PRIVATIZIMI I INDUSTRISË SË RËNDË LA MIJËRA TË PAPUNË

0
54

Industria e rëndë numëronte në vitet 90-ta rreth 18 mijë e 600 punëtorë, që kanë punuar në 65 ndërmarrje në të gjithë Kosovën, ku shtrihej veprimtaria e përpunimit të metaleve.

Por sot është një realitet krejt tjetër. Nga 18 mijë e 600, tash numri i të punësuarve në përpunimin e metaleve sillet 500 deri 600. 18 mijë nga ta kanë mbetur papunë.

Hasan Abazi, kryetar i Sindikatave Industriale të Kosovë, ka dhënë detaje për këtë industri gjigante dikur, e që tash pothuajse nuk ekziston.

“Kjo industri ka pasur në vitin 1990, diku rreth 18 mijë e 600 të punësuar, ndërsa në vitin 2000 në vendet e punës janë kthyer 9 mijë e 800 punëtorë. Pas privatizimeve të ndërmarrjeve ky numër sillet rreth 500-600, duke mos i llogaritur ndërmarrjet private të vogla që punësojnë 5-20 punëtorë e që kanë filluar punën vonë. Numri 500-600 varion sepse në disa ndërmarrje punëtorët punojnë pa vendim pune”, ka thënë Abazi.

Abazi tregon se në industrinë e përpunimit të metaleve plastikes dhe serviset për automjete kanë qenë rreth 65 ndërmarrje ku 50 ndërmarrje kanë pasur organizimin sindikal, ndërsa të tjerat jo. Në këto ndërmarrje nuk janë përfshi “Feronikeli”, “Minierat”, “Kimija” dhe “Përpunimi i Gomës”

Nga 65 ndërmarrje që kishte dikur metalurgjia, vetëm 9 nga to vazhdojnë punën me kapacitete të vogla, thotë Abazi.

“Deri tash janë privatizuar 58 ndërmarrje. Fabrikat që vazhdojnë punën me kapacitete të vogla janë 9 ndërmarrje: Radiatorët-Gjilan; Vegeltorja; Fabrika e Gypave; Eurometali-Ferizaj; Vinex -Viti; Fabrika e Baterive industriale -Pejë; Paimet e Procesit e Akumulatorët ‘Trepça’, Mitrovicë; Osatermosistemi-Rahovec. Paimet e Procesit dhe Akumulatorët në kompleksin e Trepçës nuk janë privatizuar. Për fatin e ndërmarrjeve në Gjakovë, ‘SH.A Elektromotori’ dhe ‘Metaliku’, nuk kemi informata për pozicionin e tyre, por ato nuk punojnë”, shkruan lajmi.net

Abazi thotë se statistikat e cekura më lart tregojnë se privatizimi në Kosovës ishte i dështuar. Sipas Abazit, privatizimi është bërë për qëllime përfitimi nga klanet politike.

“Vet statistikat e cekura më lart tregojnë se privatizimi në Kosovë ishte i dështuar. Me një ndërmarrje ku ka pasur rreth 500 të punësuar dhe ka pasur tregun, teknologjinë dhe ajo sot është e mbyllur, kjo nuk do koment .Për shembull ‘Llomkosi Vushtrri’, ‘Energoinvesti- Prishtinë’, ‘Amortizatorët-Prishtinë’, ‘Fani-Podujevë’ etj. Në fund mendoj se i tërë privatizimi ka shkuar në interes të individëve me ndikime politike dhe klaneve të tyre, me qellim të përfitimeve. P.sh-Famipa Prizren, Amortizatorët-Prishtinë,etj”.

Abazi thotë se sindikata që ai përfaqëson ka pasur qëndrim dhe kërkesë që privatizimi të ndërprehet.

“SPMK-ja gjithnjë ka pasur qëndrim dhe kërkesa që privatizimi të ndërpritet, këtë e kemi kërkuar duke ju drejtuar parlamentit me shkresës të SPMK-së, por edhe Shoqatat Sindikale”.

Abazi thotë se Kuvendi i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit duhet të rishqyrtojë privatizimin e deri tashmën.

“Parlamenti e Prokuroria ta rishqyrtojnë privatizimet e deritashëm me qellim të ruajtjes, jo vetëm vendet e punës, por një kulturë të industrisë dhe për të mirën e Ekonomisë së Kosovës. Mendojmë se me shkatërrimin e këtyre kapaciteteve industriale prodhuese dhe shndërrimin e tyre në depo e ndërtesa banimi, është shkatërruar e ardhmja e gjeneratës së re. Këto kapacitete të ndërtuara për një periudhë të gjatë është dashur të ruhen dhe të begatohen me të tjera që shteti i jonë të ketë një zvogëlim të papunësisë dhe buxhetin e sigurt”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here