Financimi i sipërmarrjeve përmes Mudarebesë në Islam

0
71

Financimi i sipërmarrjeve përmes Mudarebesë në Islam

Në vargun e disa marrëveshjeve në biznesin islam është edhe ajo që njihet si Mudarebe. Mudarebe do të thotë një sipërmarrje e përbashkët, ku njëra palë kontribuon me kapital dhe tjetra me punë. Pra kur një person i vë në dispozicion një punëtori kapitalin e tij për të bërë biznes me të, me kusht që fitimi të ndahet mes tyre sipas kushteve të pranuara prej tyre. Por humbja në rastin e Mudarebesë nuk bëhet sipas kushteve të vena nga të dyja palët, por sipas mënyrës që ka vendosur legjislacioni Islam. Në Mudarebe humbja përballohet vetëm nga i zoti i kapitalit dhe jo nga punëtori, edhe pse të dyja palët janë marrë vesh, që fitimin ta ndajnë mes tyre, sepse punëtori në këtë rast ka humbur kontributin që ka dhënë në shërbim të biznesit. Kjo ndarje ka ardhur si pasojë e faktit se Mudarebeja është një bashkëpunim, që ngrihet mbi bazën e prokurës dhe sipas legjislacionit Islam njeriu që ngarkohet me prokurë për diçka, nuk dëmshpërblen asgjë dhe se humbja përballohet nga prokurëdhënësi. Në librin “El Xhamiu” Abdurrezaku përcjell nga Aliu r.a., se ka thënë: “Humbja i përket kapitalit dhe fitimi ndahet sipas marrëveshjes.” Pra njeriu që merr përsipër manaxhimin e kapitalit nuk humbet gjë tjetër veç mundit të tij dhe humbja pasurore i mbetet të zotit të kapitalit. Mudarebeja nuk mund të jetë e saktë deri në momentin që kapitali i dorëzohet punëtorit manaxhues dhe derisa ky i fundit të lihet i lirë, që të veprojë me këtë pasuri. Në Mudarebe është e detyrueshme të përcaktohet përqindja që do të përfitojë punëtori nga fitimi dhe se kapitali i vënë në punë të jetë një shumë parash e njohur për të dyja palët. Të zotit të kapitalit nuk i lejohet të punojë bashkë me punëtorin dhe nëse e kushtëzon diçka të tillë, atëherë Mudarebeja nuk është e saktë. Kjo ndodh për arsye se i zoti i kapitalit nuk ka të drejtë tashmë, që të veprojë në pasurinë e kompanisë së përbashkët, por është punëtori ose manaxhuesi ai që merret me diçka të tillë. Është ai që punon dhe ai që ka në dorë kapitalin, sepse kjo kompani është e ndërtuar mbi bazën e kontributit fizik dhe mendor të njerës palë dhe të kapitalit nga pala tjetër.

Në këtë mënyrë i zoti i kapitalit është i huaj për shoqërinë tregtare, duke mos pasur asnjë të drejtë veprimi mbi pasurinë e tij. Punëtori është i kushtëzuar, që t’i përmbahet hapësirës që i ka dhënë i zoti i kapitalit për të vepruar me pasurinë e tij dhe nuk lejohet ta kundështojë atë, sepse ai e ka të drejtën e veprimit vetëm me lejen e tij. Për shembull, nëse i zoti i kapitalit i ka dhënë leje që të bëjë tregti vetem me prodhimet e leshit, apo e ka ndaluar ta ngarkojë mallin përmes detit, atëherë punëtori e ka për detyrë t’i bindet. Kjo nuk do të thotë, që i zoti i kapitalit ka të drejtë të ndërhyjë në shoqërinë tregtare, sepse të drejtën e veprimit e ka vetëm punëtori.

Tek Mudarebeja bën pjesë edhe kur të dyka palët marrin pjesë me kapitalin e tyre dhe punën e njërës palë. P.sh. nëse dy persona kanë një kapital prej 3,000 eurosh, ku njëri ka njëmijë dhe tjetri dymijë, ku i fundit i lejon atij që ka njëmijë të manaxhojë pjesën e tij prej dymijë eurosh në këmbim të një pjese të fitimit që buron nga kjo pjesë. Në këtë mënyrë personi që zotëron kapitalin prej njëmijë eurosh është njëherësh edhe kontribues me kapital, por edhe me punë. Gjithashtu tek Mudarebeja përfshihet edhe rasti kur dy persona marrin pjesë me kapitalin e tyre duke ngarkuar me punë dhe manaxhim një palë të tretë. Të gjitha këto forma përfshihen tek Mudarebeja e lejuar.

Mudarebeja është një formë e lejuar e financimit në Islam. Nga Abas bin Abdul Mutalibi përcillet, se ai paguante para për të bërë tregti me Mudarebe dhe i vendoste palës tjetër disa kushte. Kur i Dërguari i Allahut dëgjoi për diçka të tillë, e priti mirë lajmin.” Gjithashtu edhe sahabet janë pajtuar për lejimin e kësaj forme të financimit. Ibn Ebi Shejbeh përcjell nga Abdullah bin Humejdi, e ky nga gjyshi i tij, se Omer bin Hatabi r.a. i kishte dhënë atij pasurinë e një jetimi për ta përdorur në Mudarebe dhe pasi kishte bërë tregti, i kishte ndarë pjesën e tij të fitimit (për t’ia shtuar pasurisë së jetimit).”

Në librin “El Mugni” Ibn Kudame përcjell nga Malik bin Ala bin Abdurrahmani, e ky nga babai dhe gjyshi i tij se Osman bin Afani r.a. ka bërë Mudarebe me të. Gjithashtu nga Ibn Mesudi r.a. dhe Hakim bin Hizami përcillet, se që të dy janë marrë me Mudarebe. Të gjitha këto kanë ndodhur para syve të sahabeve dhe nuk është përcjellë asgjë prej tyre që të bjerë në kundërshtim me këtë fakt dhe askush prej tyre nuk e ka kritikuar këtë formë financimi. Në këtë mënyrë ky qëndrim përbën pajtim dhe Ixhma prej tyre.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here