Zekati, bujaria dhe shpenzimi

0
63

Lavdërimi i takon Allahut, i Cili e bëri të detyrueshëm zekatin, pastrim për shpirtrat dhe shtim për pasuritë, i Cili për shpenzimin në rrugën e Tij ka përcaktuar sevapin dhe shpërblimin e madh, e veçanërisht në këtë muaj fisnik.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, të dërguar mëshirë për botët, argument për të gjithë njerëzimin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Muslimanë të nderuar!

Muaji Ramazan është muaji i bërjes së garës për në mirësi, bujari, fisnikëri, bamirësi, është muaji i ngushëllimit dhe përgjigjes ndaj nevojave, muaji i ndihmës reciproke dhe i solidaritetit. Me disa prej këtyre koncepteve do të ndalemi në ndalesat vijuese:

Ndalesa e parë:

Imami i imamëve, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, konsiderohet i pari garues sa i përket bujarisë, bamirësisë dhe ndihmës së të tjerëve. Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, shënojnë nga Ibën Abasi, kënaqësia e Allahut qoftë me të dy, i cili thotë: “Pejgamberi, paqja e Zotit qoftë mbi të, ishte njeriu më bujar dhe bëhej edhe më shumë bujar në muajin Ramazan, sepse Xhibrili e takonte çdo natë të muajit të agjërimit. I Dërguari i Allahut e përsëriste Kur’anin për të. Kur Xhibrili e takonte atë ai bëhej më bujar se era e shpejtë në kryerjen e veprave të mira.[1]

Imam Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, lidhur me udhëzimin e tij sa i përket lëmoshës thotë: “I Dërguari i Allahut ishte njeriu që më së shumti jepte lëmoshë, dhënia e tij ishte dhënia e atij që nuk i frikësohet varfërisë. Dhënia e pasurisë ishte vepra më e dashur për të. Gëzimi dhe lumturia e tij lidhur me atë e jepte ishte më e madhe sesa gëzimi i atij që merrte. Ishte njeriu më bujar, dora e tij e djathtë ishte më e shpejtë sesa era. Kur i paraqitej ndonjë i varfër i jepte përparësi më shumë se vetes, herë me ushqim e herë të tjera me rrobat e tij. Dhënia e tij ishte e llojllojshme, herë dhuronte dhurata, herë të tjera lëmoshë, e herë të tjera duke blerë diçka e më pas ia dhuronte shitësit vlerën bashkë me artikullin. Lëmosha e tij ishte me atë që posedonte, me pasurinë e tij dhe me fjalët e tij. Urdhëronte për sadaka dhe nxiste për të me fjalët dhe veprat e tij. Udhëzimi i tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thërriste në bamirësi, lëmoshë dhe vepra të mira.”[2]

Më pas, Allahu e mëshiroftë, vazhdon e thotë: “Nëse e kuptove atë që përmenda më lart nga morali i tij, paqja e Allahut qoftë mbi të, atëherë Umeti duhet ta marrë si model atë në bujari dhe në të kapurit pas moralit të tij, duke shtuar këtë në muajin Ramazan; për shkak të nevojës së njerëzve; për shkak të preokupimit të shumicës së tyre me agjërim dhe namaz; për shkak të vlerës së kohës dhe shumëfishimit të shpërblimit të vepruesit në të si dhe duke i bërë agjëruesit, falësit dhe adhuruesit të vazhdojnë në nënshtrimin dhe përuljen e tyre ndaj Allahut, me qëllim që t’i regjistrohet atij sikur shpërblimi i tyre.”[3] Nuk ka koment lidhur me këtë, i Dërguari i Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të, është shëmbëlltyrë dhe model për muslimanët.

