Ndarja e kontratave në jurisprudencën islame dhe dallimet mes tyre

123

Ndarja e kontratave në jurisprudencën islame dhe dallimet mes tyre

Fillimisht theksojmë se në Islam kontratat realizohen me marrëveshje gojore, ndërsa shkrimi i kontratës dhe prezenca e dëshmitarëve është me qëllim të vërtetimit të kontratës, por shkrimi dhe dëshmitarët nuk janë vetë kontrata.
Me një fjalë, nëse ka një kontratë shitblerjeje mes dy palëve dhe ajo realizohet pa e shkruar dhe pa dëshmitarë, ajo kontratë është legjitime dhe e vlefshme edhe pse nuk është shkruar. Për këtë arsye, njerëzit shesin e blejnë në shumicën e rasteve pa i evidentuar shitblerjet me shkrim. Mirëpo, nëse ka mospajtime dhe krijohen paqartësi rreth marrëveshjes, atëherë këtu paraqitet nevoja e shkrimit dhe e dëshmitarëve. Për këtë arsye, shkrimi i kontratës dhe dëshmitarët në jurisprudencën islame, janë të nevojshme për të qenë një kontratë e zbatueshme, për të larguar keqkuptimet dhe për të evituar ngatërresat mes njerëzve.

E bëmë dallimin mes kontratës së shkruar dhe asaj të pashkruar pasi legjislaturat bashkëkohore kur flasin për kontratat dhe i sqarojnë ato, termin kontratë e përdorin vetëm për ato marrëveshje që janë me shkrim, madje një marrëveshje e pashkruar për to, nuk emërtohet fare si kontratë.
Pas këtij sqarimi themi se përgjithësisht kontratat, në jurisprudencen islame, ato që shkruhen apo nuk shkruhen ndahen në:

a. Kontrata dhuruese vullnetare -Ukudut teberruat, sikurse donacionet, lemosha (sadakaja), huazimi i një gjeje për përdorim, premtimi, huadhënia, etj..
Specifikë e këtyre kontratave është se edhe pse marrëveshja bëhet mes palëve, ato janë mirësi ndaj njërës palë dhe janë të njëanshme, pra vetëm njëra palë zotohet me obligime e përgjegjësi, kurse pala tjetër është përfituese. Specifikë tjetër e këtyre kontratave është se nuk bëhen të plotfuqishme juridikisht, deri në momentin që pala në mënyrë praktike e realizon obligimin që merr përsipër. Me një fjalë, nëse një njeri i thotë tjetrit se do të të jap borxh 1000 euro, atëherë kjo marrëveshje konsiderohet e plotfuqishme vetëm në momentin që huadhënësi konkretisht ia dorëzon paratë huamarrësit dhe jo më herët.

b. Kontrata reciproke -Ukudul muavedat (Commutative contract) janë për qëlim kontratat e përgjithshme. Pra, nëse pëmendet kontrata, atëherë qëllimi janë këto lloj kontratash. Në jurisprudencen islame përkufizimi i këtyre kontratave është kështu:
Marrëveshje në mes dy apo më shumë palëve për një gjë apo veprim të caktuar dhe si rrjedhojë e kësaj secila nga palët merr përsipër detyrime të
caktuara dhe gëzon të drejta përkatëse.
Shtjellimet e bëra në fillim rreth premtimit, kishin të bënin me premtimin në rrethanat e rendomta dhe në situata kur nuk flitet për marrëveshjet tregtare, kontrata shitblerjesh dhe ujdi të ndërsjella që kanë për pasoje ndonjë transaksion të ardhshëm.
Me fjalë të tjera, vlerësimet e dijetarëve të mëhershëm rreth premtimit, nuk kishin të bënin me çështjen, kur dy palë marrin përsipër përgjegjesi dhe nënshkruajnë me shkrim marrëveshje reciproke, se zotohen për përgjegjësi e detyrime, por kishte të bënte me mënyrën e trajtimit të moszbatimit të premtimit kur njeriu në rrethana të thjeshta e pa ndonjë qëllim interesi i premton dikujt se do t’i japë diçka ose do ti kryejë një punë dhe e thyen atë premtim.

Premtimi i cili realizohet gjatë shitblerjes murabaha mes klientit, i cili kërkon blerjen, dhe bankës, e cila do t’ia shesë artikullin pasi ta blejë, është një marrëveshje që e tejkalon premtimin e thjeshtë të sipërpërmendur, pasi ky premtim kalon nga nje formë e rëndomtë kontratash që quhen kontrata dhuruese vulnetare -Ukudut teberruat, në një lloj tjetër kontratash, që quhen kontrata reciproke – Ukudul muavedat.

