Si e redukton Turqia papunësinë

0
173

Turqia është një nga vendet e rralla në botë që ka arritur ta eliminojë papunësinë me metodat dhe teknikat e veta origjinale.

Një nga problemet më serioze, me të cilin përballet bota e sotme moderne, është edhe punësimi. Papunësia ekziston pothuajse në të gjitha kategoritë e vendeve. Është një problem serioz shoqëror që vihet re në vendet më pak të zhvilluara, në ato në zhvillim dhe në vendet e zhvilluara.

Niveli i papunësisë ndryshon, në vendet e zhvilluara është ende mesatarisht 5%, në vendet në zhvillim 10% dhe në vendet pak të zhvilluar ndryshon nga 10% deri në 30%.

Turqia, megjithëse është një vend me popullsi të madhe në numër dhe me mundësi shumë të kufizuara, përsëri ajo është një vend me një nivel relativisht të vogël të papunësisë. Turqia është një nga vendet e rralla në botë që ka arritur ta eliminojë papunësinë me metodat dhe teknikat e veta origjinale.

Këtu mund të bëhet fjalë për dy makroprojekte që janë zbatuar për të zgjidhur problemin e papunësisë. I pari është projekti që ka të bëjë me punimet për formimin dhe përgatitjen e fuqisë punëtore cilësore, një projekt ky që ndiqet nga qeverisjet vendore. Ndërsa i dyti është mbështetja që ofron Agjencia e Punësimit në dobi të shoqërisë.

Këtu mund të shtojmë edhe mundësitë që u sigurohen prodhuesve në zonat ku investimet stimulohen nga shteti. Në një situatë të tillë dëshmojmë atë që ky problem prezent në të gjithë botën në Turqi është mbajtur në një nivel të administrueshëm

Bashkitë, në veçanti Bashkitë e Metropoleve të Stambollit dhe Ankarasë, me anë të kurseve të aftësimit vazhdojnë të bëjë punë të rëndësishme për të siguruar fuqi punëtore të kualifikuar dhe cilësore, gjë për të cilën kanë nevojë sot të gjithë sektorët.

Këto bashki organizojnë programe trajnimi, të cilat i aftësojnë të interesuarit në fusha të ndryshme dhe si rrjedhim u shtojnë atyre mundësitë për të gjetur një vend pune.

Dhe me të vërtetë, është një çështje shumë e rëndësishme që njeriu të dijë të bëjë një punë. Në Anadoll kësaj i kushtojnë shumë rëndësi. Aq sa në Anadoll ekziston edhe një histori që e trajton këtë çështje dhe që është shumë e përhapur.

Sipas një gojëdhëne djali i padishahut të një vendi bie në dashuri me vajzën e dikujt që nuk është shumë i pasur dhe kërkon të martohet me atë. Vetëm se babai, padishahu i vendit, del kundër kësaj martese dhe kërkon nga i biri që të gjejë një familje të një niveli me familjen e tyre. Mirëpo djali këmbëngul dhe i thotë të atit që nuk do të heqë dorë nga vajza. I ati kur e shikon që djali nuk ka ndërmend të dorëhiqet nga sevdaja konsultohet me vezirin e tij.

-Zotëria im duke qenë se djali këmbëngul, atëherë le të shkojmë dhe ta kërkojmë vajzën, i thotë veziri padishahut. Dhe si përfundim vendosin që të shkojnë dhe ta kërkojnë dorën e vajzës nga babai i saj. Fillimisht i çojnë lajm familjes së vajzës duke u thënë se padishahu me njerëzit e tij do të vijnë mysafir për darkë.

Babai i vajzës bën përgatitjet sipas mundësive dhe pastaj në darkë u vjen edhe padishahu me parinë e tij. Në shtëpinë e tij modeste nikoqiri mundohet të mirëpresë një padishah në përshtatje me postin që ka dhe ndërsa nga njëra anë ka frikë, nga ana tjetër është edhe kureshtar. Pasi nuk e di përse po e nderon gjithë ky padishah me një vizitë të tillë?

