Studimi i ri: Gjumi është “detoks” për trurin

158

Gjumi i pastron mbetjet toksike që ngjiten në tru. S’nevojitet doktoratura për të kuptuar se gjumi është esencial.

Sidoqoftë, hulumtuesit vazhdimisht po japin arsye shtesë pse ne bëjmë gjumë, prej përforcimit të informatave të reja, flakja e kujtimeve të dhimbshme, gjer te parandalimi i grindjeve me bashkëshortin apo bashkëshorten.

Së fundi, një ekip nga Universiteti i Bostonit ka bërë edhe një shtesë në listën e përfitimeve. Zbulimi i ri është lajm i keq për njerëzit që s’bëjnë gjumë të mjaftueshëm: gjumi fizikisht e pastron trurin nga toksinat, përfshirë edhe ato që çojnë në sëmundjen e Alzheimer.

Autolarje për trurin
Studimi i ri i publikuar në revistën Science lidhet me studimet më të hershme të bëra me minj, që pohonin se gjumi ua pastronte fizikisht toksinat që formoheshin rreth trurit të tyre. Po me njerëzit, a ndodhte e njëjta gjë? Hulumtuesja Laura Lewis, me qëllim të studimit, u kërkoi një grupi subjektesh të bëjnë një sy gjumë në një makinë me rezonancë magnetike për të vërtetuar këtë.

“Ajo që zbuloi është se gjatë gjumit, valë të mëdha e të ngadalta të lëngut cerebrospinal po preknin trurin. Leximi i aktivitetit elektrik të trurit i zbardhen arsyet. Gjatë gjumit, neuronet filluan të sinkronizohen, duke u fikur e ndezur në të njëjtën kohë”, shpjegon Sara Harrison nga revista Wired. “Ngase kur neuronet për një moment ndaluan së ndezuri, atyre nuk u nevojitej aq shumë oksigjen, që i bie më pak rrjedhje të gjakut në tru. Ekipi i Lewis vërejti se, në atë moment, lëngu cerebrospinal shpejt zuri vend në hapësirat e zbrazëta.”

Shkurt, pa komplikime shkencore, gjumi i lejon trurit të bëjë një dush, t’i pastrojë të gjitha toksinat që i ka marrë gjatë aktivitetit ditor.

Lajm i mirë për pacientët e Alzheimer, lajm i keq për të privuarit nga gjumi
Ky lajm më së shumti ka rëndësi për pacientët e Alzheimer, sepse mund të hapë shtigje për trajtime të reja mbi “rritjen e sasisë së lëngut cerebrospinal që e pastron trurin”, tregon Harrison. “Gjetja e një mënyre për t’i pastruar të gjitha ato mbeturina mund të jetë shumë më e fuqishme se thjesht përqendrimi në një pjesë të problemit me ilaçe.”

Në fakt, studimi është lajm i mirë për secilin që bën gjumë, potencon Maiken Nedergaard, ekspert i gjumit, në revistën shkencore Scientific American.

“Ndoshta mesazhi më i rëndësishëm për t’u mbajtur në mend është: gjumi është çështje serioze!”, thjeshtëson ai. “Për të pasur një tru të shëndoshë, ju duhet të bëni gjumë, sepse gjumi lidh aktivitetin energjik me funksion praktik.”

Pra, herën tjetër, kur doni të shikoni një episod të ri natën vonë, apo doni të kryeni edhe një punë shtesë para se të shkoni në shtrat, ndaluni të kujtoni këtë studim dhe përfytyroni gjithë ato mbeturina të ngjitura në trurin tënd. Nëse nuk doni që ato t’ju ndotin jetën tuaj, atëherë fikni dritën dhe gjumin bëjeni prioritet./ekonomia-islame/