Përzgjedhja e mendimit më të saktë në këtë çështje

Si rezultati mospajtimit të dijetarëve bashkëkohorë mes asaj se a duhet të trajtohet obligues premtimi mes bankës islame dhe
klientit apo jo, disa nga institucionet financiare islame bashkëkohore gjatë aplikimit të shitblerjes murabaha në transaksionet e tyre e trajtojnë premtimin e ndërsjellë si obligues, kurse disa të tjera si jo obligues.
Megjithatë, nga vlerësimet e bëra nga dijetarët bashkëkohorë, disa nga të cilat patët mundësi t’i lexonit në këtë temë, mund të thuhet se mendimi i cili nuk e trajton premtimin si obligues gjatë shitblerjes murabaha, me një fjalë ata dijetarë që bëjnë dallimin mes premtimit të rëndomtë dhe premtimit të ndërsjellë gjatë tregtisë, është më i saktë dhe më afër parimeve dhe rregullave të përgjithshme të jurisprudencës islame.
Në anën tjetër, dijetarëve që janë nisur nga pikëpamja se mos obligimi i premtimit mund të sjellë dëme të mëdha, për instucionin financiar, pasi tërheqja nga ai premtim bën që ajo blerje të shkaktojë humbje, u themi se përgjigjja fillimisht është se pjesë e tregtisë është edhe humbja apo fitimi, pastaj ekzistojnë forma të tjera me anë të të cilave banka islame ka mundësi të sigurojë veten nga humbja, sikurse aplikimi i së drejtës së zgjedhjes (hijarit -është një veprim me anë të të cilit në tregti dy palët -shitësi e blerësi- kanë të drejtë që të realizojnë një tregti duke kushtëzuar që të ketë një afat prej disa ditësh ose javësh, që njëra palë ose të dyja palët të tërhiqen e të ndërrojnë mendje nga ajo tregti). Kështu që nëse klienti nuk e mban premtimin, atëhere banka ka mundësi ta anulojë shitblerjen e parë dhe ta rikthejë mallin te shitësi i parë me marrëveshje, kështu që malli nuk i mbetet në dorë bankës.

Giithashtu duhet të përmendim edhe atë se njëri nga shkaqet e bën këtë mendim më të saktë është edhe fakti se edhe disa dijetarë të hershëm, të cilët e kanë përmendur këtë formë shitblerjeje, duke u mbështetur në premtim, konstatojnë se premtimi nuk guxon të jetë obligues. Dijetarët e vjetër që e kanë përmendur këtë, edhe pse në kohën e tyre nuk ishte e përhapur kjo formë tregtie, e kanë përmendur si supozim ose mundësi përmes së cilës njerëzit mund të tregtojnë. Në vlerësimet e tyre ata e bëjnë të qartë se nuk është e drejtë që premtimin në këto rrethana shitblerjeje ta trajtojmë si obligues, pasi nëse ndodh kjo, atëherë ai premtim merr rolin e një marrëveshjeje tregtie. Në vazhdim po japim thëniet e dijetarëve të hershëm.

Muhamed bin Hasen Shejbani, nxënësi i Imam Ebu Hanifes

Në librin “El Hijel” ky dijetar thotë: “Në qoftë se një njëri e urdhëron një tjetër që ta blejë një shtëpi për 1000 dërhemë dhe i thotë atij se nëse e bën këtë, atëherë unë do ta blej prej teje për 1000 dërhemë dhe 100 derhemë më shumë. Në këtë rast, nëse i udhëruari dëshiron ta blejë, por frikësohet se po e bleu, ka mundësi që urdhëruesi (pendohet), mund të mos e blejë atë dhe ti mbetet në dorë (të urdhëruarit), atëherë cili është manovrimi për të dalë nga kjo situatë?
I urdhëruari e blen shtëpinë (për 1000 dërhemë) me të drejtë zgjedhjeje për ta anuluar atë shitblerje (hijar) brenda tre ditësh dhe pasi ta vërë nën pronësi, të shkojë te urdhëruesi dhe t’ia shesë për 1100 derhemë… Nëse urdhëruesi nuk dëshiron ta blejë, atëherë i urdhëruari, i cii e bleu shtëpinë që ta shesë më shtrenjtë, ka të drejtë ta anulojë shitblerjen e parë, pasi ai kishte kushtëzuar të drejtën e zgjedhjes përta anuluar atë tregti.
Nga kjo kuptojmë se ky imam, i cili është njëri nga dy nxënësit më të njohur të Imam Ebu Hanifes, nuk merr për bazë që urdhëruesi duhet të obligohet për mbajtjen e premtimit, prandaj edhe hulumtoi taktikën se si ka mundësi i urdhëruarı që të gjejë ndonjë rrugëdalje, nga dëmi që mund të ketë, nëse urdhëruesi nuk e zbaton premtimin.