Më në fund e merr fjalën veziri. “Me urdhër të Zotit dhe me fjalën e pejgamberit ne kemi ardhur sonte këtu të kërkojmë vajzën tuaj për djalin e padishahut”, i thotë veziri të zotit të shtëpisë. Babai i vajzës i përgjigjet se ndjehet shumë i nderuar nga ky propozim dhe pyet se çfarë profesioni apo zanati ka djali.

Padishahu zemërohet dhe inatoset shumë ndaj një kërkese të tillë vulgare që i drejtohet për trashëgimtarin e fronit të gjithë këtij vendi.

Ndërsa tenton të largohet nga shtëpia duke thënë se babai i vajzës parashtron pretekste për të mos ia dhënë vajzën, i zoti i shtëpisë merr fjalën me një zë të dridhur dhe të trembur dhe i thotë:

“Nëse dëshironi ju mund ta merrni me forcë vajzën time, por nëse doni që të merrni edhe pëlqimin tim, atëherë nuk jam dakord që t’ia jap vajzën dikujt që nuk ka asnjë cilësi, që nuk ka asnjë zanat, që duart nuk i zënë asnjë lloj pune”.

Ajo natë u mbyll ashtu pa shije. Kur kthehet në saraj padishahu ia sqaron situatën të birit. Vetëm se i biri vazhdon të insistojë ende për t’u martuar me vajzën. Më në fund padishahu dhe ekipi i tij vendosin që ti mësojnë djalit një zanat sa më shpejt që të jetë e mundur dhe e mësojnë si të thurë sixhade.

Kështu arrijnë ta marrin vajzën. Bëhet dasma dhe çifti na martohen. Pas një farë kohe padishahu vdes dhe në fron hipën i biri. Pastaj një ditë sarajin e bastisin plaçkitësit. Pasi përmbysin çdo gjë rrëmbejnë edhe padishahun dhe e mbajnë peng. Komitët ndërkohë që e mbajnë peng, çdo ditë marrin një e nga një thesaret e tij sekrete. Dhe kur një ditë mbaron e gjithë pasuria dhe kur bëhen gati ta vrasin padishahun, ky i fundit u tregon se di të thurë shumë mirë sixhade dhe sixhadet që do të punojë do të vlejnë secila të paktën sa një prej thesareve të tij.

Pengmarrësit e pranojnë dhe pasi i gjejnë një tezgjah kërkojnë prej tij të thurë sixhade. Sixhadet e punuara nga padishahu gjejnë blerës në pazar dhe shiten me çmim të lartë. Grabitësit të gëzuar nga kjo kërkojnë nga padishahu që të punojë natë e ditë në vegjë për të bërë sa më shumë sixhade. Në pazar çdo sixhade shitet me një çmim më të madh se të mëparshmet. Një ditë padishahu shkruan me shifra në sixhade se ku gjendet dhe sa veta janë gjithsej plaçkitësit që e mbajnë peng.

Kur sixhadeja doli në treg për t’u shitur, njëri nga njerëzit e padishahut e pa se ajo përmbante një mesazh dhe bleu vetëm atë sixhade. Pastaj bashkë me ekipin e padishahut e zgjidhën shifrën dhe e mësuan se ku gjendej padishahu.

Bëjnë menjëherë përgatitjet dhe shkojnë për të shpëtuar padishahun. E marrin padishahun dhe e rivendosin në fron.

Pra një aftësi e thjeshtë, një zanat i thjeshtë mund ti shpëtojë fronin një padishahu. Ja pra edhe në Anadoll shumë qeverisje lokale duke vepruar me këtë logjikë organizojnë kurse trajnimi për ti aftësuar njerëzit, për t’u dhënë atyre një zanat që do ti ndihmojë të fitojnë të ardhura për të vazhduar jetën.

Kjo dhe dinamika të ngjashme kulturore, të cilat nuk zënë vend në mesin e të dhënave të nivelit makro por që kanë një ndikim të madh, ekuilibrojnë nivelin e papunësisë në Turqi dhe fuqizojnë ekonominë e vendit.

– Nga Prof. Dr. Mazhar Bağlı, ligjërues në Degën e Sociologjisë së Fakultetit të Shkencave Njerëzore dhe Sociale pranë Universitetit “Karatay”, Konya –

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here