Urtësia pse kushtëzohet shtënia në dorë e mallit para rishitjes

116

Urtësia pse kushtëzohet shtënia në dorë e mallit para rishitjes

Nëse thellohemi në kuptimin e këtij kushtëzimi që bazohet në hadithet profetike, të cilat u përmendën më herët, atëherë mund të konkludojmë se shitblerja e gjërave që ende nuk janë vënë në dorë të tregtarëve ose institucioneve financiare islame, mund t’u ekspozohet disa tejkalimeve sheriatike, sikurse:
-Nëse njeriu e blen një mall dhe ai mbetet në posedim të shitësit, atëherë në rast dëmtimi të mallit, shitësi është ai që dëmtohet (dëmshpërblen) e jo blerësi. Në anën tjetër, nëse blerësi e rishet të njëjtin mall, në këtë rast ai ka fituar nga diçka që nuk e ka siguruar dhe nuk pëson humbje në rast dëmtimi.
Për këtë arsye, autorë të shumtë përcjellin se “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar të shitet diçka që fitohet prej saj, por nuk e bart dëmin e humbjes (e dëmshpërblen) në rast dëmtimi”. Pra ai mall për të cilin shitësi nuk mban përgjegjësinë e humbjes, në rast dëmtimi gjatë fazës së shitjes, nuk lejohet ta shes dhe të fitoj nga ajo shitje.
-Blerësi i cili e rishet para se ta posedojë mallin që e ka blerë, i përngjan atij që i jep një shumë të hollash një tjetri, për të marrë një shumë më të madhe të hollash se ajo që ka dhënë, veçse në këtë rast blerësi deshi të mashtronte duke e vënë këtë mall në mes dy kontratash, prandaj kjo i ngjan kamatës.
Iben Abasi kur është pyetur për shkakun e ndalimit të shitjes së mallit që akoma nuk është shtënë në dorë ka thënë: “Kjo i ngjan shitjes apo shkëmbimit të parave me para duke vonuar dorëzimin e ushqimit.”
-Jurisprudenca islame synon ruajtjen e raporteve njerëzore dhe mënjanimin e të gjitha rrugëve të cilat shkaktojnë konflikte e ngatërresa. Kështu, nëse njeriu e blen një mall dhe aty për aty, në sy të shitësit të parë, e rishet atë mall duke fituar, atëherë kjo gjë mund ta shqetësojë shitësin e parë dhe ai të pendohet që e ka dhënë mallin lirë dhe të kërkojë anulimin e shitjes dhe në këtë mënyrë ndodh konflikti. Prandaj tregtari duhet ta marrë mallin e blerë dhe të përfundojë çdo lidhje me shitësin e parë, pastaj t’ia shesë atë mall klientit duke realizuar fitim.

Shtënia në dorë e mallit gjatë tregtisë murabaha

Diskutimet e dijetarëve islamë rreth asaj se si realizohet shtënia në dorë e mallrave të blera (el Kabdu), që pastaj ato të rishiten, janë shumë të giata, megjithëse ata pajtohen se rol të rëndësishem në këtë luan tradita (urfi) dhe ajo që njerëzit, në mënyrë më specifike tregtarët, zakonisht e konsiderojnë shtënie në dorë.
Sipas kësaj, mund ta përmbledhim çështjen duke thënë se një mall i blerë konsiderohet se është shtënë në dorë, varësisht prej zakoneve të tregtarëve dhe llojit të mallit.
Në vazhdim do t’i shtjellojmë format se si aplikohet kjo çështje nga ana e bankave islame dhe mënyrat e shtënies në dorë të mallrave gjatë tregtisë murabaha.

Praktikat e institucioneve financiare islame rreth shtënies në dorë të mallrave (el kabdu)

Përmendëm më herët se esencë në përcaktimin se çfarë konsiderohet pranim i mallit (el kabdu) është tradita dhe zakoni (el urfu), kështu që ato veprime që njerëzit i konsiderojnë si pranim ose shtënie në dorë të mallrave, të njëjtat edhe në jurisprudencen islame trajtohen si veprime të mjaftueshme për t’u konsideruar si shtënie në dorë e mallrave.
Ky është parimi në të cilin ka pajtueshmëri, megjithëse ne konkretizim të praktikave kemi trajtime të cilat kanë dallim njëra prej tjetrës. Këto dallime janë edhe më evidente kur bëhet fjalë për praktikat e institucioneve financiare islame të cilat aplikojnë shitblerjen murabaha, pasi këto institucione nuk posedojnë magazina, në të cilat do të mund të depozitoheshin mallrat që blejnë për t’ua rishitur klientëve të tyre. Edhe kjo ka bërë që praktikat e aplikuara nga bankat islame të mos jenë të njëjta.
Në përgjithësi praktikat e bankave islame rreth pranimit të mallit janë në tre forma, njëra është e qartë për lejimin e saj, tjetra është e qartë se ndalohet dhe e treta ka shpjegime te dijetarët bashkëkohorë.

