Vlora, qyteti me papunësinë më të lartë në Shqipëri

0
87

Të dhënat e fundit të anketës tre-mujore të forcës së punës të INSTAT, tregojnë qartë se shkalla e papunësisë në Vlorë ishte 26.45, më e larta në vend dhe shumë më e madhe se mesatarja e vendit prej 15.5%.

Me pak fjalë, ky qytet që ka potencial të lartë turistik dhe portin e dytë më të madh në vend, ka më shumë të papunë, në raport me forcën aktive për punë, se në çdo qark tjetër në Shqipëri.

Po sipas statistikave, në raport me tremujorin e mëparshëm, papunësia në Vlorë është rritur lehtë (në tremujorin e parë ishte 26.3%), ndryshe nga pjesa më e madhe e qarqeve, që kanë parë një rënie të këtij treguesi në tremujorin e dytë të vitit.

Pjesa më e madhe e të punësuarve në Vlorë janë në shërbime, me rreth 52% të totalit, të ndjekur nga industria me 25.7% dhe bujqësia 22.4%.

INSTAT ka filluar për herë të parë këtë vit të publikojë në anketën tremujore të forcave të punës edhe ndarjen e papunësisë sipas qarqeve. Në tremujorin e dytë, qarku me papunësinë më të ulët është Dibra me 8.1%, e ndjekur nga Berati me 8.9% dhe Korça me 9.9%.

Në tremujorin e dytë 2016, shkalla e papunësisë për gjithë Shqipërinë ishte 15,5 % duke shënuar një ulje prej 1,1 pikë përqindje nga tremujori i parë i këtij viti.

Qytetet që kanë parë rënie më të madhe të papunësisë janë Tirana (-3.5 pikë përqindjeje), Gjirokastra (-3.3 pikë përqindjeje), Lezha (-2.1 pikë përqindjeje), Durrës (-1.4 pikë përqindjeje). Papunësia është rritur më shumë në Elbasan (+1.3 pikë përqindjeje) dhe Korçë (+1 pikë përqindjeje). /albeu.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here