Lënia e pengut-hipoteka dhe vonimi i pagesës së kësteve

255

Lënia e pengut-hipoteka dhe vonimi i pagesës së kësteve

Së pari: Lënia e pengut-hipoteka
Pagesa e shumës së artikullit është e vonuar dhe më këste giatë tregtisë murabaha, prandaj që ecuria e pagesës së kësteve të jetë e rregullt, bankat islame praktikojnë lënien peng (në jurisprudencën islame pengu është plaçka që lihet e lidhur me borxhin, në mënyrë që huadhënësi të marrë prej saj atë që i takon, nëse borxhliu nuk e shlyen borxhin.) të ndonjë pasurie të klientit si garanci, në rast të shmangies nga pagesa. Kjo praktikë, që në terminologjinë e ekonomisë njihet me termin hipotekim, aplikohet edhe nga bankat konvencionale në rastin e dhënies së kredive me kamatë ose gjatë transaksioneve të ndryshme kur klienti i tyre u mbetet borxh.

Hipoteka në operacionet bankare luan një rol thelbësor që i siguron bankës fitime të planifikuara qind për qind, pa asnjë humbje, pavarësisht gjendjes së klientëve, gjë që bën të krijohet përshtypja e padrejtësisë dhe e zullumit që bënë bankat ndaj klienteve që ballafaqohen me kriza financiare dhe falimentojnë. Për këtë shkak disa mendojnë se pasi hipoteka është praktikë e bankave konvencionale gjatë transaksioneve kamatare, atëherë aplikimi i saj është një veprimi ndaluar.
Ky vlerësim nuk është i saktë, për faktin se lënia e pengut (err rrehnu) është një veprim që njhet në jurisprudencën islame dhe ka bazë si në Kuranin Fisnik (Bekare -283) ashtu edhe në Sunetin e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të. Mjafton të përmendim faktin se Aishja, gruaja e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tregon se ai ka blerë ushqim nga një hebre duke i lënë peng mburojën e tij, deri në dhënien e pagesës.(Buhariu).
Mirëpo në anën tjetër mund të thuhet që është fakt se në kohen bashkëkohore hipoteka po përdoret si mjet për të siguruar fitime të sigurta nga ana e bankave konvencionale, duke mos vlerësuar si duhet mekanizmat të cilat do të zvogëlonin demin mbi klientin. Kjo ndodh sepse qëllimi i këtyre bankave në radhë të parë është fitimi dhe pastaj mendohet për zhvillimin ekonomik ose përkrahjen financiare të klientëve.
Per këtë, nëse bëjmë krahasim mes hipotekës dhe qasjes ndaj saj mes bankave konvencionale dhe atyre islame shohim se ka dallime. Ato dallime vërehen në aspektin se nëse kemi shmangie nga pagesa e kësteve dhe bëhet e detyrueshme që të shitet pengu, atëherë në asnjë formë banka islame nuk guxon ta dëmtojë klientin, qoftë duke e dënuar atë me pagesë të shtuar (kamatë) për shkak të vonimit të detyrimeve, ose duke e shitur pengun më lirë se çmimi real i tij, vetëm sa për të nxjerrë banka fitimin pavarësisht a dëmtohet klienti apo jo. Bankat konvencionale nuk i përfillin këto gjëra pasi synimi i tyre i parë dhe i fundit është ruajtja e interesit të bankës.
Sidoqoftë, pa u zgjeruar në këtë problematikë më shumë, pasi për të bërë krahasime te trajtimit të lënies së pengut mes bankave konvencionale dhe atyre islame nevojitet zgjerim, themi se lejohet institucionit financiar islam të kërkojë lënien e pengut gjatë tregtisë murabaha deri në shlyerjen e kësteve. Gjatë kësaj kohe pasuria e lënë peng nuk mund të shitet nga penglënësi, pasi është pasuri e varur me pagesen e borxhit. Në atë moment që përfundon pagesa e kësteve, atëherë klientit i kthehet e drejta e plotë mbi atë pasuri.

Së dyti: Vonimi i pagesës së kësteve në afatet e parapara

Nuk i lejohet besimtarit që ta zhysë veten në detin e borxheve pa nevojë, duke e ditur se nuk do të ketë mundësi t’i kthejë. Për atë që dëshiron të futet në borxh ose të blejë me borxh është kusht që të jetë i vetëdijshëm se do të ketë mundësi ta kthejë atë. Në të kundërtën, nëse ai e di ose mundësitë e tij aludojnë se nuk do të arrijë ta kthejë atë borxh dhe megjithëkëtë, futet në borxh me qellime jo të drejta, për shembull që ti vonojë ato pagesa ose edhe ti shmanget borxhit, atëherë ai ka bërë mëkat të madh. I Dërguarı i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë:
“Kush merr (borxh) nga pasuritë e njerëzve me qëllim që t’ua kthejë atyre, Allahu do t’ia kthejë atij, ndërsa kush merr me qëllim dëmtimi e prishjeje, Allahu e prish atë.”(Buhariu dhe Ahmedi)

Së treti: Nuk lejohet shtimi i vlerës së borxhit për shkak të vonesës

Pas këtij sqarimi themi se edhe pse vonimi i pagesës së borxhit me qëllim dhe pa arsye, është një veprim i ndaluar, megjithëkëtë nuk lejohet që si rezultat i kësaj neglizhence të dënohet klienti borxhli duke i shtuar shumën e pagesës, për faktin se ky shtim në jurisprudencën islame konsiderohet kamatë dhe formë përfitimi e ndaluar.

Së katërti: Hapat praktikë në rast të vonesës së pagesës së kësteve

Nëse klienti nuk arrin që të paguaj këstet në afatet e parapara, atëherë institucioni financiar islam i ndërmerr këto hapa:
1. Analizohet qartë nga ana e bordit fetar, arsyet e dështimit të pageses së kësteve në afatet e parapara. Nëse arsyet janë të qëndrueshme, atëherë i jepet përparësi pritjes për një kohë, deri në tejkalimin e atyre pengesave, të cilat pamundësuan pagesen e regullt. P.sh. nëse klienti është larguar nga puna dhe kështu i është pamundësuar pagesa e rregullt e kësteve, atëherë i jepet një kohë në dispozicion (ca muaj), derisa të gjej një punë tjetër, etj.

2. Nëse arsyet nuk janë të qëndrueshme, atëherë klienti kushtëzohet që ta bëj pagesën e të gjitha kësteve të mbetura menjëherë. Kjo për faktin se, përderisa nuk i është mbajtur premtimit se do ta bëj pagesen e kësteve në afatete parapara, atëherë institucioni ka të drejtë ta kërkoj borxhin tërësisht.

3. Nëse këtë nuk ka mundësi ta bëj, atëherë institucioni financiar islam e detyron klientin ta shes pengun dhe me të ta paguaj borxhin, kurse pasuria e mbetur nga shitja e pengut, pasi e ka paguar borxhin i kthehet kientit, pasi ajo pasuri në esencë është e tij.