Trusti Pensional përfiton 48 milionë euro për 2 vjet

0
141

Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se viti 2015 ka qenë shumë i suksesshëm për Trustin Pensional, dhe rrjedhimisht për kontribuuesit në këtë fond.

Nga vizita që ka bërë ai në Trust me anëtarë të kabinetit të tij, thotë të jenë njoftuar se nga investimet që ka bërë në instrumente të ndryshme financiarë, viti 2015 është përmbyllur me 30 milionë euro përfitime për kontribuuesit në këtë fond.

Ndërkaq, sipas tij, gjatë këtyre katër muajve, Trusti ka përfituar 18 milionë euro.

“Që nga fillimi i investimit të mjeteve, Trusti ka përfituar 250 milionë euro që janë shpërndarë për kontribuuesit”, ka theksuar Hoti, raporton Koha.net.
Sipas tij, kjo ka ardhur si rezultat i investimeve të mjeteve në instrumente fitimprurëse, por edhe të sigurta.

“Ky trust me shumë kujdes po mbikëqyrë mjetet e kursyera në llogaritë e 508 mijë kontribuuesve, prej të cilëve 297 mijë kontribuues kanë llogari aktive dhe kontribuojnë në baza të rregullta mujore. Numri i kontribuuesve aktivë gjatë vitit 2015 është shtuar për 12 mijë kontribuues, që reflekton rritjen e punësimit. Gjatë vitit 2015, janë pensionuar 4,500 persona, të cilët tani marrin pensionet e tyre përmes Trustit. Deri më tani, Trusti ka shpërndarë 73 milion euro për 30 mijë persona që janë pensionuar që nga fillimi i punës së Trustit”, theksoi Hoti.

Ministri i Financave tha se Trusti është partner i rëndësishëm i Qeverisë në avancimin e agjendës sociale dhe në blerjen e letrave me vlerë që emeton Qeveria.

Ai theksoi se momentalisht Trusti ka të investuara 96 milionë euro në letra me vlerë të Qeverisë dhe është pjesëmarrës aktiv në të gjitha ankandet e letrave me vlerë që organizon Qeveria përmes Bankës Qendrore.

“Qeveria e Kosovës do të kujdeset që të sigurojë lokacionin adekuat për të ndërtuar objektin për zyrat e Trustit, pasi ky institucion në të ardhmen do të rritet dhe fuqizohet, duke depërtuar në tregje financiare. Për shkak të moshës së re të popullsisë dhe të punësuarve që kontribuojnë në Trust, pritjet janë se mjetet dhe kontribuuesit do të vijnë duke u rritur”, theksoi ai në fund.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here