Roli i parimeve Islame në ruajtjen e pasurisë publike

0
130

Roli i parimeve Islame në ruajtjen e pasurisë publike

Parimet Islame luajnë një rol tejet të rëndësishëm në jetën sociale dhe ekonomike të njeriut dhe të shtetit. Dr. Jusuf Ibrahimi, drejtor i qendrës “Al Kamil” për Ekonominë Islame konfirmon se Islami i dënon krimet e korrupsonit dhe shpërdorimit të pasurisë publike, duke e konsideruar ngrënien e pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë një gjynah dhe cënim të të drejtave të të tjerëve, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri- tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me te (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë).” (Bekare; 188). Gjithashtu Islami e ka ndaluar monopolin duke e konsideruar një prej krimeve ekonomike, që kanë pasoja të rënda për shoqërinë, duke shfrytëzuar nevojën e njerëzve për një produkti të caktuar dhe duke komanduar çmimin e tij, me qëllimin për të realizuar një pasurim të shpejtë të një grupi njerëzish. I Dërguari i Allahut a.s. thotë: “Kush mban monopolin është gabimtar.” (Muslimi).

Gjitashtu Islami e ka ndaluar mitëmarrjen, e cila sjell pasoja shkatërrimtare për shoqërinë, sepse rrënjos padrejtësinë, shtypjen e të drejtave dhe përmbys vlerat. Një nga format e korrupsionit që lufton Islami është edhe mashtrimi i të gjitha formave, sidomos mashtrimin në tregti, që konsiderohet një nga format e fitimit të pamerituar dhe të paligjshëm.

Dr. Ibrahimi kërkon që ekonomia islame të zbatohet sipas dispozitave të nxjerra nga legjislacioni islam në Kuranin Famëlartë, duke e konsideruar këtë mënyrë, si të vetmen rrugë për t’i dhënë fund formave të korrupsionit, që është përhapur në shoqëritë tona. Në këtë mënyrë parimet islame do të kenë ndikimin e tyre në rritjen e prodhimit në sasi dhe cilësi përmes eleminimit të formave të ndryshme të korrupsionit.

Administrimi i pasurisë publike

Dr. Abdulfetah Idrisi, profesor i Fikhut Krahasues në fakultetin e Jurisprudencës Islame dhe Juridikut në Kajro shprehet se krimet e korrupsionit dhe shpërdorimit të pasurisë publike janë përhapur së tepërmi në shoqëritë arabe. Kjo ka ardhur si pasojë e distancimit prej parimeve islame, të cilat bëjnë thirrje për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurisë së muslimanëve, duke e vënë theksin në faktin, se administratori i pasurisë publike e di fare mirë, se nuk i është dhënë leja që të veprojë si të dëshirojë dhe në mënyrë të padrejtë me pasurinë publike, dhe se e ka për detyrë të jetë i ndërgjegjshëm për rrezikshmërinë që paraqet adminisitrimi i pasurisë publike, dhe se është përgjegjës, dhe do të vihet para llogarisë sipas normave dhe kushteve që ka vënë legjislacioni islam. Si të tilla ato duhet të respektohen, kur pasuria publike shpenzohet për projekte dhe qëllime të ndryshme. Për diçka të tillë bën thirrje Allahu i Lartësuar kur thotë: “Asnjë pejgamberi nuk i takoi të bëjë hile dhe kush bën hile (në ndarjen e plaçkës së luftës), ai në Ditën e Kijametit vjen i ngarkuar me atë që ka bërë, pastaj secilit njeri i jepet ajo që e ka fituar, duke mos iu bërë e padrejtë.” (Ali Imran; 168).

Në traditën profetike janë përcjellë hadithe që nxisin për të ruajtur pasurinë publike dhe për ta mbrojtur atë nga shpërdorimi. I Dërguari i Allahut a.s. thotë: “Kthejeni perin dhe gjilpërën, sepse mashtrimi do të jetë turp, zjarr dhe poshtërim Ditën e Gjykimit.” Ky hadith kërkon që njeriu të kthejë gjithçka ka marrë nga pasuria publike, edhe nëse vlera e saj është e vogël sa vlera e një peri dhe gjilpëre.

Dr. Idrisi vë në dukje faktin se halifët e drejtë ishin një shembull i mirë për ruajtjen e pasurisë publike dhe për mos-shpërdorimin e saj për çdo arsye qoftë. Një nga mëkëmbësit i shkruajti Omer bin Abdul Azizit r.a., ku i kërkonte më shumë letra dhe kalema për të shkruajtur dhe Omeri iu përgjigj: “Mprehe mirë lapsin tënd dhe afroji rreshtat me njëri-tjetrin, sepse mua nuk më pëlqen që të shpenzoj nga pasuria e muslimanëve për gjëra që nuk u bëjnë dobi. Muslimanëve nuk u bëjnë dobi fjalët e tepërta që e dëmtojnë arkën e pasurive të tyre.”

Kur një mëkëmbës kërkoi prej tij më tepër qirinj për të ndriçuar vilajetin e tij për hatër të prijësit, kur shkonte në xhami në mëngjes dhe mbrëmje, Omeri iu shkruajti: “O Ibn Umu Hazm! Përpara se të bëheshe prijës isha mësuar të të shihja duke dalë natën në errësirë pa mbajtur me vete një kandil. Pasha jetën, atëherë ke qenë më i mirë sesa sot.”

