Origjina dhe zhvillimi i sigurimeve islame – Tekaful

0
76

Fjala ‘tekaful’ apo sigurim, rrjedh nga fjala arabe që do të thotë sigurim apo garantim i përbashkët, në të cilin një grup i pjesëmarrësve pajtohen ndërmjet tyre që të sigurojnë njëri-tjetrin kundër ndonjë humbjeje të përcaktuar.

Koncepti i sigurimit, ku burimet mblidhen së bashku për të ndihmuar të nevojshmit, është në pajtueshmëri me parimet e Sheriatit. Sigurimi që bazohet në reciprocitet, është i lejuar. Në kohën para Islamit ekzistonte një lloj sigurimi që quhej ‘dijah’ (paratë e gjakut), i cili ishte barrë e të afërmve të vrasësit, që quhej ‘Akilah.(1)
Akilah i referohet grupit që është në afërsi gjakut me babanë e vrasësit dhe që janë përgjegjës për t’i ndihmuar atij që ka për ta paguar gjakun. Me themelimin e ligjit islam, kësaj praktike iu dha legjitimiteti, duke vlerësuar rëndësinë e dijah-ut (pagesës së gjakut në mënyrë të organizuar) për të parandaluar ngatërresat ndërmjet fiseve dhe për t’i bashkuar të gjitha fiset dhe njerëzit në një komunitet – në komunitetin mysliman.
Evidenca për akilah figuron në Kushtetutën e Medinës menjëherë pas hixhretit, anëtarët patën themeluar një fond të përbashkët që quhej Kenz (thesar); nëse një anëtar i fisit kishte bërë ndonjë krim, ai duhej të paguante për dëmin e shkaktuar. Ky fond shërbente për të ndihmuar personin që të paguante dëmin. Pejgamberi alejhi selam i pati caktuar disa shuma specifike për kompensim për lëndime të ndryshme. Për shembull, 15 deve paguheshin si kompensim për ndonjë lëndim apo frakturë në kokë; 10 deve paguheshin për humbje të një gishti të këmbës a të dorës. Dhe, nëse vërtetohej se një lëndim shkaktonte fatalitet, atëherë vrasësi duhej të paguante 100 deve ose kundërvlerën për familjen e viktimës. Vlera e këtij institucioni mund të dihet nëse kemi parasysh se në atë kohë ndodhte që fiset të mund të shkatërroheshin duke vrarë pjesëtarë të njëri tjetrit për shkak të mospagesës së gjakut për familjen e viktimës si kompensim dhe për vrasësin si dënim. Ky veprim ka mbështetje edhe në Kuran: “Ne u caktuam atyre në të (në Tevrat) kundërmasat ndëshkuese: njeriu (mbytet) për njeriun, syri për syrin, hunda për hundën, veshi për veshin, dhëmbi për dhëmbin, por edhe plagët kanë kundërmasë. E kush e fal atë (hakmarrjen), ajo është shpagim (nga mëkatet) për të. E kush nuk vendos sipas asaj që zbriti All-llahu, ata janë mizorë (të padrejtë). (El Maide: 45),
“Asnjë besimtari nuk i është e lejuar të mbysë besimtarin tjetër, përveç gabimisht. E kush mbyt gabimisht një besimtar, ai është i obliguar të lirojë një rob besimtar dhe shpagimin (e gjakut) t’ia dorëzojë familjes së tij, përveç në qoftë se ia falin (familja gjakun) …” (El-Nisa’: 92).
Juristët myslimanë vlerësojnë se baza e përgjegjësisë së shpërndarë në një sistem tek Akilah, e cila zbatohej në Mekë dhe Medinë, kishte vënë themelet e sigurimit reciprok. Sigurimet e para në Islam qenë themeluar
në fillim të shekullit të dytë të hixhretit; atëherë kur arabët myslimanë filluan të zgjeronin tregtinë e tyre edhe me vendet e Azisë së Largët, ata u dakorduan që të kontribuonin bashkërisht në një fond, prej të cilit do të kompensohej nëse ndonjërit prej tyre i ndodhte ndonjë fatkeqësi gjatë udhëtimeve të largëta detare apo tokësore(2)

Sigurimet e para në Botën Islame

Sistemi i sigurimit sjell një siguri të arsyeshme për individ dhe për kompani të ndryshme kundër ndonjë rreziku, siç janë zjarri e vjedhja, apo ndonjë përgjegjësie publike. Koncepti i kësaj natyre të sigurimeve në botën arabe zbatohej në shekullin 18 për shkak të marrëdhënieve tregtare me Evropën. Në fillim ishte njohur si ‘Sukurta’ në gjuhën arabe dhe ‘Sigorta’ në gjuhën turke, ndërsa sigurimet islame sot njihen me emrin a termin ‘Tekaful’ që është adoptuar në shekullin 20 dhe domethënë ‘sigurim i përbashkët’(3)
Sigurimet konvencionale për herë të parë u paraqitën në Botën Islame me prejardhje nga vendet evropiane. Kjo ndodhi shumë më herët sesa të themeloheshin sigurimet nga vetë myslimanët. Mirëpo, tregtarët mysliman, në veçanti ata që ishin në biznesin e transportit detar, gradualisht filluan të përdornin sigurimin që ishte për transportin e prodhimeve që kishin destinim Evropën ose vinin nga Evropa. Kështu, në këtë fushë filloi të punohej dhe u themelua kompania e parë e sigurimeve në vendet myslimane nga vetë myslimanët në vitin 1893 – nga osmanlinjtë në Stambollin e sotëm, që quhej ‘Osmanli Ummum Sigort’4. Themelimi i kësaj kompanie u bë pasi më parë qe rregulluar infrastruktura ligjore për sigurimet e marinës dhe sigurime të tjera.