Praktika e parë

Pasi nëpunësi përgjegjës i institucionit financiar islam merr kërkesën e klientit për blerjen e artikullit të caktuar me shitblerje murabaha, shkon te tregtari i atij artikuli dhe e blen atë në emër të institucionit, e transferon artikullin në depot e institucionit, pastaj ia prezanton atë artikull klientit dhe nëse ai shpreh interesim, nënshkruan kontratën e shitblerjes murabaha me kushtet e parapara.
Kjo formë tregtie nuk ka kurrfarë dyshimi për të mos qenë e lejuar, mirëpo praktika e këtillë nga ana e bankave islame bashkekohore është shumë e rrallë.

Praktika e dytë

Pasi nëpunësi përgjegjës i institucionit financiar islam merr kërkesën e klientit për blerjen e artikullit të caktuar me shitblerje murabaha dhe e blen atë artikull në emër të bankës sipas kërkesës së klientit, është e mundur që kjo shitblerje të realizohet me telefon; pra i tërë operacioni i shitblerjes të bëhet me një bisedë telefonike mes nëpunësit dhe tregtarit. Pas kësaj banka finalizon kontratën e murabahasë me klientin dhe kështu e autorizon klientin që ta tërheqë mallin drejtpërdrejt nga tregtari ose ka mundësi që t’i japë klientit çekun me shumën e pagesës së artikullit për t’ia dorëzuar tregtarit.

Kjo formë tregtie është e pasaktë, pasi banka edhe pse e ka blerë mallin para se ta rishesë, ajo ende nuk e ka marrë artikullin, as konkretisht e as juridikisht, pra artikulli ende nuk ka hyrë në pronësinë e bankës.

Praktika e tretë

Nëse i njëjti nëpunës merr kërkesën e klientit për blerjen e artikullit të caktuar me shitblerje murabaha dhe e blen atë artikull në emër të bankës, duhet ta ndajë nga pjesa tjetër e artikujve të pa shitur dhe në vend të transportimit në depot e bankës, të kërkojë nga tregtari që malli të mbetet i ndarë nga artikujt e tjerë derisa të dërgojë personin që do ta marrë.
Në këtë rast malli i blerë mbetet te shitësi si amanet (mall i lënë në ruajtje me besim të ndërsjellë dhe nëse ndodh që ai mall të dëmtohet ose të humbë pa neglizhencën e personit që i është dhënë në amanet, atëherë ai nuk obligohet ta kompensojë) dhe jo si mall që është për shitje, kështu që siguria esenciale e atij malli është në përgjegjësi të bankës dhe jo të shitësit.

Per lejimin e kësaj praktike kemi dy mendime te dijetarët.

Mendimi i parë: Kjo formë tregtie nuk lejohet pasi mënyra se si realizohet pranimi i mallit nuk është e plotë, kështu që është e domosdoshme që para se të rishitet artikulli nga ana e bankës, të largohet nga vendi i tregtarit të parë. Ky qëndrim mbështet në thënien e shumicës së fukahave, se pranimi ose shtënia në dorë e mallrave (el kabdu) realizohet duke i transportuar ato nga prona e tregtarit në pronën e blerësit dhe këtë mendim e përzgjedhin disa dijetarë bashkëkohorë.

Mendimi i dytë: Kjo formë tregtie është e lejuar pasi realizohet pranimi i mallit (el kabdu) juridikisht, edhe pse nuk është transportuar te pronari i dytë konkretisht. Shitësi i parë heq dorë nga posedimi i mallit, kurse banka ka mundësinë e kontrollit mbi të, por malli mbetet te shitësi i parë si amanet.

Mendimi i dytë është më i saktë dhe mbështetet në qëndrimin e dijetarëve hanefi, se në çështjen e pranimit të mallit, gjatë shitblerjeve mjafton që shitësi të heqë dorë nga malli dhe ti mundësohet blerësit ta kontrollojë atë, edhe nëse nuk kemi transferim të mallit në magazinën e blerësit. Kjo është edhe përzgjedhja e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, e cila në vendimin e saj thotë:
“Pranimi i mallit sikurse bëhet konkretisht, kur e merr atë në dorë, e peshon, e mbart apo e transferon në pronësinë e blerësit, bëhet edhe juridikisht edhe parimisht atëhere kur shitësi heq dorë nga malli, kurse blerësi ka mundesinë e kontrollit të mallit, edhe nëse nuk ka ndodhur pranimi i mallit konkretisht. Mënyra e pranimit të mallit ndryshon në bazë të llojit të tij dhe modaliteteve të normuara sipas specifikave të mallit dhe vendit.”
Mirëpo në këtë rast duhet të përmendim se për të qenë më të sigurt dhe për të mënjanuar mundësınë e keqpërdorimeve e manovrimeve, që do të mund ta shndërronin këtë transaksion në ndonjë veprim të ndaluar, do të ishte e nevojshme që tërheqjen e artikullit mos ta bëjë klienti i bankes direkt nga shitësi i parë, por nëpunësi i institucionit financiar, i cili pastaj ia dorëzon klientit.