Ndalesa e dytë:

S’ka dyshim se prej të drejtave më të mëdha financiare të njeriut është zekati i obliguar, një ndër shtyllat e Islamit, bazat e tij madhore, shoqërues i namazit sa i përket pozitës dhe dispozitave. Përmendja e tij është përsëritur në Kur’an në më tepër se njëqind ajete, për shkak të vlerës së madhe, pozitës së lartë, shpjegimin e rëndësisë së tij. Allahu i Lartësuar thotë:

“Faleni namazin, jepeni zeqatin dhe jepini Allahut një hua të mirë (që Ai t’jua kthejë shumëfish). Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer. Kërkoni faljen e Allahut, sepse Allahu është vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” (Muzzemmil, 20)

Gjithashtu thotë:

“Faleni namazin, jepeni zeqatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).” (Bekare, 43)

Për këtë Allahu i Lartësuar ka përmendur shpërblim të madh për nxjerrjen e tij dhe ka bërë zëvendësim të shpejtë në këtë botë dhe të mëvonshëm në botën tjetër. Allahu i Madhëruar thotë:

“Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë.”(Sebeë, 39)

Ka bërë që shpërblimet për këtë të shumëfishohen tepër. Ai thotë:

“Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (Bekare, 261)

Gjithashtu thotë:

“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Ali Imran, 133-134)

Ndalesa e tretë:

Ashtu sikur që dhënësi i zekatit ka një shpërblim dhe sevap të madh, ashtu edhe penguesi i zekatit ka bërë mëkat dhe gjynah të madh në këtë botë dhe në botën tjetër. Ebu Bekri, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i ka luftuar ata që e pengonin dhënien e zekatit, të cilin ia jepnin të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë mbi të. Buhariu dhe Muslimi, shënojnë nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë:

“Kur vdiq Muhamedi, paqja e Zotit qoftë mbi të dhe atë e pasoi si kalif Ebu Bekri, kënaqësia e Allahut qoftë me të, disa arabë e lanë fenë duke u bërë shkak që Ebu Bekri t’u shpallë luftë atyre. Umeri i tha atij: “Pse duhet t’i luftosh këta njerëz, kur Pejgamberi  thotë: Jam urdhëruar t’i luftoj njerëzit, derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguar i Tij, të falin namazin dhe të japin zekatin. Nëse e bëjnë këtë kanë siguruar jetën dhe pasuritë e tyre, përveçse nga ajo që i detyrohen Islamit dhe llogaria e tyre është tek Allahu”.Ebu Bekri  iu përgjigj: “Pasha Allahun! Unë do t’i luftoj ata që e ndajnë namazin nga zekati, se zekati është detyrë mbi pasurinë. Pasha Allahun! Nëse ata do mbanin edhe një kec që e paguanin në kohën e të Dërguarit të Allahut, unë do t’i luftoja ata për atë ndalesë”. Pastaj Umeri tha: “Për Zotin! Ishte Ai që ia dha Ebu Bekrit  njohurinë e saktë për të luftuar dhe unë e mora vesh mirë se ai kishte pasur të drejtë.”[4]

Kërcënimi në botën tjetër është edhe më i rëndë. Buhariu dhe Muslimi gjithashtu shënojnë nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë me të, i cili thotë se i Dërguari i Allahut ka thënë:

Asnjë zotërues ari ose argjendi që nuk paguan zekatin nuk do të kursehet nga djegia e tij në zjarrin e xhehenemit dhe do të kthehet në pllaka. Pjesët anësore të kokës dhe balli i atij personi do të vulosen me to, derisa Allahu të gjykojë robërit e tij Ditën e Gjykimit, ditë e cila zgjat pesëdhjetë mijë vjet. Pastaj individit do t’i tregohet rruga, e cila e çon në parajsë ose në ferr.

Asnjë pronar devesh që nuk e paguan zekatin nuk do të kursehet. Ai do të shtrihet mbi një fushë të rrafshët rëre dhe devetë e tij do të kalojnë mbi të njëra pas tjetrës. Kur mbi të, të kalojë deveja e fundit, do të kthehet rishtazi të kalojë mbi të deveja e parë e tufës, derisa Allahu të lajmërojë gjykimin e robërve të tij në një ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet. Individit në fjalë do t’i tregohet rruga e tij që e çon në parajsë ose në ferr.

