Mbërrijnë ekspertët e huaj: kontroll llogarive bankare të fshehura nga gjyqtarë e prokurorë

0
157

Mbërrin në Tiranë një ekip ekspertësh që do të hetojë dërgimin e parave në banka nga ana e gjyqtarëve dhe e prokurorëve shqiptarë, si dhe investimet e tyre në kompani offshore.

Siç bëjnë të ditur burime pranë KLD-së, grupi prej 5 ekspertësh, 3 nga shtetet e BE-së dhe dy nga SHBA kanë bërë të ditur procedurat që do të ndiqen në këtë aspekt pasi ata janë të ftuar nga qeveria shqiptare për të kryer hetimin.

Siç mësohet, sekretaria e Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk ka bërë asnjë “rezistencë”, por pritet që të japin një qëndrim zyrtar Presidenti i Republikës që është ende kryetar i KLD-së dhe grupi i gjyqtarëve që e përbën këtë trupë.

Sakaq, siç bëri me dije dhe Top Channel, Ligji i Vettingut ka mbërritur në Komisionin e Venecias. Gjykata Kushtetuese nuk e vonoi procesin e përkthimit dhe ia arriti të realizojë dërgimin në Venecia të ligjit të përkthyer brenda tre ditëve nga marrja e vendimit për pezullimin e tij, duke përmbushur edhe pritshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për ta referuar çështjen pa vonesë në komisionin e përtejdetit.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja deklaroi se materiali është dërguar të premten pasdite bashkë me pyetjet përkatëse, të cilat reflektojnë dilemat e gjyqtarëve që morën vendimin e pezullimit.

Pyetjet kanë të bëjnë me përmbushjen nga ligji i Vettingut të standardeve të Konventes Europiane për të Drejtat e Njeriut. Veçanërisht në dy nene të tij, ato që përcaktojnë të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor dhe të drejtën për të respektuar jetën private dhe familjare.

Ligji i Vettingut detyron kontrollin e telefonit, mesazheve dhe çdo komunikimi tjetër të personave që do të punojnë në organet e reja të Vettingut dhe të disa organeve të tjera të drejtësisë, kryesisht atyre të SPAK-ut. Hera e fundit që Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias ishte marrja e opinionit për ligjin e pronave në fund të qershorit.

Kthimi i përgjigjes zgjati pothuajse 4 muaj, por besohet se me ligjin e Vettingut koha mund të shkurtohet ndjeshëm.

Siç mësohet Komisioni i Venecias nuk do ta vonojë përgjigjen dhe do ta trajtojë me prioritet çështjen e mbërritur nga Shqipëria, duke qënë se ky është një ligj që ka pezulluar të gjithë zbatimin e reformës në drejtësi. /tesheshi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here