Imam Shafiu

Në librin “El Um” thotë: “Nëse një njeri i tregon tjetrit një artikull dhe i thotë “blije këtë dhe unë do ta blej prej teje me çmim më të lartë ” dhe
ai njeri e blen artikulin, atëherë ajo blerje është e lejuar, kurse personi i cili ka thënë se do ta blejë me përfitim ka të drejtën e zgjedhjes, nëse do realion një blerje të re, nëse do nuk e realizon… Mirëpo nëse e realizonë blerjen bazuar në atë se e kanë obliguar njëri-tjetrin me punën e parë, atëher ajo blerje është e anuluar për dy shkaqe:

1) ata të dy kanë bërë marëveshje tregtie para se shitësi ta posedojë malin;
2) ajo marrëveshje ndërtohet mbi hamendje kur thuhet nëse e blen për kaq, do ta blej prej teje për kaq më shumë.”
Nga trajtimi i këtij imami kuptojmë se ai qartazi konsideron se kjo formë marrëveshjeje nëse trajtohet si obliguese për tu zbatuar, atëherë nuk është e vlefshme.

Ibën Kajim el Xhevzije

Ne librin “I’lamul Muvekin” thotë: “Një njeri i thotë tjetrit “blije këtë shtëpi ose këtë mall nga filani me kaq të holla, kurse unë do ta blej prej teje me kaq fitim” por ai frikësohet se nëse e blen, ka mundesi që urdhëruesi të pendohet e të mos dëshirojë më ta blejë dhe nuk ka mundesi ta kthejë mallin. Ateherë manovrimi në këtë rast është që ai fillimisht ta blejë atë mall me të drejtën e zgjedhjes (që ta kthejë mallin e blerë) për tri apo më shumë ditë. Pastaj i thotë urdhëruesit se e kam blerë atë ashtu siç e kërkove dhe nëse ai e blen, mirë, nëse jo, atëherë ai ka të drejtë t’ia kthejë atë mall shitesit të parë sepse kishte kushtëzuar të drejtën e kthimit.”
Edhe nga ky përshkrim kuptojmë se Ibën Kajimi, i cili i takon medhhebit hanbeli, nuk e obligon realizimin e premtimit gjatë kësaj shitblerjeje, prandaj hulumton mënyra të tjera zgjedhjeje nëse shkohet deri te moszbatimi i premtimit të dhënë.

Vendimi i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam rreth premtimit dhe murabahasë

Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!
Lavderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve, bekimi dhe paqja qoftë mbi zotërinë tonë Muhamedin, Vulën e Profetëve, mbi familjen dhe shokët e tij.
Vendimi numër 40- 41 (5/2 dhe 5/3)

Zbatimi i premtimit dhe murabaha lil amiri bish shira (murabaha e urdhëruesit të blerjes)
Kuvendi i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam në mbledljen e tij të pestë të mbajtur në Kuvajt, më 1 deri 6 të Xhumadel Ula, viti 1410 h, qe përputhet me datat 10-15 dhjetor 1988, pasi shqyrtoi studimet e prezantuaru nga anëtarët dhe ekspertët në lidhje me problematikën e zbatimit të premtimit dhe murabahanë lila miri bish shira, pas dëgjimit të debatit që është zhvilluar, vendosi si vijon:

Së pari: Nëse tregtia murabaha e urdhëruesit të blerjes ndodh pasi malli të hyjë në pronësinë e të urdhëruarit dhe pasi të realizohet shtënia në dorë (pranimi i mallit-el kabdu) ashtu siç kërkohet sheriatikisht, atëherë kjo tregti është e lejuar; përderisa barra e dëmtimit të mundshëm (të mallit) para dorëzimit i bie të urdheruarit (bankës). Edhe kthimi për shkak të ndonjë mangësie të pavërejtur apo diçka e ngjashme, konsiderohet prej detyrimeve të kthimit (të mallit), pas dorëzimit dhe realizohen kushtet e blerjes e mënjanohen pengesat e saj.