Në të njëjtën mënyrë, asnjë pronar delesh, që nuk paguan zekatin nuk do të kursehet. Ai do të shtrihet përpara tyre në një fushë me rërë dhe delet do të kalojnë sipër tij me aq fuqi sa do vijnë dhe do ta shkelin me thundrat e tyre dhe do ta shpojnë me brirët e tyre – me brirë të përdredhura ose pa brirë vijnë njëra pas tjetrës. Kur mbi të, të kalojë kafsha e fundit, do të kthehet rishtazi të kalojë mbi të kafsha e parë e tufës, derisa Allahu të lajmërojë gjykimin e robërve të Tij në një ditë që zgjat pesëdhjetë mijë vjet. Individit në fjalë do t’i tregohet rruga që e çon në parajsë ose në ferr.”[5]

Ky është argument i qartë i cili e vërteton fjalën e Allahut të Lartësuar, i Cili thotë:

“Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm. Do të vijë dita, kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!” (Tevbe, 34-35)

Ndalesa e pestë:

Nxirreni zekatin e pasurisë suaj me dëshirë dhe me kënaqësi të shpirtit tuaj, do të jetë pastrim për ju, kalitje për zemrat tuaja, siguri për pasurinë, pastrim dhe rritje e saj, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira!” (Tevbe, 103)

Kryeni zekatin e pasurisë suaj do të jetë mburojë për ju nga zjarri, ashtu siç thotë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të:

Ruajuni zjarrit qoftë dhe me një gjysmë hurme.[6]

Sadakaja e shlyen gabimin, ashtu siç uji e shuan zjarrin.[7]

Kryeni zekatin e pasurisë suaj në mënyrë që të shpëtoni përfundimit të tij të tmerrshëm, ashtu siç  thotë i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të:

“Kush e jep zekatin për pasurinë e tij, e ka larguar nga vetja fatkeqësinë.”[8]

Jepeni zekatin e pasurisë suaj para se të shkoni nga ajo ose të shkojë ajo nga ju. Transmetohet se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka thënë:

“Njeriu thotë: Pasuria ime! Pasuria ime!, ndërsa nuk e di se njeriu nuk ka pasuri përveç asaj, që e han dhe harxhon, vesh dhe vjetërson dhe jep lëmoshë dhe e deponon, ndërsa çdo gjë tjetër shkon dhe ua lë njerëzve.”[9]

Gjithashtu është transmetuar nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, se ka thënë:

Kush prej jush e ka më të dashur pasurinë e trashëgimtarit të tij se sa pasurinë e tij? Thanë: O i Dërguari i  Allahut, çdokush prej nesh e do më shumë pasurinë e tij. Atëherë Pejgamberi tha: “Pasuria e vërtetë e njeriut është ajo që ai rezervon për veten (shpërblimin duke e dhënë atë sadaka), ndërsa pasuria e trashëgimtarëve është ajo që ai lë pas.[10]

Jepeni zekatin e pasurisë suaj, ju falen mëkatet tuaja, ju shumëfishohen mirësitë tuaja. Allahu i Lartësuar thotë:

“T’i jepni lëmoshat haptazi, është gjë e mirë, por t’ua jepni ato të varfërve fshehurazi, është edhe më mirë dhe ju shlyen disa nga gjynahet tuaja. Allahu e njeh mirë çdo vepër që ju bëni.”(Bekare, 271)

O ju muslimanë!

Shfrytëzoni këtë stinë të madhe, ajo është stinë e fitimit që nuk humb, në të bëjnë gara garuesit, jepni më shumë zekatin, sadakanë dhe shpenzoni që t’u pastrohet dhe shtohet pasuria juaj, t’u pastrohen shpirtrat tuaja, i mbuloni nevojat e vëllezërve tuaj, merrni pjesë në luftimin e armiqve tuaj, ndihmohuni në mes veti në të mira dhe në devotshmëri. Sot punoni kurse nesër llogariteni dhe shpërbleheni.

