Dispozitat që ndërlidhen me posedimin dhe marrjen e mallit gjatë tregtisë murabaha

222

Dispozitat që ndërlidhen me posedimin dhe marrjen e mallit gjatë tregtisë murabaha

Ndër kushtet thelbësore të tregtisë në Islam është edhe kushti që personi i cili shet një artikull apo një mall duhet të jetë pronar i tij. Arsyeja pse duhet të theksohet ky kusht në tregtinë murabaha qëndron në faktin se në kohën bashkëkohore shumë transaksione tregtare, posaçërisht ato lloje të shitblerjeve me këste, realizohen duke u shitur klientëve artikuj e mallra, të cilat nuk janë në pronësi të tregtarëve ose institucioneve financiare. Ata fillimisht finalizojnë kontratat e shitblerjeve me klientët e tyre, me fjalë të tjera shesin mallin që nuk e posedojnë dhe pas kësaj u drejtohen furnizuesve të këtyre mallrave, për të blerë atë që vetëm se e kanë shitur. Në anën tjetër, edhe bankat konvencionale në kohën bashkëkohore aplikojnë shitjen e mallrave, respektivisht operacione tregtare, pa qenë ato në pronësi të tyre, por me ndermjetësime realizojnë transaksione që shpien në përfitime kamatare të ndaluara.

Këto janë arsyet pse duhet të shtjellohet kjo problematikë dhe të pasqyrohet vështrimi islam në lidhje me posedimin e mallrave para se të shiten dhe arsyet se pse kushtëzohet kjo gjë gjatë shitblerjes. Më konkretisht, janë dy çështje që duhet të sqarohen rreth mallit që tregtohet gjatë shitblerjes murabaha. Ato janë:
Shitësi duhet të jetë pronar i mallit që shet -temelukus sila.
Shitësi duhet ta shtjerë në dorë mallin e blerë para se ta rishesë – kabdu sila.

Në vazhdim do të ndalemi në sqarimin e këtyre dy çështjeve.

Çështja e parë: Shitësi duhet të jetë pronar i mallit që shet

Nuk ekziston mospajtim mes juristëve islamë se në përgjithësi është e domosdoshme që shitësi të jetë pronar i një malli që shet. Kjo mbështetet në disa argumente.
Hakim bin Hizami, Zoti qoftë i kënaqur me të, ishte tregtar dhe me një rast e pyeti të Dërguarin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “O i Dërguar i Allahut, nganjëherë më vjen dikush nga njerëzit dhe kërkon nga unë ti shes diçka që nuk e kam në dispozicion. A bën që t’ia shes atë nga tregu?” Domethënë që ai tia shesë atë mall (ta realizojë marrëveshjen e tregtisë), pastaj ta gjejë atë mall në treg, ta blejë dhe t’ia dorëzojë blerësit. Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “Mos e shit atë që nuk e ke (e posedon).

Abdullah bin Amër bin Asi transmeton se i Dërguari i Allahut, lavderimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e ka ndaluar që njeriu të shesë atë që nuk e posedon.
Kuptimi i këtyre haditheve është se njeriu ndalohet që të shesë një mall ose artikull që nuk e posedon, respektivisht është pronë e dikujt tjetër dhe pas kësaj, ai të shkojë e ta gjejë atë mall, ta blejë dhe t’ia dorëzojë klientit të tij. Ai me këtë rast bën shitje me hamendje e dredhi, duke i siguruar vetes fitim të mundshëm nga një mall që nuk është ende i tij dhe nuk ka mundësi t’ia dorëzojë klientit të cilit ia ka shitur. Pra, me këtë ai e ngarkon veten me një përgjegjësi që nuk është i sigurt se ka mundësi ta realizojë, pastaj i siguron vetes fitim nga një mall që nuk e ka në dispozicion dhe nuk e siguron, respektivisht nuk dëmshpërblen nëse malli do të dëmtohej.

Ekzistojnë disa raste të caktuara në të cilat njeriu mund ta shesë një gjë edhe nëse nuk është e tij, ndër ta është rasti kur ai autorizohet nga pronari i atij malli ose tregtia me parapagim (be’ju selem), etj., mirëpo pasi këto forma shitblerjesh nuk ndërlidhen me murabahanë e cila po shtjellohet, ne nuk do të ndalemi në trajtimin e tyre.

