Gjykimi fetar për disa çështje që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe investimin e vakëfeve

0
30

Gjykimi fetar për disa çështje që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe investimin e vakëfeve

Përgatiti hoxhë Justinian Topulli

Përkufizimi i vakëfit

Nga ana gjuhësore fjala uakf në gjuhën arabe do të thotë: i ndalur, i bllokuar, i palëvizshëm.[1]

Fetarisht vakëfi është: Ruajtja e një pasurie dhe shpenzimi i përfitimeve të saj në rrugë të Allahut.[2]

Argument për këtë është hadithi i autentik, ku i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) i thotë Umer ibn Hatabit për tokën e Hajberit, të cilin ai dëshironte ta jepte sadaka: ”Përdore terrenin e saj si sadaka. Nuk shitet as nuk dhurohet dhe as nuk trashëgohet, por shpenzohen frytet e saj.” Dhe Umeri e dha atë sadaka në rrugë të Allahut, për skllevërit, të varfrit, mikun, udhëtarin…”[3] Imam Tirmidhiu pas transmetimit të këtij hadithi thotë: Dijetarët që nga koha e shokëve të Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe e të tjerëve që erdhën më pas e marrin si argument bazë këtë hadith. Nuk dimë që të ketë ndonjë mospajtim te të parët (e këtij umeti) rreth lejimit të krijimit te vakëfit, qoftë kjo pasuri që lidhet me tokën apo diçka tjetër.[4]

Sipas Ebu Hanifes vakëfi quhet: Ruajtja e një pasurie, në pronësi të atij që e ka kthyer atë në vakëf, dhe dhënia sadaka e përfitimit të nxjerrë prej saj. Ndërsa sipas Ebu Jusufit dhe Muhamed Shejbaniut: Ruajtja e një pasurie në pronësi të Allahut dhe dhënia sadaka e përfitimit të nxjerrë prej saj.[5]

Sipas përcaktimit të Ebu Hanifes vakëfi mund të mos jetë më i tillë, nëse ai që e ka kthyer pronën e tij në vakëf e ndryshon atë, por kjo me dy kushte: që ai të mos ketë kushtëzuar që prona e tij të kthehet në vakëf pas vdekjes së tij, dhe e dyta: të mos të jetë përcaktuar kjo gjë nga kadiu (që të mbetet vakëf), në një rast të tillë lejohet shitja e tij, ndryshe ajo mbetet vakëf.[6]

Ndërsa sipas dy nxënësve të Ebu Hanifes dhe shumicës së nxënësve të tij vakëfi ngelet përherë i tillë edhe nëse pronari i tij i parë ndryshon mendim. Ebu Jusufi thotë për hadithin e mësipërm: Nëse ky hadith do t’i kishte mbërritur Ebu Hanifes ai do të kishte thënë po të njëjtën gjë.[7] Pra vakëfi konsiderohet vetëm si pronë e Allahut dhe nuk shitet, nuk dhurohet, nuk tjetërsohet, nuk trashëgohet dhe as nuk lejohet, që në një mënyrë apo në një tjetër të humbasë rolin e tij si vakëf.[8]

Dijetarët hanefi dhe të tjerë, kanë dhënë fetva se nëse vakëfi shitet kjo shitje është e pavlefshme (batil).[9] Për këtë arsye këta dijetarë kanë përcaktuar, si një nga kushtet kryesore të vakëfit, që ai të mos jetë i përkohshëm, por i përhershëm, e ka përmendur një gjë të tillë pronari i parë i tij ose jo, ai ngelet i përhershëm.[10] Po ashtu një tjetër normë e rëndësishme në ruajtjen e vakëfit është respektimi i destinacionit për të cilin ai është lënë vakëf nga pronari i tij i parë, si për shembull për të varfrit, por me kusht që ky përcaktim të mos bjerë ndesh me normat e Sheriatit.[11]

Qëllimi i përjetësimit të vakëfit

Siç u pa edhe nga ajo që u tha më sipër, personi i cili e kthen pasurinë e tij në vakëf, këtë e bën për të arritur shpërblimin e Allahut edhe pas vdekjes së tij. Për këtë qëllim Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Kur njeriu vdes atij i ndërpriten veprat, përveçse në tre raste: Kur ai lë një sadaka të rrjedhshme, një dije nga e cila përfitohet dhe një fëmijë të mirë i cili lutet për të.”[12]

