Zekati i bagëtive

61

Zekati i bagëtive

Duhet theksuar se te bagëtitë, duhet shtuar dy kushte të tjera:
1. Duhet të jenë për qumësht ose për shtim, ndërsa për lopët që mbahen për punë, nuk jepet zekat (kjo vlen për kohët e mëhershme, kur lopët i mbanin për të lëvruar tokën).
2. Që kafsha të kullosë tërë vitin ose shumicën e vitit nëpër kullosa. Nëse kafshët gjatë gjithë vitit ose të shumtën e vitit ushqehen me ushqim të blerë, atëherë për to nuk obligohemi të japim zekat.
Bagëtitë për të cilat është obligim të nxirret zekati janë:
Devetë; Meqë nuk gjenden në trevat tona, nuk do të flas për dispozitat e dhënies së zekatit për to.
Lopët: Argument për obligimin e dhënies së zekatit për lopët është Suneti dhe konsensusi i dijetarëve (ixhmai).

Po ashtu dijetarët e obligojnë dhënien e zekatit edhe në buallica.

Prej Sunetit kemi hadithin e Ebu Dherrit (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili tregon se i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të ka thënë: “Nuk ndodh që një pronar të ketë deve ose lopë ose dele, e të mos e japë zekatin e tyre, përveçse ato Ditën e Gjykimit do të sillen shumë të mëdha e të shëndosha, do ta shkelin me thundra dhe do ta godasin me brirët e tyre.”(Buhariu, 1460 dhe Muslimi, 990)
Kështu, nëse numri i lopëve arrin në 30, atëherë jepet një lopë njëvjeçare, e, nëse numri i lopëve arrin në 40, atëherë jepet një lopë dyvjeçare.
Argument kemi hadithin e Muadh ibn Xhebelit (Allahu qoftë i kënaqur me të), të cilin i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të e dërgoi në Jemen dhe e urdhëroi të marrë prej çdo tridhjetë lopësh një lope njëvjeçare, qoftë femër apo mashkull, e, prej çdo dyzet lopësh, një lopë dyvjeçare…(ebu Dawudi, 1576 ,Tirmidhiu, 623, Nesaiu, 2449,ibn Maxhe, 1803 dhe Ahmedi, 36/338). Pastaj për çdo 30 lopë shtohet nga një lopë njëvjeçare, ndërsa për çdo 40 lopë shtohet një lopë dyvjeçare.
Për shembull, nëse një person i ka 70 lopë, ai duhet të japë një lopë njëvjeçare (për 30 lopë) dhe një lopë dyvjeçare (për 40 lopë).
Shembulli i dytë: nëse një person posedon një fermë me 50 lopë, të cilat i ushqen me ushqim të blerë, porse i mban për t’i shitur, vlera e përgjithshme e të cilave është 40000 euro, në këtë rast themi:
1. Kushti i dytë, që është të ushqyerit në kullosa të shumtën e vitit, nuk është plotësuar, andaj nuk jepet zekati i kafshëve.
2. Ngaqë këto lopë i ka për shitje, atëherë llogariten si mallra tregtare. Pra, pasi të kalojë një vit hënor, llogarit sa është çmimi i përgjithshëm i lopëve, bie fjala, 35000 euro, plus paratë e fituara që nuk i ka harxhuar, ta zëmë, 3000 euro, dhe pjesëtohet me 40, për të na e dhënë 2.5%, që duhet ta nxjerrë për zekat.
Pra, (35000+3000) : 40= 950 euro.

Shembulli i tretë: një person posedon një fermë me 60 lopë, të cilat i ushqen brenda fermës dhe i mban për shitjen e qumështit dhe produkteve të tij, në këtë rast themi:
1. Nuk është arritur kushti i të ushqyerit të shumtën e vitit në kullosa, andaj nuk jepet zekati i lopëve.
2. Shikohet fitimi i qumështit a e ka arritur nisabin, që në rastin tonë sigurisht që arrihet shumë shpejt dhe, pasi të kalojë një vit, jepet 2.5% i pasurisë së fituar.
Ta zëmë, paratë e fituara prej qumështit, të cilat nuk i ka harxhuar, janë 1900 euro, plus paratë e tjera që i posedon në vlerë prej 600 eurosh.
Pra, (1900+ 600): 40= 62.5 euro.
3. Duhet pasur kujdes se në këtë shembull tonin nuk llogaritet çmimi i lopëve, sepse ato nuk janë në shitje, përkatësisht nuk janë mall tregtar.

Delet dhe dhitë
Argument për obligimin e dhënies së zekatit në dele është Suneti dhe konsensusi i dijetarëve (ixhmai).
Një prej argumenteve kemi hadithin e gjatë të cilin etransmeton Enesi se Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me ta) i kishte shkruar atij një shkrim, përmes të cilit i tregonte sesi i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, llogariste dhënien e zekatit në deve dhe në dele.(Buhariu, 1454)
Prej hadithit në fjalë nxjerrim këtë përfundim:
Prej 40-120 delesh jepet një dele (d.m.th. në më pak se 40 dele nuk nxirret zekati).
Prej 121-200 sosh jepen dy dele.
Prej 201 sosh e më tepër jepen tre dele.
Kjo vlen deri kur numri i tyre shkon në 400, pastaj, nëse numri i deleve arrin në 401, jepen 4 dele, e kështu vazhdon (pas numrit 401), për çdo njëqind dele shtohet një dele.
Sipas disa dijetarëve, mosha e deles që duhet të jepet për zekat duhet të jetë mbi gjashtë muaj e, sipas disa të tjerëve, shtatë apo tetë muaj.
Ndërkaq, nëse është dhi, duhet të jetë njëvjeçare.
Për shembull: një person posedon një kope me 170 dele, të cilat të shumtën e vitit i ushqen nëpër kullosa. Atëherë pasi ky person i plotëson kushtet e zekatit të deleve, duhet t’i japë dy dele.

Shembulli i dytë: një person posedon një fermë me 170 dele, të cilat i ushqen brenda fermës dhe se ato i mban për t’i shitur. Atëherë themi:
1. Ky person nuk duhet ta japë zekatin e deleve, ngase nuk e përmbush njërin prej kushteve të zekatit të bagëtive.
2. Kjo fermë tani llogaritet si mall tregtar, andaj duhet ta japë zekatin e mallit tregtar. Kështu, duhet të llogarisë çmimin e 170 deleve, ta zëmë, 20400 euro, plus paratë e fituara që nuk i ka harxhuar më parë, ta zëmë, 1100 euro. Pra, (20400 + 1100) : 40= 537.5 euro.

Përzierja e bagëtive
Në hadithin e njohur të rregullave të zekatit ka ardhur: “Nuk lejohet të bashkohet e ndara (kopeja) e as të ndahet e bashkuara, nga frika e zekatit.”(Buhariu, 1450)
Së këndejmi, themi: Nëse tre persona kanë nga 40 dele, atëherë nuk bën që të tillët t’i bashkojnë delet e tyre, ashtu që të mos japin tre dele për zekat (në çdo 40 nga një) me qëllim që të japin vetëm një dele (sepse deri në 120 dele jepet vetëm një).
Po ashtu, nëse dy persona kanë një kope të përbashkët me dyzet dele, është e ndaluar që, kur të vijë koha e zekatit (e në atë rast duhet të japin një dele), ata të bëjnë ndarjen e deleve në dy grupe nga njëzet dele, në mënyrë që t’i ikin
zekatit.

Përmbledhje e dispozitave të zekatit nga Flamur Kabashi