Marrëveshja Shqipëri-Serbi për transportin ndërkombëtar firmoset brenda vitit

0
80

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë, Sokol Dervishaj në një intervistë për agjencinë serbe shtetërore të lajmeve TANJUG tha se marrëveshja për Transportin Ndërkombëtar Rrugor të Udhëtarëve dhe Mallrave do të nënshkruhet brenda vitit.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Shqipërisë, Sokol Dervishaj ka marrë pjesë në punimet e “Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi”, që u zhvillua në kryeqytetit serb, Beograd.

Ministri Dervishaj pas Samitit, dha një intervistë për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve TANJUG, ku ka folur për takimin.

Ministri Dervishaj është takuar me Ministren Serbe të Transportit Zorana Mihajlovic, ku është diskutuar dhe vendosur që Marrëveshja për Transportin Ndërkombëtar Rrugor të Udhëtarëve dhe Mallrave, të firmoset brenda këtij viti në Tiranë.

Shqipëria është anëtare bashkëthemeluese e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ/BSEC).

“Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu, në këtë takim të rëndësishëm, ku së bashku me homologen serbe Mihajlovic, diskutuam dhe vendosëm ta firmosim brenda këtij viti në Tiranë, “Marrëveshjen për Transportin Rrugor për Udhëtarët dhe Mallrat” mes vendeve tona. Kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme për raportet bilaterale Shqipëri-Serbi, sidomos tani që dialogu politik në nivelin e lartë, është konstruktiv, ku ka patur vizita të Kryeministrave të dy vendeve, duke krijuar dhe dhomën e ekonomike mes 2 vendeve. Tani ka ardhur koha për ti materializuar këto raporte me hapa konkrete”, është shprehur ministri Dervishaj në intervistën e dhënë për TANJUG.

“Në kuadër edhe të Procesit të Berlinit dhe Agjendës së Konektivitetit, me rëndësi mbetet planifikimi strategjik i rrugëve dhe autostradave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për ti afruar më shumë vendet dhe ekonomitë dhe popujt tanë. Prandaj besoj se është më shumë rëndësi, që ajo që planifikojmë dhe projektojmë sot, të jetë në shërbim të së nesërmes së përbashkët. Marrëveshja me Serbinë krijon lehtësira në transportin rrugor, si për udhëtarët dhe për operatorët ekonomik dhe bazohet në parimin e reciprocitetit. Ky është një zhvillim që do ta konsideroja pozitiv në marrëdhëniet mes 2 vendeve tona”, tha ministri Dervishaj.

Ndërsa shtoi se “në lidhje me shkëmbimet ekonomike, them se kemi potenciale ende të pashfrytëzuara mirë, si Porti i Durrësit apo dhe i Vlorës, që janë pika kyçe dhe mund të shërbejnë si një porta hyrëse dhe dalëse për rajonin e Ballkanit, me Evropën Perëndimore dhe me Lindjen”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here