Dënimi i atyre që bëjnë prishje dhe shkatërrime mbi tokë

Shejhu i nderuar Ferhat Menxhiu, një nga dijetarët e Ez’herit e vë theksin tek fakti se Allahu i Lartësuar ka përcaktuar ndëshkime për ata që bëjën trazira mbi tokë, në mënyrë që të mbrohet shoqëria dhe të mbrohet rendi i saj. Ai shton se i Dërguari i Allahut a.s. na ka urdhëruar që ta ruajmë pasurinë publike dhe të mos e shpërdorojmë atë. Nga Adij bin Umejrete el Kendiu r.a. na përcillet, se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Atij që i ngarkojmë një punë prej jush dhe pastaj na fsheh një gjëlpërë e sipër, ky është një mashtrim që do t’i shfaqet Ditën e Gjykimit.” Një burrë me ngjyrë të zezë nga mesi i ensarëve – të cilin e mbaj mend sikur po e shoh tani- u ngrit dhe tha: -“O i Dërguari i Allahut! Pranoje dorëheqjen time nga punët që më ke ngarkuar.” Profeti a.s. tha: “Pse, çfarë ke?!” Tha: “Dëgjova që the kështu dhe ashtu.” Profeti a.s. tha: “Unë po e them tani. Atë që e ngarkojmë me një punë le ta sjellë gjithçka të vogël apo të madhe qoftë, e nëse i japin diçka prej saj le ta marrë dhe nëse ia ndalojnë, të mos e marrë asgjë.”(Muslimi)

Ky hadith na tregon se nëpunësi publik është i detyruar t’i përmbahet disa normave fetare dhe se nuk e ka të drejtën, që të shpenzojë vetëm atë pasuri për të cilën i jepet leje dhe të mos marrë apo të japë diçka prej saj, por nëse merr diçka prej saj, atëherë duhet ta kthejë përsëri në vendin e vet. Gjithashtu ky hadith bën të qartë, se për të luftuar korrupsionin shteti duhet të ndërmarrë disa masa të rëndësishme, ku ndër më të rëndësishmet është kërkesa e llogarisë prej nëpunësit, sidomos e atyre nëpunësve, që kanë shenja të pasurimit të madh dhe të shpejtë. Ndoshta ky parim ishte ndër parimet më kryesore mbi të cilin u ngrit shteti i parë islam. Një arab qëndroi para Omerit r.a. dhe i tha: “As nuk të dëgjoj dhe as nuk të bindem. Nga e more këtë rrobë të gjatë? I ke dhënë nëpunësve nga arka e muslimanëve disa rroba, që nuk mjaftojnë për t’u mbuluar.”

Omeri r.a. i dha përgjigje dhe tha se kishte marrë nga rrobat, që i takonin të birit. Pastaj tha: “Nuk do të ketë hajër prej jush nëse nuk i thoni këto fjalë dhe dhe nuk ka hajër prej nesh nëse nuk i dëgjojmë ato.”

Lufta ndaj korrupsioni i shpëton popujt

Dr. Muadh Abdullah, profesor në fakultetin e Bazave të Fesë në Universitetin e Ez’herit, shprehet, se lufta ndaj korrupsionit përbën një nga mekanizmat më të rëndësishëm për të larguar ndëshkimin e Allahut mbi popujt. Argument për këtë është fjala e Allahut a.s.: “E përse të mos ketë pasur në brezat që ishin para jush njerëz të zotët e mendjes e të nderit, që të ndalonin çrregullimin e kaosin në tokë, përveç një pakice, të cilët i shpëtuam (ngase frenuan nga të këqijat), ndërsa ata që ishin mizorë u dhanë pas kënaqësive si të shfrenuar, duke vazhduar të jenë mëkatarë.” (Hud, 116).

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk i prish vendbanimet padrejtësisht, kur banorët e atyre (vendbanimeve) janë vepërmirë.” (Hud; 117).

Profesori mendon se jo vetëm që do t’i shpëtojnë popujt prej ndëshkimit të Allahut, por do t’i nxisë ata për të shkuar drejt përparimit dhe zhvillimit. Pra në vend që milionat të shkojnë në xhepat e njerëzve të prishur, që marrin rryshfete, ato do të shkojnë në projekte të dobishme, që sigurojnë vende pune dhe që shterojnë burimet e varfërisë dhe papunësisë.

Nga ana tjetër lufta ndaj korrupsionit nuk bëhet vetëm me ligj dhe këshilla, por duhen vënë në jetë parimi i madh islam “nga të erdhi kjo”. Gjithashtu duhet të përhapet drejtësia dhe solidariteti mes individëve të shoqërisë. E gjitha kjo do të bëjë që të ndalohet ryshfeti dhe diskriminimi dhe të gjitha format e korrupsionit, që janë të lidhura me mungesën e drejtësisë sociale. Për diçka të tillë flet hadithi i përcjellë nga Muadhi r.a., që thotë: “I Dërguari i Allahut a.s. më dërgoi në Jemen. Kur u nisa ai më dërgoi dikë për të më thirrur dhe unë u ktheva. Ai më tha: “A e di përse të thirra?! Nëse dikush merr diçka pa lejen time ai ka mashtruar dhe kush mashtron do të paraqitet Ditën e Gjykimit me gjithë mallin që ka përfituar. Për këtë të thirra dhe tani vazhdo punën tënde.”

Ky hadith tregon se është e ndaluar të përfitohet nga pasuria publike pa marrë leje, sepse në këtë mënyrë ai ka vepruar me pasurinë e Allahut padrejtësisht. Për këtë arsye i Dërguari i Allahut a.s. thotë: “Ata që veprojnë me pasurinë e Allahut padrejtësisht do të kenë zjarrin Ditën e Gjykimit.” (Buhariu).

Share

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here