së cilës ka korrur 2000 kg grurë, atëherë themi:
1. Nëse është ujitur prej shiut, duhet të llogarisë 10% e 2000 kg, që i bie se zekat duhet të japë 200 kg.
2. Nëse e ka ujitur me vegla dhe ka bërë harxhime për ujitje, duhet të llogarisë 5% e 2000kg, që i bie se zekat duhet të japë 100 kg.
3. Ekziston mundësia që kjo arë të ujitet edhe me shi, edhe me vegla, atëherë ky duhet ta japë 7.5%, që i bie se zekat duhet dhënë 150 kg grurë.
Shembulli dytë: nëse një person posedon një arë të mbjellë me grurë, ujitja e së cilës është bërë me mjete dhe se prej saj ka korrur 3000 kg grurë, mirëpo grurin në fjalë e ka mbjellë me qëllim që ta shesë, në këtë rast themi se ky person duhet
të japë njërin prej dy llojeve të zekatit:
1. Ose zekatin e grurit,
2. Ose zekatin e mallit tregtar.
Një pjesë e dijetarëve kanë zgjedhur mendimin se duhet dhënë vetëm zekatin e grurit, pra, llogaritet vetëm 5% i 3000 kg grurë, që i bie se duhet dhënë 150 kg grurë.
Në rastin tonë, të gjithë dijetarët janë të mendimit se zekati nuk nxirret dy herë (zekati i grurit dhe mallit tregtar), por vetëm njëri lloj.
Mendim më i zgjedhur është se duhet të jepet vetëm zekati i grurit, sepse, për nga argumenti, zekati i grurit është më i fuqishëm sesa i mallit tregtar dhe se në esencë njerëzit i mbjellin drithërat për tregti, mirëpo sheriati ka obliguar
zekatin vetëm në drithëra.

 

Përmbledhje e dispozitave të zekatit nga Flamur Kabashi