Çështja e dytë: Shitësi duhet ta ketë në dorë mallin e blerë, para se ta rishesë

Që shitblerja murabaha të jetë e saktë, kushtëzohet që tregtari, respektivisht institucioni financiar, ta shtjerë në dorë mallin që ka blerë dhe të cilin dëshiron ta rishesë. Me fjalë të tjera, kur ai realizon shitblerjen e parë, duke siguruar mallin që i kërkon klienti, pasi të bëjë pagesën dhe ta përmbyllë atë transaksion, duhet që ta marrë atë mall e pastaj t’ia rishesë klientit me përfitim. Pra, nuk i lejohet ta blejë një mall, p.sh. lavatriçe, t’ia bëjë pagesën shitësit pa e saktësuar e specifikuar se cilën lavatriçe ka blerë dhe pa iu dorëzuar ajo, ta drejtojë klientin që të shkojë dhe ta tërheqë nga shitësi i parë atë lavatriçe.

Ky kusht duhet të theksohet për shkak të rëndësisë, pasi disa institucione financiare islame, që aplikojnë tregtinë murabaha, nuk i tërheqin mallrat që blejnë për klientët e tyre ose nuk ndërmarrin disa veprime të nevojshme që nënkuptojnë shtënien në dorë të mallit, por ua rishesin klientëve ato menjëherë, madje në fakt klienti është ai që e bën tërheqjen e mallit nga tregtari i parë.

Ndërsa për të kuptuar më mirë këtë kusht themi se me shtënie në dorë të mallit (el kabdu) është për qëlim veprimi që tejkalon vërtetimin se ai mall është pronë e dikujt, por së bashku me këtë, blerësi duhet ta marrë mallin dhe ta vërë në pronën e tij, qoftë konkretisht apo juridikisht.
Pra, me këtë kushtëzim në tregtinë murabaha nënkuptojmë që banka, para se ta rishesë mallin, duhet së pari të realizojë kontraten e shitblerjes, pastaj ta tërheqë (ta marrë) atë mall dhe pas kësaj t’ia rishesë klientit të saj.

Argumentet për këtë kusht janë të shumta, por ne po përmendim disa:
1. Hadithi i Hakim ibën Hizamit, në të cilin i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e këshillon duke i thënë:
“Nese blen diçka, atëberë mos e shit atë derisa ta shtiesh në dorë.”

2. Tavusi tregon se Ibën Abasi ka thënë: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar që njeriu ta shesë ndonjë ushqim (që e ka blerë më herët) para se t’i dorëzohet” Tavusi e pyeti Ibën Abasin: “Si ndodh kjo?” Ai u përgjigj: “Te shesë paratë me para, kurse dorëzimi i ushqim të shtyhet. ”

Kuptimi i “të shesë paratë me para…” është për shembull kur ka blerë ushqim me 100 euro dhe atë shumë ia dorëzon shitësit pa e marrë ushqimin e blerë nga ai. Në anën tjetër ai bën pazar me dikë tjetër dhe e shet atë ushqim për 120 euro dhe i merr ato para duke qenë ushqimi ende në dorë të shitësit të pare. Shitblerja në këtë mënyrë i ngjason shitjes së 100 eurove per 120 euro.

3.”I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar që njeriu të shesë atë mall që nuk e ka marrë pasi e ka blerë.”

Këto citate na bëjnë me dije se tregtari nuk lejohet të shesë gjëra për të cilat ka bërë pagesën, por ende nuk i ka futur në dorën e tij.
Sa për korrektësi themi se ekziston një qëndrim i dijetarëve maliki në të cilin ata theksojnë se shtënia në dorë e mallrave para se ato të rishiten është kusht vetëm për mallrat ushqimorë, ndërsa në mallrat e tjerë ky veprim nuk është kusht. Pikënisja e tyre mbështetet në ato hadithe në të cilat kur përmendet domosdoshmëria e shtënies në dorë të mallrave para se të rishiten, përmenden në formë të detajuar vetëm mallrat ushqimorë.

Mirëpo e sakta është se ky kushtëzim është gjithëpërfshirës për të gjitha mallrat, pasi kemi hadithe që janë të përgjithshme, ashtu siç i përmendëm disa sosh pak më herët dhe ky mendim është përzgjedhje e shumicës dërrmuese të juristëve islamë si në të kaluarën ashtu edhe tani.

Alaudin Abazi