Sadakaja e rrjedhshme është pikërisht ajo pasuri që lihet si vakëf. Nëse vakëfi humbet nga papërgjegjshmëria e të tjerëve, kjo do të thotë që personi i cili e ka lënë atë si vakëf do të privohet nga shpërblimi i saj pas vdekjes. Kjo përbën thyerje të amanetit dhe thyerja e amanetit ndëshkohet nga Allahu. Gjithashtu një akt i tillë përbën shpërdorim të pronës së muslimanëve dhe privon ata nga të ardhurat që vilen nga ky vakëf në dobi të tyre, dhe si i tillë ai është edhe ligjërisht i ndëshkueshëm.

Toka vakëf mbi të cilën më parë ka pasur një xhami

Në rastet kur është prishur xhamia dhe ka mbetur toka, ajo tokë konsiderohet sipas medhhebit hanefi si xhami deri në Ditën e Kiametit. Dhe sipas mendimeve të dijetarëve të medhhebit hanefi, shafi, hanbeli dhe disa dijetarë të medhhebit maliki; xhamia duhet të rindërtohet në të njëjtin vend, pasi toka mbi të cilën ka qenë ngritur xhamia ngelet xhami edhe nëse xhamia është prishur.[13]

A lejohet zëvendësimi i vakëfit?

Siç u tha edhe më sipër që tjetërsimi i vakëfit në çfarëdo lloj forme qoftë nuk lejohet, por a lejohet zëvendësimi i tij? Po, lejohet zëvendësimi i tij dhe kjo në dy raste:

Rasti i parë: Kur zëvendësimi i tij bëhet i domosdoshëm apo i nevojshëm. Dhe kjo kur ai e humbet vlerën e tij plotësisht, si p.sh. një xhami e braktisur apo edhe e prishur në të cilën nuk falen më njerëz. Në këtë rast lejohet zëvendësimi i tij me një tjetër. Ky zëvendësim bëhet duke u shitur vakëfi i parë me shumën më të mirë të mundshme dhe me këtë shumë të blihet apo ndërtohet vakëfi i dytë, i cili duhet të ketë të njëjtin destinacion si i pari. Dijetarët e vonshëm hanefi si Ibn Abidini e të tjerë, kanë kushtëzuar që ky zëvendësim të bëhet kokë për kokë, dhe nëse është e mundur të mos shitet me të holla për të shmangur abuzimet që bëhen në këto raste.[14] Një kusht tjetër është që vakëfi i zëvendësuar të jetë si i pari ose më i mirë se ai, ndryshe nuk lejohet. Por edhe nëse është me sipërfaqe më të madhe, por ka një vlerë më të ulët se i pari, përsëri nuk lejohet. Disa prej dijetarëve e kanë lejuar që zëvendësimi mund të mos jetë i të njëjtit lloj nëse i dyti sjell të ardhura më të mëdha sesa i pari.[15]

Rasti i dytë: Nëse vakëfi me të cilin kërkohet të zëvendësohet është më i mirë se i pari dhe me më shumë të ardhura. Sipas disa dijetarëve hanefi një gjë e tillë lejohet, ndërsa shumica e tyre nuk e lejojnë, sepse nuk përbën domosdoshmëri si në rastin e parë, shto këtu edhe abuzimet që ndodhin në të tilla raste.[16]

Investimi nëpër vakëfe

Lejohen investimet që bëhen me qëllim rritjen e të ardhurave që vinë nga vakëfet, pasi vetë vakëfi është një investim nga i cili merren të ardhura të vazhdueshme duke ruajtur kështu kapitalin fillestar. Disa nga format e lejuara nga Sheriati të investimeve që mund të zbatohen në pronat vakëf janë:[17]