E lus Allahun e Madhërishëm, të na falë në këtë muaj të bekuar, të na mbulojë lëshimet dhe gabimet tona. Ai është Dëgjuesi dhe Pranuesi i lutjeve, Atij i kërkohet ndihma!

Në ndalesat e paraprira kemi biseduar rreth rëndësisë së zekatit në Islam, domosdoshmërinë e shpenzimit në rrugën e Allahut të Lartësuar, dobinë e madhe që e ka përgatitur Ai për shpenzuesit e pasurive të tyre në kohë vështirësish dhe mirëqenies si dhe për kërcënimin e ashpër për atë që tregohet koprrac, dorështrënguar dhe dorëmbledhur.

Në vijim, vazhdojmë bisedën me të njëjtën tematikë me ndalesat vijuese:

Ndalesa e parë:

Prej kushteve më rëndësishme të nxjerrjes së zekatit është: Nijeti i sinqertë, ngase veprat vlerësohen sipas qëllimeve dhe se çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka vepruar dhe na bazë të fjalëve të Allahut të Madhërishëm:

“E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin e të jepnin zeqatin. Kjo është feja e drejtë.” (Bejine, 5)

Ndaj, për atë që do të nxjerrë zekatin duhet sinqeriteti dhe painteresi, me këtë vepër ai nuk kërkon dyfytyrësi dhe hipokrizi, për faktin se nëse e bën për këtë ajo do t’i shndërrohet në humbje dhe fatkeqësi. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, ka përmendur se ata që kërkojnë dyfytyrësinë dhe hipokrizinë apo synime të tjera të prishura të kësaj bote, e ekspozojnë veten para një rreziku të madh. Është transmetuar nga Ebu Hurejra, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të, i cili thotë se e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, të thotë:

“Prej njerëzve të parë ndaj të cilëve do të shpallet dënimi në Ditën e Gjykimit do të jetë… dhe njërin prej tyre përmendi: Një pasanik, të cilin Allahu e kishte bërë të pasur duke ia dhënë të gjitha llojet e pasurisë. Ai do të sillet dhe Allahu do ta njoftojë me veprat që i ka bërë. I Madhëruari do t’i thotë: “Çfarë bëre me këto?” Ai do të përgjigjet: “Nuk lash vend pa e shpenzuar pasurinë time për hir Tëndin.” Allahu do t’i thotë: “Gënjen! E ke shpenzuar pasurinë vetëm që të thonë për ty se je dorëdhënës! Dhe vërtet ashtu ishte. Pastaj do t’u urdhërohet (engjëjve të rreptë) që të tërhiqet zvarrë me fytyrë përtokë derisa të hidhet në zjarr.”[1]

Prej gjërave që ndihmojnë për sinqeritet: Nxjerrja e zekatit fshehurazi, sepse kjo është më larg dyfytyrësisë dhe hipokrizisë, më larg përuljes dhe nënçmimit të të varfrit. Është transmetuar se një ndër shtatë kategoritë që do t’i fusë Allahu nën Hijen e Tij, atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër përveç Hijes së Tij: “Atë burrë, i cili jep lëmoshë dhe e fsheh atë sa që nuk e di e majta e tij se çka ka dhënë e djathta e tij.”[2]

Ndalesa e dytë:

Ai që e nxjerr zekatin të kujdeset që t’i jep atyre që e meritojnë atë, kurse ata janë tetë kategori, të cilët i ka përmendur Allahu në fjalën e Tij:

“Lëmosha e zeqatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur.” (Tevbe, 60)

