Hoti : Po unifikohen ekonomitë e Kosovës dhe të Shqipërisë

0
62

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka marrë pjesë sot në Forumin e parë Ekonomik Kosovë-Shqipëri, i cili po mbahet në Prizren i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Me këtë rast Hoti theksoi se integrimi ndër shqiptarë bëhet përmes kësaj forme të bashkëpunimit.

“Dy ekonomitë po unifikohen çdo ditë, po shfrytëzojnë komplementaritetet në turizëm, bujqësi, energjetike dhe sektorë të tjerë. Jemi duke punuar drejt unifikimit të plotë ekonomik ndër shqiptar”, shtoi ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se diskutimet e të dy krerëve të përfaqësuesve të bizneseve dhanë mesazhe te tyre të qarta sa i përket bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, sidomos bashkëpunimit ndërinstitucional.

“Unë kam gjetur një gjuhë shumë të mirë me homologët e mi në Shqipëri dhe shumë prej çështjeve janë zgjidhur dhe brenda dy ose tri viteve ne mund të flasim për unifikim të ekonomive tona. Për aq sa kam njohuri për bizneset ka shumë fusha ku janë komplementare. Jam maksimalisht nacionalist në promovimin ekonomik”, tha ai duke shtuar se “jemi duke shikuar në çfarë mase marrëveshja e CEFTA-së është duke i mbrojtur bizneset, sepse shumë vende fqinje nuk po i respektojnë të drejtat që dalim nga kjo marrëveshje. Kemi bërë progres relativisht të mirë te njohja e certifikatave të ndryshme me Shqipërinë, ku janë mbi 20 që janë pranuar në mënyrë reciproke”.

Kyetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, tha se pjesëmarrja e të gjithë akterërve në këtë takim dëshmon për forcimin e urave të bashkëpunimit në mes dy shteteve dhe të një populli të ndarë.

“E veçanta e krejt kësaj në këtë takim është se kemi një preminencë të akterëve që janë të rëndësishëm për ekonominë e dy shteteve”, shtoi kryetari Gërxxhaliu.
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë Nikolin Jaka, theksoi se ky aktivitet ka një rëndësi për të ofruar një të ardhme për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve.

“Sot është një aktivitet jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe kjo vuloset nga prezenca e madhe këtu. Sot jemi këtu për të ofruar një të ardhme tjetër dhe lëvizje tjetër për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe këtë nuk do ta bëjmë me fjalë dhe deklarata të nacionalizmit, por me veprime”, shtoi Jaka.

Ai gjithashtu tha se “Ne mblidhemi shpesh dhe diskutojmë për problemet dhe hallet që kemi, por qeveritë tona duhet të na krijojnë mekanizmin se si të suportohen produktet tona. Do të bëja një thirrje qeverive se nuk mjafton vetëm mbështetja, heqja e burokracive, por që tani duhet të mendojmë për një strategji afatgjate, në mënyrë që qeveritë tona të krenohen me sipërmarrësit tanë”, tha ai.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here