Banka Islame për Zhvillim dhe D-8 nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

0
133

Dy palët do të punojnë për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike në shtetet anëtare të D-8-ës

ANKARA (AA) – Banka Islame për Zhvillim njoftoi se ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me organizatën D-8 për të rritur përpjekjet e zhvillimit dhe ekspertizën, njohuritë dhe burimet e përbashkëta për zhvillimin socio-ekonomik të tetë vendeve në zhvillim, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Grupi i Bankës Islame për Zhvillim do të punojë me Organizatën D-8 për Bashkëpunim Ekonomik për të nxitur rritjen e qëndrueshme ekonomike në shtetet anëtare të D-8-ës”, thuhet në një deklaratë me shkrim të bankës.

Nënshkruar gjatë samitit D-8 në Stamboll, marrëveshja parasheh bashkëpunim të mundshëm në identifikimin dhe zbatimin e programeve dhe projekteve të përbashkëta në fushën e transportit, tregtisë, investimeve, financave islame, energjisë, industrisë, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, bujqësisë, sigurisë së ushqimit, turizmit, shkencës, arsimit dhe krijimit të bankave të informacioneve.

Gjithashtu, parashikohet shkëmbimi i njohurive dhe informacionit për çështjet komerciale.

Banka Islame për Zhvillim poashtu do të ketë në konsideratë shpërndarjen e bursave për studentët nga shtetet e D-8-ës.

Ndryshe, Organizata D-8 për Bashkëpunim Ekonomik u themelua më 15 qershor të vitit 1997 me iniciativë të liderit të ndjerë turk, Necmettin Erbakan. Ajo kishte për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit dhe pasurimin e marrëdhënieve ekonomike dhe sociale mes Turqisë, Iranit, Pakistanit, Bangladeshit, Malajzisë, Indonezisë, Egjiptit dhe Nigerisë.

Sot, D-8 ka një PBB të kombinuar prej 3,7 trilionë dollarësh dhe përfshin më shumë se një miliard njerëz, konkretisht rreth 15 për qind të popullsisë së botës.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here