Ki kujdes – vëllai im musliman – që ta nxjerrësh zekatin e pasurisë sate jo për këta tetë kategori. Përpiqu aq sa ke mundësi që t’i japësh atij që do të përfitojë më tepër se të tjerët, veçanërisht të devotshmëve, të cilët nuk i shtrijnë duart e tyre dhe nuk u kërkojnë njerëzve me ngulmim, e sidomos ata veçohen nëse janë kërkuesit dhe nxënësit e dijes, për faktin se me dhënien atyre i ndihmon për dijen dhe përhapjen e fesë. Mos të arsyetohet dhënësi i zekatit se ai nuk mund t’i gjejë ata, por duhet t’i kërkojë, hulumtojë e t’i lyp, ka për t’i gjetur. Ndaj, mos u trego neglizhues në këtë aspekt, sepse kjo është prej fesë.

Fatkeqësisht, shohim disa njerëz e kanë bërë zakon t’u japin zekatin e pasurisë së tyre njerëzve që nuk e meritojnë atë, si p.sh të jenë të pasur, justifikohet duke thënë se i është bërë traditë e nuk dëshiron ta ndërprenë. Disa të tjerë i japin njerëzve që paraqiten si të varfër e nevojtarë, megjithatë ata kanë mundësinë e të punuarit dhe të fituarit, por të tillët e kanë gjetur qetësinë në marrjen e zekatit, ndërsa disa të tjerë u japin të afërmve, mbikëqyrjen dhe shpenzimin ndaj të cilëve e ka obligim. Ndaj, të tillët dhe të ngjashëm me ta nuk e meritojnë zekatin. Kush mëson për gjendjen e tyre para se t’u japë zekatin, nuk bie nga ai obligimi.

Ia vlen të ceket këtu se zekati duhet tu jepet të afërmve, ndaj të cilëve nuk ka obligim dhënësi i zekatit mbikëqyrjen dhe shpenzimin, ngase në këtë ka përkushtim ndaj të afërmve dhe sadaka. Gjithashtu duhet dhënë edhe luftëtarëve në rrugën e Allahut, sepse në këtë ka sadaka dhe xhihad, njëkohësisht ai duhet ta shpërndajë zekatin e pasurisë së tij tetë kategorive të ndryshme që të përgjithësohet përftimi dhe dobia.

Ndalesa e tretë:

Të japë pasurinë më të mirë, më të dashur për të dhe atë që është e lejuar, ngase Allahu i Lartësuar është i Mirë dhe nuk pranon veçse të mirën. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Mos dhuroni nga ato gjëra të pavlefshme të pasurisë suaj e të cilat ju nuk do t’i pranonit ndryshe veçse symbyllur.” (Bekare, 267)

Gjithashtu thotë:

“Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni.” (Ali Imran, 92)

Buhariu dhe Muslimi shënojnë nga Enesi, kënaqësia e Allahut qoftë me të, tregon se Ebu Talha ishte njeriu që kishte më shumë hurma në Medinë, kurse pjesa më e dashur e tij ishte një copë tokë që quhej Bejruha – copë e tokës në Medinë. Kjo copë e tokës gjendej para xhamisë, kurse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, hynte dhe pinte ujë nga uji i mirë i atij kopshti. Kur zbriti ajeti:

“Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni.”

U ngrit Ebu Talha dhe tha: O i Dërguar i Allahut, Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni.”, e toka më e dashur e imja është Bejruha, le të jetë sadaka për hir të Allahut, shpresoj të mirën e saj dhe shpresoj të jetë e rezervuar te Allahu, bën me të çka të duash. Atëherë Pejgamberi i tha:

“Kjo është pasuri e fituar. Unë dëgjova se çka the, mirëpo unë mendoj se është ma mirë t’ua ndash të afërmve.” Ebu Talha tha: Kështu do të veproj, o i Dërguar i Allahut! Ebu Talha këtë pasuri ua ndau të afërmve dhe djemve të axhallarëve të tij.”[3]

Ndalesa e katërt:

Të orvatet dhënësi dhe nxjerrësi i zekatit ta konsiderojë dhënien e tij si të vogël dhe jo të madhe, sepse ai që krenohet dhe e quan të madhe veprën, do të vetëpëlqehet me të, ndërsa nëse vetëpëlqimi futet në shpirt e do ta e prishë atë, nëse e përzien me zemrën e prish sinqeritetin. Dhënësi i zekatit gjithnjë duhet të kujtojë se pasuria është e Allahut, ndërsa është amanet tek ai. E tërë mirësia në këtë është e Allahut, le ta falënderojë Atë me fjalët dhe me veprat e tij për atë që i ka dhënë këtë pasuri dhe ia ka lehtësuar përmbushjen e të drejtës së saj.