Si realizohet konkretisht shtënia në dorë e mallrave të shitura

Pasi shtënia në dorë e mallrave bëhet varësısht sipas llojit të mallit dhe sipas traditës e zakonit se çfarë konsiderohet nga ana e tregtarëve shtënie në dorë, atëherë në vazhdim do të sqarojmë në mënyrë konkrete se si realizohet shtënia në dorë e mallrave duke specifikuar llojin e mallit që shitet.

Si realizohet shtënia në dorë e patundshmërive

Pasuri e patundshme konsiderohen të gjitha ato pasuri qe njeriu nuk ka mundësi t’i bartë prej një vendi në tjetrin, sikurse shtepite, banesat, ndërtimet e ndryshme, trojet dhe tokat.
Kështu që nëse gjëja e cila blihet për t’u rishitur është pasuri e patundshme, atëherë shtënia në dorë e asaj pasurie (el kabdu) nga ana e blerësit, konsiderohet kur ai vend zbrazet dhe boshatiset duke larguar gjërat e shitësit dhe duke i mundësuar shfrytëzimin e tij.

Me këtë konstatim pajtohen të gjithë juristët islamë të medhhebit hanefi, maliki, shafi, hanbeli, madje edhe dhahiri, të cilët qëndrimin e tyre e mbështesin te tradita (urfi) dhe ajo që është e përhapur te njerëzit se çfarë konsiderohet shtënie në dorë e pasurive të patundshme.
Më sqarues në këtë janë dijetarët e medhehebit hanefi, të cilët e theksojnë shumë qartë se pasuria e patundshme, qoftë ajo shtëpi ose diçka tjetër, nëse mund të mbyllet dhe ka çelës, mjafton marrja e çelësit nga ana e blerësit, duke i mundësuar atij shfrytezimin e saj, që kjo të konsiderohet marrje e mallit!

Është e saktë se nuk kushtëzohet transferimi zyrtar i asaj pasurie në emër të blerësit, por mjafton kontrata e shitblerjes, në të cilën shkruhet shumë qartë shkëmbimi tregtar me nënshkrimet e palëve.

Në tregtinë murabaha, nëse institucioni financiar islam blen ndonjë pasuri të patundshme, atëherë nëse e finalizon kontratën e shitblerjes me shitësin e parë dhe pas kësaj i mundësohet shfrytëzimi i asaj pasurie, duke e boshatisur dhe dorëzuar çelësat, atëherë ka mundësi t’ia rishesë atë pasuri klientit të vet me këste.

Si realizohet shtënia në dorë e artikujve ushqimorë

Dijetarët islamë janë dakord se shtënia në dore e artikujve ushqimorë bëhet me matje, numërim dhe saktesim te sasisë së tyre, duke i përcaktuar e ndarë nga sasia e mbetur e ushqimeve të tjera ose duke i vendosur ato në ndonjë vend tjetër. Vërtetimi i shtënies në dorë të mallrave ushqimorë është më evident te dijetarët islamë, pasi kemi shumë citate që e ndalojnë në formë të drejtpërdrejtë shitjen e mallrave ushqimorë, pa u bërë dorëzimi i tyre.

Si realizohet shtënia në dorë e pasurive të tjera të tundshme

Pasuri e tundshme janë të gjitha ato mallra që janë të mundshme të barten, sikurse materialet ndërtimore, makinat, teknika e bardhë, mobiliet, pajisjet elektronike etj..
Nëse mallrat e blera janë nga këto kategori ose gjëra të tjera të ngjashme dhe nëse ato do të rishiten gjatë tregtisë murabaha,
atëherë shtënie në dorë e këtyre mallrave konsiderohet kur së bashku me aktin e shitblerjes bëhet edhe specifikimi i tyre, ndarja nga mallrat e tjera që shiten dhe transferimi i tyre në vendin e blerësit (në këtë rast institucionit financiar islam). Nëse nuk ka mundësi të transportohen, pasi shumica e institucioneve financiare islame nuk kanë magazina për të magazinuar mallrat e blera, atëherë mjafton ndarja e mallrave të blera nga mallrat e tjera që shiten dhe të vendosen në një vend tjetër, qoftë në depon e firmës ose edhe brenda dyqanit, por duke e specifikuar se ai mall është i shitur dhe pritet që të transportohet. Në këtë mënyrë, ai mall tani mbetet te shitësi i parë si amanet, ndërsa sigurimi esencial i atij malli është në përgjegjësi të blerësit (institucionit financiar islam).

Si realizohet shtënia në dorë e makinave

Nëse malli i blerë nga institucioni financiar islam është një makinë, atëherë shtënie në dorë e saj konsiderohet kur së bashku me kontratën e shitblerjes bëhet edhe një nga këto veprime:

  • institucioni financiar islam e merr konkretisht makinën nga shitësi;
  • dokumentacioni i makinës kalon në emër të institucionit financiar;
  • marrja e dokumentacionit origjinal të makinës, edhe nëse është ende në emër të shitësit të parë, pasi zakonisht kjo formë e posedimit të dokumentacionit së bashku me kontratën e shitblerjes nënkupton pronësinë e makinës edhe nëse nuk është transferuar zyrtarisht makina në emër të blerësit.

 

Alaudin Abazi