Parimet e sigurimeve islame

Sigurimi islam si një institucion biznesi, bazohet në mundësinë e ndihmës dhe përkrahjes së njerëzimit. Qëllimi i sigurimit duhet të jetë që të ofrojë mbështetje për njerëzimin dhe jo për të mundësuar pasurimin e individëve a grupeve të caktuara. Dhe vlerësimi i punës së një kompanie të sigurimeve duhet të bëhet në bazë të efikasitetit dhe ndërgjegjes – sa ka qenë në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në baze të rritjes së aseteve të kompanisë për të kënaqur pronarët dhe aksionarët e kompanisë së caktuar.

Nevoja për mbulesë financiare

Njeriu i ekspozohet mundësisë së ballafaqimit me katastrofa të ndryshme, të cilat mund të çojnë në tragjedi të ndryshme, si: vdekje, aksidente, sëmurje, etj..
Myslimani duhet të besojë se fatkeqësitë janë caktim i Zotit dhe të ketë përgatitje morale e materiale për t’i përballuar këto fatkeqësi dhe për t’ia lehtësuar vetes dhe familjes së tij çastet në të tilla raste. Shumica e njerëzve kanë dëshirë të lënë ndonjë shumë parash për pasardhësit e tyre në rast të vdekjes së tyre, si lehtësim vështirësish të pasardhësve. Çdo njeri do të dëshirojë të jetë i përgatitur financiarisht për të përballuar ndonjë fatkeqësi për pasurinë, shtëpinë, veturën apo biznesin e tij. Një mënyrë për t’u përgatitur për këto ditë të vështira, janë kursimet personale. Mirëpo kursimi mund të mos jetë i përshtatshëm, sepse shuma e kërkuar mund të jetë më e madhe, gjë që kërkon kohë për t’u mbledhur, kurse fatkeqësia mund të ndodhë në çdo kohë. Një alternativë për evitimin e vështirësive të tilla, është sigurimi.

Sigurimet konvencionale nga një pikëpamje islame

Në përgjithësi është e pranuar nga juristët mysliman se veprimi nga sigurimi konvencional nuk përshtatet apo përputhet me rregullat dhe kërkesat e Sheriatit, për shkak të këtyre elementeve:
1.‘Gharar’: ekziston elementi i ‘gharar’ (i paqartë apo i pacaktuar në operimin e kontratës), elementi i paqartësisë.
2.‘Mejsir’: në raste ekzistimi të elementit ‘gharar’ në kontratën e sigurimit, atëherë sigurimi mund të krahasohet si një lloj bixhozi, përderisa të ketë paqartësi në kontratë.
3.‘Riba’: zbatimi i kamatës në investime të kompanisë. ‘Tekaful’ si bazë për sigurimet islame ‘Tekaful’ ka kuptimin garantim a sigurim i përbashkët.
Në këtë rast, të gjithë blerësit e policës së sigurimit janë ata që sigurojnë njëri-tjetrin, kurse kompania e sigurimeve është vetëm udhëheqëse e këtij projekti, dhe jo siguruese. Blerësit e policës së sigurimit janë aksionarë në kompaninë e sigurimeve dhe në fund të vitit shikohet sa janë bërë pagesa për kompensimin e dëmeve dhe sa kanë qenë shpenzimet totale për kompaninë e sigurimeve, duke llogaritur edhe investimet që mund të jenë bërë nga kompania e sigurimeve, dhe, në fund, i tërë kapitali i mbetur ndahet në mes të kompanisë së sigurimeve dhe atyre që në fillim kishin dhënë pëlqimin që të siguronin njëri-tjetrin për fatkeqësitë e mundshme gjatë vitit. Përqindja e ndarjes së mbetjes nga sigurimet vjetore caktohet në fillim, atëherë kur personi fizik apo juridik blen policën e sigurimit. Koncepti ‘Tekaful’ mbështetet mbi parimet e kooperimit, ndihmës së dyanshme dhe ndarjes së përgjegjësisë. Të gjitha këto parime kanë për qëllim rritjen e vlerave dhe praktikave që janë të dobishme për të gjithë, ashtu sikur jemi porositur nga Allahu i Madhërishëm, që të ndihmojmë njëri-tjetrin në punë të mira dhe devotshmëri.

(1) Syed Khalid Rashid, “Islamization of Insurance: A Religio-Legal Experiment in Malaysia”, Religion and Law Review, Vol. 2. No.1, f. 17
[2 Ernst Klingmuller, “The Concept and Development of Insurance in Islamic Countries”, Islamic Culture, Vol. 43, No.1. f. 28-30.
[3] Ibid.[4] Ibid, f.33

 

Dr. Islam Hasani

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here