Zekati i mallrave tregtare

121

Zekati i mallrave tregtare

Këtu kemi të bëjmë me çdo lloj malli që është në shitje, pa marrëë parasysh çfarë lloji është, bie fjala, këpucë, rroba, pemë, automjete, banesa etj. Në të gjitha këto lloje duhet të jepet zekati, ngase janë mallra të cilat shiten.
Argument për këtë kemi ajetin: “o ju që besuat, jepni prej të mirave që keni fituar dhe prej atyre që Ne jua nxorëm juve prej tokës.”(el Bekare, 267). Këtu hyjnë mallrat tregtare, prej të cilave njerëzit fitojnë.
Si dhe ajetin: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat…) (et Tewbe, 103), edhe këtu hyjnë mallrat tregtare.
Se për këtë lloj pasurie duhet dhënë zekat është transmetuar edhe prej sahabëve, njëherazi ky është mendimi i katër dijetarëve të mëdhenj të medhhebeve, si dhe i shtatë fukahave të njohur, saqë Ibn Mundhiri ka potencuar ixhmain, përkatësisht konsensusin e dijetarëve se në mallrat tregtare ka zekat.
Sasia e nxjerrjes është 2.5%, siç është te monedhat.

Kushtet e këtij lloji:
1.Nijeti apo qëllimi se këtë mall apo pasuri e ka për tregti e jo për shfrytëzim personal. Ta zëmë, nëse një person posedon pesë automjete në vlerë prej 15000 eurosh, të cilat i mban për t’i shitur, atëherë në këtë lloj duhet të nxirret zekati. Ndërkaq, nëse këto pesë automjete i mban për vete, pa pasur për qëllim shitjen e tyre, nuk duhet të japë zekat për to.
2.Arritja e nisabit, sikurse te paratë.
3.Qëndrimi i pasurisë një vit hënor (355 ditë).
Shembull: në rastin e lartpërmendur, nëse personi në fjalë posedon 5 automjete, vlera e të cilave është 1500 euro dhe këto automjete i ka për shitje, atëherë themi:
a) Kushti i parë, që është qëllimi për tregti, është plotësuar.
b) Kjo pasuri ka arritur nisabin, sepse kap vlerën 15000 euro.
c) Prej ditës kur i ka nxjerrë për tregti duhet të presë një vit hënor, e më pas ta llogarisë vlerën e tyre sa është në fund të vitit (e jo sa ka kanë pasur vlerë kur i ka blerë) dhe ta japë 2.5% e saj. Nëse në fund të vitit, kur duhet ta nxjerrë zekatin, vlera e automjeteve që i ka në shitje është 16000 euro, atëherë 2.5% i saj është: 16000 : 40 = 400. Pra, vlera e cila duhet dhënë për zekat është 400 euro.
Llogaritja e mallit bëhet duke vlerësuar mallin tregtar që posedon, pasi të kalojë një vit hënor, me vlerën apo çmimin që ka në kohën kur bëhet obligim të jepet, pavarësisht vlerës apo çmimit që është blerë para një viti. Me fjalë të tjera, sipas çmimit që shitet, e jo sipas çmimit që e ka blerë.
Shembull tjetër: një person ka një hapur dyqan ushqimor në vlerë prej 12000 eurosh, përfshirë qiranë, raftet, frigoriferët dhe mallin që do të shitet.
Pas një viti hënor llogarisim:
1.Vetëm vlerën e mallit që shitet, bie fjala, 10000 euro.
2.Plus paratë që i ka kursyer, të cilat nuk i ka shpenzuar, bie fjala, 1500 euro.
3.Paratë që i ka shpenzuar për nevoja familjare nuk llogariten fare.
4.As gjërat që nuk shiten nuk llogariten fare, siç jane: raftet, frigoriferët etj.
Pra, kemi (10000 + 1500) : 40 = 287.5 euro, të cilat duhet të jepen për zekat.

Përmbledhje e dispozitave të zekatit nga Flamur Kabashi