Ekonomia turke u rrit me 5% në çerekun e parë 2017

0
108

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Turqisë (TUIK) në tremujorin e parë të 2017-ës ekonomia turke është rritur me 5%, duke i tejkaluar parashikimet.

Në tremujorin e parë të 2017-ës ekonomia e Turqisë është rritur me 5%.

Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK) ka publikuar të dhënat e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) për çerekun e parë të vitit 2017 (periudha janar-mars 2017).

Sipas të dhënave të fundit, parashikimi i PBB-së si indeks zinxhiror i vëllimit në çerekun e parë të këtij viti është rritur me 5% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Ndërsa i përllogaritur me metodën e prodhimit parashikimi i PBB-së, për të njëjtën periudhë është rritur me 14,3% sipas çmimeve rrjedhëse dhe është realizuar në shifrën 641 miliardë e 584 milionë lira turke (182,3 miliardë dollarë).

Vlera e shtuar totale e sektorit bujqësor për periudhën janar-mars të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e llogaritur si indeks zinxhiror i vëllimit, ka shënuar një rritje me 3,7%; vlera e shtuar totale e sektorit industrial është rritur me 5,3%; kurse ajo e sektorit të ndërtimit është rritur me 3,7%. Ndërsa vlera e shtuar e sektorit të shërbimeve, të formuar nga shuma e aktiviteteve të shërbimit në sektorin e tregtisë, transportit, akomodimit dhe ushqimit, është rritur me 5,2%.

Mesatarja e parashikimeve të ekonomistëve, që morën pjesë në anketën e sektorit të financës të agjencisë së lajmeve AA në lidhje me rritjen e ekonomisë në tremujorin e parë të vitit, kishte qenë 3,8%.

Në çerekun e parë të vitit të kaluar ekonomia turke ishte rritur me 4,5%, kurse rritja vjetore kishte dalë 2,9%. Kurse në tremujorin e fundit të vitit të kaluar (2016) raporti i rritjes ekonomike kishte qenë 3,5%.

Rritja e fuqishme solli rekorde të reja edhe në bursë.

Indeksi i Bursës së Stambollit, BIST 1000, pas rritjes së çerekut të parë mbi parashikimet e tregut, theu rekord me 99.455,58 pikë.

Ministri i Ekonomisë, Nihat Zejbekçi (Nihat Zeybekçi), tha se Turqia arriti të shënojë një rritje ekonomike më të madhe se sa 23 vende anëtare të Bashkimit Evropian (BE).

Kurse ministri i Financave, Naxhi Aball (Naci Ağbal) shifrat e rritjes ekonomike i vlerësoi me këto fjalë: “Të dhënat që janë publikuar sot në lidhje me rritjen ekonomike kanë treguar edhe një herë se sa me vend kanë qenë stimulimet financiare që kemi zbatuar si qeveri. Këto stimulime kanë mbështetur rritjen e prodhimit, eksporteve dhe punësimit, i kanë dhënë shtysë kërkesës së brendshme”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here