Dhënia me qira. Një nga format më të vjetra dhe më të përhapura të shfrytëzimit të vakëfeve. Dijetarët kanë rënë dakord për këtë formë shfrytëzimi, por ka pasur mospajtime rreth disa hollësive siç është koha e dhënies me qira dhe çmimi i qirasë.
Periudha e dhënies me qira: Sipas hanefive koha e dhënies me qira për një ndërtesë nuk duhet të kalojë një vit, ndërsa për tokat bujqësore nuk duhet të kalojë tre vjet. Fetvaja që jepet tek hanefitë për një qira afatgjatë konsiston në zhvlerësimin e aktit të qirasë. Kjo për arsye se një kontratë e tillë mund të shkaktoj dëmtimin vakëfit për një kohë të gjatë, madje mund të shpjerë deri në asgjësimin e vakëfit. Përjashtohen rastet kur këtë e kërkon interesi i ndërtimit të vakëfit, dhe kjo duke marrë paradhënie qiranë e viteve të ardhshme. Në një rast të tillë kontrata e qirasë duhet të ripërsëritet vit për vit.[18]
Çmimi i qirasë. Një pjesë e dijetarëve (prej tyre edhe hanefitë, malikitë dhe shafijtë) kanë kushtëzuar që vakëfi të mos jepet me qira me vlerë më të vogël sesa tregu i një prone të tillë. Nëse vakëfi jepet me vlerë më të vogël, administratori i vakëfit ka të drejtë të prishë kontratën, dhe nëse shtohet vlera e qirasë pas kontratës duhet të ripërtërihet kontrata me vlerën e re. [19]
Kontrata e qirasë për një kohë të gjatë dhe jo me vlerën reale të tregut nuk është e detyrueshme. Kontrata e qirasë te të gjithë dijetarët është e detyrueshme,[20] por kur bëhet fjalë për vakëfin nuk konsiderohet si e tillë nëse ajo bëhet për një kohë të gjatë dhe jo me vlerën e tregut. Kjo është një tjetër veçanti e vakëfit. [21]

 

[1] Mu’xhem el-uesit etj.

[2] Fikhu Es-suneh 4/330.

[3] Transmetuar nga Buhariu (2764), Muslimi (1633), Tirmidhiu (1375), Nesaiu (3603), Ebu Daudi (2878), Ibn Maxha (2396) etj.

[4] Xhamiu Et-Tirmidhi, Kitab el-Uakf.

[5] Shih El-bahr Er-raik 5/202.

[6] Shih Mukhtesar el-kudurij, kapitulli i vakëfit fq.283.

[7] Nejl El-eutar, Kapitulli i Vakëfit.

[8] Shih Muhtesar el-kudurij, fq. 287, El-hidajetu sherh el-bidaje 3/13, Fikhu Es-suneh 4/335.

[9] Shih Hashijetu Ibn Abidin 5/57.

[10] Shih Muhtesar el-kudurij, fq.285, El-bahr er-raik 5/204, Hashijetu Ibn Abidin 4/349.

[11] Hashijetu Ibn Abidin 4/343.

[12] Transmeton Muslimi, Ebu Daudi, Nesaiu etj.

[13] Nga fetvatë e El-ez’herit, Shej Xhadul Hak Ali Xhadul Hak, faqja e ministrisë së vakëfeve egjiptiane: ëëë.islamic-council.com. Shih po ashtu edhe vendimet e dhëna nga Akademia e jurisprudencës islame në Indi, vend ky i dominuar nga dijetarët e medh’hebit hanefi, marrë nga Fikh En-neuazil 4/499 dok. nr. 339 e Dr. Muhamed El-xhizani.

[14] Hashijetu Ibn Abidin 4/386.

[15] Po aty. Disa prej dijetarëve hanefi siç është Es-serkhasi nuk e kanë lejuar zëvendësimin e vakëfit në asnjë lloj rasti, në mënyrë absolute.( El-bahr er-raik 5/222).

[16] Shih Hashijetu Ibn Abidin 4/384, 386, 388, El-bahr er-raik 5/222.

[17] Shkëputur nga studimi Istithmar el-uakf ue turukuhu el-kadime uel-hadithe, Dr. Ali Muhjidin Dagi.

[18] El-fetaua el-hindije (419/2)

[19] Hashijetu ibn Abidin 3/391, El-fetaua el-hindije 2/419, Fethul el-alij el-malik 2/239, Mugni el-muhtaxh 2/395, Er-reudatu 5/352, El-fikh el-islami ue ediletuhu 8/236.

[20]Tuhfetu el-fukahai 2/514, Bidajetu el-muxhtehid 2/372, Reudatu et-talibin 5/173, El-kafi i Ibn Kudames 2/300.

[21] Hashijetu ibn Abidin 4/402, Fethul el-alij el-malik 2/239.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here