Së dyti: Premtimi i cili bëhet nga urdhëruesi (klienti) apo i urdhëruari (banka) veç e veç- është obligues fetarisht (dijaneten) për premtimdhënësin, përveç nëse ka arsye. Ai obligohet juridikisht (kada’en) nëse premtimi ndërlidhet me ndonjë shkak dhe premtimmarrësi futet në një veprim si rezultat i atij premtimi që ka marrë. Në këtë rast,
përcaktohet qartë forma se si përmbushet ky detyrim; ose me realizimin e premtimit të dhënë, ose me kompensimin e dëmit që i është shkaktuar personit të cilit i është premtuar për shkak të mos përmbushjes së premtimit pa arsye.
Së treti: Premtimi i ndërsjellë -i cili del nga të dyja palët (banka dhe klienti)-është i lejuar në shitblerjen murabaha, me kusht që ata të kenë të drejtën e zgjedhjes (el hijar), të dyja palët ose njëra palë. Nëse nuk aplikohet e drejta e gjedhjes, atëherë nuk lejohe, pasi premtimi i ndërsjellë olbligues (nga të dyja palët) në shitblerjen murabaha i përngjan (aktit të) shitblerjes. Kështu që në këtë rast do të duhej që shitësi (banka) ta posedonte mallin, për të mos rënë në kundërshtim me atë që ka ndaluar i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, që njeriu të shesë atë që nuk e posedon”.

Marrja e kaparit klientit gjatë fazës së premtimit

Kapari është një praktikë e njohur në veprimet tregtare dhe në këtë rast, nuk do të futemi në shpjegimet që bëhen rreth këtj veprimi në jurisprudencën islame, por do të sqarojmë ligjshmërinë e kësaj praktike gjatë tregtisë murabaha. Megjithëkëtë, për të qenë më e qartë për lexuesin, themi se me kapar nënkuptojmë
kur blerësi potencial i një malli të caktuar i paguan një pjesë të shumës, shitësit paraprakisht, në mënyrë që nëse ai vjen në afatin e caktuar dhe e finalizon procesin e shitblerjes, shuma e parapaguar (kapari) do të llogaritet si pjesë e çmimit të mallit, por nëse ai zmbrapset dhe tërhiqet nga blerja, atëherë kapari i takon shitësit.

Kur jemi te kapari, gjatë fazës së premtimit në murabaha, atëherë na lejohet të pyesim se ai lejohet bankës që t’i marrë klientit kapar, ashtu që ajo të sigurohet për seriozitetin e premtimit të klientit apo jo?

Ekzistojnë dy vështrime te dijetarët bashkëkohorë. Të dy vështrimet ndërlidhen me çështjen e premtimit se a lejohet të jetë obligues apo jo. Ata që e kanë lejuar që premtimi të jetë obligues, kanë lejuar edhe marrjen e kaparit nga klienti, ndërsa ata që e kanë ndaluar që premtimi të jetë obligues, kanë ndaluar edhe kaparin gjatë kësaj faze.
Ne gjatë sqarimit të problematikës së premtimit kemi arritur në konkluzionin se më sigurt dhe më afër parimeve sheriatike është që premtimi të mos jetë obligues, prandaj themi se është më e drejtë që kapari të mos aplikohet gjatë kësaj faze.
Në këtë rast është e nevojshme të përmendim se edhe ata që e kanë lejuar marrjen e kaparit, kushtëzojnë se në rast se klienti tërhiqet nga shitblerja, atëherë institucionit financiar i lejohet të mbajë për vete nga shuma e kaparit, vetëm aq sa është dëmtuar realisht institucioni financiar islam, për shkak të tërheqjes së klientit. Në anën tjetër, nëse realizohet shitblerja murabaha, atëherë ajo shumë llogaritet si pjesë e çmimit të mallit. Sipas këtij kushtëzimi, kuptimi i kaparit dallon nga ai që njihet në praktikën tregtare, ashtu siç e sqaruam pak më herët. Për këtë edhe në terminologjinë e ekonomistëve islamë ky lloj kapari nuk emërtohet “el urbun”, ashtu siç quhet kapari në terminologjinë islame, por emërtohet Damanul-Xhidije – Garancia e seriozitetit ose Hamishul-Xhidije – Pjesa e seriozitetit.

Alaudin Abazi