Mbi 100 mijë euro grante për gratë e Mitrovicës

0
24

Tridhjetë e tre gra nga veriu dhe jugu i qytetit të Mitrovicës, përfituese të granteve në vlerë prej 112 mijë e 500 euro, kanë nënshkruar të martën kontratat në kuadër të projektit ‘Mjedisi i biznesit mbështetës për gratë që fillojnë biznese në veri dhe jug të Mitrovicës’.

Ky projekt është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes Programit për Zhvillim Rajonal të BE-së, ndërsa është implementuar nga organizata joqeveritare Community Building Mitrovica (CBM) në bashkëpunim me D & G Solutions, transmeton kp.

Gjatë një konference për media të organizuar me këtë rast, kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, ka premtuar se komuna e Mitrovicës do të angazhohet edhe në të ardhmen të sigurojë donacione të cilat do të përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Koordinatori i këtij projekti, Kenan Beqiri, potencoi se puna që është arritur të bëhet përmes këtyre granteve, do të jetë shumë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik e social të qytetarëve të Mitrovicës.

Sipas tij, organizata CBM nuk do të ndalet me kaq, por do të vazhdojë edhe në të ardhmen që përmes projekteve të tilla të ndikojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve pa dallim dhe në të dyja anët e qytetit të Mitrovicës.

Fatmire Musa, njëra nga përfitueset e grantit, duke falënderuar të gjithë ata që kanë mundësuar këtë projekt, tha se gratë përfituese tani përveç se do të ndihmojnë familjet e tyre, ato do të kenë mundësinë që edhe të pavarësohen ekonomikisht.

Edhe përfituesja tjetër nga veriu i Mitrovicës, Ollga Iliq, ka bërë të ditur se përmes këtyre granteve do të përmirësohet dukshëm problemi i papunësisë në këtë qytet.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here