Ndalesa e pestë:

Mos ta çojë dëm zekatin e tij duke ua kujtuar atë (atyre që u ka dhënë) dhe duke fyer, ngase njeriu kur e sheh veten bamirës ndaj të varfrit dhe mirëbërës ndaj tij, ndoshta kjo mund t’i ndodhë atij. Mirëpo, nëse do të shikonte me vëmendje do të vërente se i varfri konsiderohet bamirës me pranimin e të drejtës së Allahut e që është pastrim për të pasurin, duke ia shtuar kësaj edhe faktin se nxjerrja e tij e zekatit është mirënjohje ndaj dhuntisë së Allahut që ia ka dhuruar atij. Ndaj, ndërmjet tij dhe të varfrit nuk mbetet lidhja, e as nuk duhet nënçmuar të varfrin për shkak të varfërisë së tij, ngase epërsia dhe përparësia nuk krahasohet me pasuri, e as mangësia me mospasjen e saj.

Ndalesa e fundit:

Muslimani duhet të orvatet që të shpenzojë nga ajo që posedon, qoftë ajo edhe e pakta, dhe qoftë edhe nëse nuk e ka detyrim zekatin. Njëlloj a ka shpenzuar për të varfrit dhe nevojtarët, ose në projektet e ndryshme të dobishme, si; për mësimin e Kur’anit përmendsh, kontributi për shoqatat humanitare bamirëse, ndërtimin e xhamive, ndihma ndaj luftëtarëve në rrugë të Allahut, përkujdesjen ndaj jetimëve dhe fusha të tjera të shumta. Të gjitha këto do t’i kompensojë dhe zëvendësojë Allahu i Lartësuar:

“Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë.” (Sebeë, 39)

Gjithashtu Ai thotë:

“Çfarëdo mirësie që bëni për shpirtin tuaj, me siguri që do ta gjeni tek Allahu. Ajo do të jetë më e mirë dhe më e shpërblyer.” (Muzzemmil, 20)

Kurse i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Zotit qoftë mbi të, thotë:

Ruajuni zjarrit qoftë dhe me një gjysmë hurme.[4]

Vëlla musliman!

Vërtet, disa që Allahu i ka begatuar me begatinë e pasurinë, e sheh duke e shpenzuar atë në lojë, dëfrim, argëtim dhe luks pa llogari, kur thirret që të shpenzojë dhe kontribuojë për në mirësi, tregohet koprrac dhe dorëmbledhur, përveç nëse pas kësaj shpreson dhe synon ndonjë interes të kësaj bote. I tilli dhe të ngjashmit me të, e ekspozojnë veten e tyre rrezikut të madh në këtë botë dhe në botën tjetër. A nuk e di se Allahu i Madhërishëm ka për ta pyetur nesër për këtë pasuri: Si e ka fituar atë dhe ku e ka shpenzuar?

E lus Allahun e Lartësuar të na dhurojë sinqeritet në fjalë dhe në vepra dhe të na përmirësojë gjendjen, Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma!

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/


[1] Muslimi, 3/1513 nr. 1905. Ahmedi në Musned 2/322.

[2] Buhariu, 12/112 nr. 6806. Muslimi 2/715 nr. 1031.

[3] Buhariu me Fet’h, 3/325 nr. 1461. Muslimi, 2/693 nr. 998.

[4] Buhariu nr. 1413. Muslimi nr. 1016.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here