“Kompanitë gjermane besojnë në investime afatgjate në Turqi”

0
164

Drejtori ekzekutiv i Unionit të Odave Ekonomike dhe Industriale të Gjermanisë (DIHK), Martin Wansleben, tha se kompanitë gjermane bëjnë investime afatgjate në Turqi

STAMBOLL (AA) – Drejtori ekzekutiv i Unionit të Odave Ekonomike dhe Industriale të Gjermanisë (DIHK), Martin Wansleben, tha se kompanitë gjermane bëjnë investime afatgjate në Turqi. Sipas tij, edhe përkundër vendimit të S&P dhe të Moody’s, kompanitë gjermane në Turqi besojnë në investime afatgjate në këtë shtet. Ai shtoi se disa investime janë shtyrë për ditë më të mira.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA), Wansleben deklaroi se kompanitë gjermane janë kompanitë që bëjnë investime më të mëdha në Turqi, dhe kjo dëshmon për marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Gjermanisë që paraqet besueshmëri për popullin turk dhe për Turqinë.

“Gjashtë mijë kompani gjermane anëtare të DIHK kanë investime në Turqi. Turqia dhe Gjermania kanë raporte shumë të afërta. Unë jam rritur në qytetin Këln dhe shumica e fqinjëve kanë qenë turq”, tha Wansleben, duke shtuar se më shumë se 3 milionë kompani të Gjermanisë janë anëtarë në DIHK, dhe se 79 Oda Ekonomike dhe Industriale janë të lidhura me DIHK.

Wansleben u shpreh se janë të vetëdijshëm për porblemet me të cilat Turqia është përballur kohëve të fundit. “Edhe Evropa, Gjermania dhe shumë shtete janë duke përjetuar vështirësi. Bordet për vlerësimin e kreditimit, kanë paraqitur një vlerësim me afat të shkurtër për kreditimin e Turqisë. Mirëpo kompanitë gjermane kanë perspektiva afatgjate në Turqi. Ne i dimë vështirësitë që përjetohen dhe premtimet që i janë dhënë Turqisë”, shtoi ai.

“Besojmë në ardhmërinë e fortë të Turqisë”

Wansleben tha se kompanitë gjermane bëjnë investime afatgjate në Turqi. Ai gjithashtu tha se besojnë në ardhmërinë e fortë të Turqisë dhe në potencialin që ofron Turqia.

Ai ka nënvizuar se beson në investimet afatgjate të kompanive gjermane që gjenden në Turqi, edhe përkundër vendimit të bordeve për vlerësimin e kreditimit, Standard & Poor’s dhe Moody’s.

“Disa investime janë shtyrë për ditë më të mira. Përparësia më e madhe e Turqisë është popullsia e re dhe kjo është një avantazh i madh, sepse popullata me moshë të re krijon forcë të punës si dhe klientelë. Ky është një avantazh i madh për njerëzit, kompanitë, si dhe për një ekonomi dhe për një shoqëri që janë në zhvillim e sipër. Jemi në bashkëpunim me Unionin e Odave dhe Bursave në Turqi (TOBB). Ka afër 10 vite që njihemi mes vete, si personalisht, ashtu edhe në nivel institucional. Me TOBB punojmë në një mënyrë të afërt dhe të fortë. Kemi dëshirë që turqit dhe gjermanët të bëjnë punë mes vete”, tha Wansleben.

Wansleben gjithashtu shtoi se i kanë informuar kompanitë gjermane për potencialin e Turqisë dhe fuqinë e saj në rajon.

“Ndërmarrjet e mesme janë boshti kurrizor i Turqisë dhe Gjermanisë”

Më tej drejtori ekzekutiv i DIHK, Wansleben tha se në Stamboll dhe në Berlin paraqiten start-up-e të rëndësishme. Sipas tij, ndërmarrjet e mesme përbëjnë boshtin kurrizor të Turqisë dhe Gjermanisë dhe se këto ndërmarrje kanë bashkëpunime të forta. Ndërsa sipas tij, rregulli më i rëndësishëm për këtë është vazhdimi i dialogut.

Wansleben bëri të ditur se detyra DIHK është t’i takojë kompanitë gjermane me popollatën e re dhe të shkathtë të Turqisë, duke shtuar se përkrahja e qeverisë turke ndaj kompanive të reja është një gjë e mrekullueshme.

Ai nënvizoi se ka ardhur në Turqi tre ditë pas tentativës për puç më 15 korrik. “Shumë njerëz më thanë ‘Është e rrezikshme tani në Turqi, mos shko’ ndërsa unë thash ‘Në fakt pikërisht tani duhet të shkoj’ dhe u tregova se duhet të shkoj për shkak të miqësisë time ndaj popullit turk dhe për të dhënë përkrahjen time”. theksoi Wansleben.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here