Brezovica, aty ku serbët po i bëjnë zborr shtetit të Kosovës

0
190

Qendra turistike Brezovica e cila gjendet në Komunën e Shtimes është vendi ky ku një numër i madh i shqiptarëve kalojnë pushimet apo një vikend, ndërsa serbët vazhdojnë ta menaxhojnë. Ata nuk e njohin shtetin e Kosovës.

Si pasojë e kësaj situate, kjo qendër ka mbetur e pazhvilluar si dhe ende nuk është privatizuar.

Brezovica është njëra nga asetet ku Serbia po e shpërfaq ndikimin dhe fuqinë në Kosovë. Kjo gjë është vërejtur kohëpaskohe ndër vite. Javën e kaluar është raportuat se aty është ndaluar një garë e skijimit për shkak të ndikimit të serbëve dhe kundërshtimit që ata vazhdojnë t’i bëjnë shtetit të Kosovës.

Federata Skitare e Kosovës (FSK) në kalendarin e saj për sezonin e ri ka paraparë t’i mbajë dy gara në qendrën e skijimit në Brezovicë. Por, as Kupën e Brezovicës që është paraparë të mbahet në janar e as garën ndërkombëtare në shkurt të vitit të ardhshëm nuk do t’i mbajë.

Federata Skitare e Kosovës, nuk ka arritur marrëveshje me ata që menaxhojnë shtigjet në Brezovicë, meqë kanë vënë kushte që për palën kosovare janë të papranueshme.

Sipas zyrtarëve të Federatës Skitare të Kosovës, serbët që menaxhojnë me shtigjet dhe pajisjet tjera për skijim në këtë qendër kanë vënë si kusht kryesor mosshfaqjen e simboleve shtetërore.

Menaxhimi i këtij resorti nga serbët ka ndikuar që të ketë kushtëzime të tilla në vazhdimësi. Gjithashtu aty vendosen pengesa (rampa) në hyrje të kësaj qendre dhe vizitorët janë detyruar që të paguajnë për të hyrë.

Këtë kushtëzim e kishte hequr Ministri i Mjedisit, Dardan Gashi para dy viteve duke e konsideruar si të paligjshme.

“Ka kohë që qytetarët detyrohen të paguajnë jo pak para kur duan ta shijojnë. Kjo laurë (rampë) dhe ky parking që e ka vendosur Komuna e Shtërpcës janë të paligjshme dhe e habitshme njëkohësisht, sepse parqet nacionale nuk janë pronë komunale, por janë e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, pati deklaruar ish-ministri, Dardan Gashi.

Por vitin e kaluar, kjo rampë dhe detyrimi për pagesë ishte kthyer sërish. Në lidhje me këtë veprim, pati reaguar sërish Gashi.

“Përulja e kësaj qeverie ndaj ekstremistëve serbë manifestohet edhe me një fakt tjetër skandaloz: vitin që shkoi, me vendimin tim u rrënua postblloku ilegal i kryetarit të komunës së Shtërpcës Bratislav Nikoliç, ku qytetarët e Kosovës të cilët vizitojnë shtigjet e skijimit dhe bjeshkët e Brezovicës ilegalisht plaçkiteshin me gjobë hyrëse në Parkun Nacional nga ky i fundit” ka deklaruar ish-ministri Gashi.

Qeveria serbe pengoi privatizimin e Brezovicës

Tash e disa vite ka pasur tendenca për ta privatizuar këtë qendër të skijimit, por ky proces ka dështuar. Përgatitjet për privatizimin e kësaj qendre të skijimit, kanë filluar qysh para pesë vitesh, nga ish Agjencia Kosovare e Mirëbesimit. Në atë kohë, vetë anëtarët e bordit të kësaj agjencie, patën deklaruar se ndërhyrja nga Beogradi zyrtar dhe pakënaqësitë e banorëve lokalë, kanë penguar privatizimin e kësaj qendre turistike.

Në muajin dhjetor të vitit 2014 konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes” ishte shpallur fitues, me një çmim prej 409 milionë eurosh. Në investime ishte paraparë të bëhej zgjerimi apo krijimi i shtigjeve të klasit botëror për skijim, më të gjata se 100 kilometra (më të gjatat në Ballkan), të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera moderne, me standarde të sigurisë dhe të kualitetit më të lartë në rajon.

Por komiteti drejtues ndërministror i ngarkuar për zhvillimin e procedurave lidhur me Projektin për zhvillimin e qendrës turistike të Brezovicës, ka njoftuar se konsorciumi i udhëhequr nga kompania franceze, ka dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme për implementimin e fazës së parë për zhvillimin e projektit të Brezovicës.

Por kjo nuk duket të jetë arsyeja kryesore. Para se të anulohet ky proces, Marko Gjuriç, shefi i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, u kishte shkruar letër kompanive të përfshira në projektin e Brezovicës. Kjo letër u konsiderua se ka qenë vendimtare për fatin e këtij projekti.

Këtë letër e pati konfirmuar vet Gjuriç. Ai madje e ka konfirmuar edhe kërcënimin me padi. Ka thënë se bisedimet me ata që duan të uzurpojnë pasurinë e huaj janë të pakuptimta dhe se investitorët në këtë rast do të binin pre e ligjeve, vendore dhe ndërkombëtare.

“Ne vetëm i kemi njoftuar investitorët potencialë se investimet janë të mirëseardhura, porse për investime duhet biseduar me pronarët e jo me ata që duan të uzurpojnë pasuri”, ka thënë Gjuriç për gazetën “Blic” të Beogradit.

Pas publikimit të letrës kërcënuese, Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë reagim, porse dy ditë më vonë e ka dështuar projektin e Brezovicës me arsyetimin e mosplotësimit të kushteve nga investitori.

Qeveria e Serbisë në vazhdimësi ka kundërshtuar privatizimin e kompleksit Brezovica dhe përmes formave të ndryshme ajo e ka penguar këtë proces.

Dështimi i dhënies me koncesion të kompleksit turistik Brezovica, është humbje jashtëzakonisht e madhe për ekonominë e Kosovës, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë dhe përfaqësues të organizatave të turizmit në Kosovë. Ata thonë se kjo qendër ka potencial të madh turistik dhe është e pakuptimtë që të mos merren hapa konkret për të gjetur mënyrën më të mirë për ta funksionalizuar.

Kompleksi turistik, Brezovica, ndodhet në pjesën veriperëndimore të maleve të Sharrit në komunën e Shtërpcës, komunë kjo e banuar me shumicë serbe. Brezovica është qendër e njohur turistike që gjendet në lartësi mbidetare prej 900 deri në 2522 metra, me një hapësirë prej 2500 hektarësh. /tesheshi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here