Në arat e Gjilanit nisën korrje-shirjet, priten rendimente rekorde

0
124

Komuna e Gjilanit ka nisur zyrtarisht të premten fushatën e korrje-shirjeve.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, në hapjen zyrtare, ka thënë se këtë vit presin rendimente rekorde.

“Sot po fillojmë fushatën e lamëve në komunën tonë dhe jo rastësisht e kemi zgjedhur ta hapim në tokat e bukës në Cernicë, që është simbolika e bereqetit për këtë vit në Gjilan dhe Anamoravë. Sipas njoftimeve profesionale nga Drejtoria e Bujqësisë, sivjet presim rendimente rekorde. Pas korrje-shirjeve duhet të bëhemi gati për mbjelljet vjeshtore, që nënkupton korrjen e misrit, por edhe përgatitjet për mbjelljet sezonale”, është shprehur kryetari Haziri.

Ai tha se synim i Komunës së Gjilanit është që toka e bukës të shfrytëzohet maksimalisht, në mënyrë që të mos mbetet asnjë pëllëmbë toke pa u punuar.

“Në Gjilan po synojmë që asnjë pëllëmbë toke të mos e lëmë pa e mbjellë. Po punojmë shumë që, përveç grurit dhe kulturave tjera, në Gjilan të kthehet kultivimi i duhanit dhe jemi gati që t’i subvencionojmë bujqit qind për qind. Synimi yni është që toka e bukës të shfrytëzohet maksimalisht dhe i lus familjet bujqësore dhe pronarët e tokave që vërtetë të përgatiten këtë vjeshtë për punë. Me bereqetin e këtij viti, besoj që edhe sofra do të jetë e begatshme. Urime”, tha Haziri.

Drejtori i Bujqësisë në Gjilan, Ramiz Ramdani, ka informuar se në këtë vit janë të mbjella 3 mijë hektarë grurë.

“Sot, pas vlerësimit se janë krijuar të gjitha kushtet dhe është bërë pjekja teknologjike e grurin, e fillojmë zyrtarisht fushatën. Komisioni komunal nga sot e deri në përmbyllje të fushatës do të jetë në monitorim intenziv. Këtë vit i kemi 3 mijë hektarë të mbjellura me grurë, 100 hektarë me elb dhe 130 hektarë me tërshërë. Në komunën e Gjilanit janë 68 kombanja dhe për dy javë besoj se do ta përfundojmë fushatën e korrje-shirjeve”, ka thënë Ramadani.

Për fund, kryetari Haziri dhe drejtori Ramadani kanë apeluar bujqit që të jenë të kujdesshëm gjatë fushatës dhe të mos i ndezin hamulloret.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here