Prizreni me potencial të madh të tërheqë më shumë turistë nga Turqia

0
159

Në Prizren vijnë turistë nga e gjithë bota, por dominojnë ata nga Shqipëria e Turqia, thotë drejtori për Zhvillimin e Ekonomisë e Turizmit në Prizren, Mensur Bytyqi.

Kosova edhe pse vend i vogël me territor, ka shumë çka të ofrojë për turistët. Megjithatë, numri i turistëve, të cilët vizitojnë vendin është relativisht i vogël, për çka ka pasur shpesh kritika nga njohësit e kësaj fushe në adresë të institucioneve të vendit.

Një dallim pozitiv në këtë aspekt në krahasim me qytetet e tjera të Kosovës, e bën Prizreni, i cili prin për nga vizitat e turistëve nga e gjithë bota, ku dominojnë turistë nga Shqipëria e Turqia.

Drejtori për Zhvillimin e Ekonomisë e Turizmit në Prizren, Mensur Bytyqi, thotë se për afro dy vite sa ndodhet në këtë pozitë, është munduar të krijojë ambient të volitshëm për të ofruar shërbime turistike kualitative për të gjithë turistët nga e gjithë bota.

“Duke filluar nga trajnimet e ndryshme, siç i kemi trajnuar ciceronët, të cilët i njohin 3-5 gjuhë. I kemi trajnuar Agjencitë Turistike, të cilat janë aftësuar të ofrojnë paketa turistike, e të cilat në këtë lëmi kanë pasur pak njohuri.”
Po ashtu është ri-dizajnuar Web-faqja në të cilën turistët nga vendet e ndryshme kanë mundësi të njihen me veçoritë e qytetit. Bytyqi thotë se paralelisht kanë përgatitur edhe dy info-qendra. Fatmirësisht në Prizren viteve të fundit janë krijuar edhe ambiente të përshtatshme hoteliere, të cilat i plotësojnë standardet e nevojshme për të pranuar turistë të të gjitha niveleve.
“Kemi elementin kyç, të cilin unë gjithmonë e përmend, elementin kulturor të Prizrenit, të mikpritjes së qytetarëve të Prizrenit. Prizreni është një histori në vete, ose një kapacitet i plotë me ndodhi në të kaluarën, me të cilat mund të mburremi në aspektin historik, d.m.th qyteti ka kapacitete kulturore, historike, fetare. Po ashtu jam i detyruar të përmendi si element i tolerancës në Prizren, bashkëjetojnë në qarkun prej 300 m. kisha katolike, ortodokse dhe xhamia, e që kjo është treguese e multi-kulturës, multi-tolerancës fetare e kështu me radhë. Pra Prizreni është duke punuar me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe për të krijuar një ambient shumë të volitshëm për turistë dhe këtë realisht jemi duke e realizuar.”

Turistë në Prizren vinë nga e gjithë bota, por dominojnë turistët nga Shqipëria e Turqia, thotë drejtori.
“Duhet të jemi korrekt edhe të sinqertë, kryesisht kemi më së shumti që na vinë nga Shqipëria e nga Turqia, mirëpo viteve të fundit është një ardhje shumë serioze nga bota perëndimore, nga Europa, sidomos nga Japonia, po ashtu nga Azia, ku disa shtete po shfaqin interesim jashtëzakonisht të madh, pastaj nga Zvicra. Shpesh ndalem edhe bisedoj me ata për përshtypjet e tyre që kanë krijuar dhe realisht është bërë një kohë e gjatë një anti-propagandë nga ana e komshinjve tanë, me të cilët një kohë të gjatë kemi pasur relacione jo të mira, është fjala për Serbinë.

Mirëpo me ardhjen në Prizren, në Kosovë, me përjetimet e rrethanave reale këtu, përshtypjet e tyre kanë ndryshuar 100% dhe janë zotuar që kur të kthehen në shtetet e tyre do të bëjnë propagandën e duhur. Unë besoj se ju si gazetarë keni pasur rastin të dëgjoni se gjatë Dokufestit, një gjerman kur kishte vendosur të vinte këtu, prindi i tij kishte pyetur se ku po shkon, në kuptimin se është rrezik. Mirëpo, kur e ka parë ambientin e volitshëm, atëherë, kur është kthyer ka shkruar se “Europa po fillonte në Prizren”.

Një veçori e vendeve të zhvilluara turistike, është promovimi i atraksioneve të tyre përmes medieve, përkatësisht gazetarëve. Çdo vit vendet e ndryshme, qoftë qytetet, qoftë rajonet apo edhe shtetet si tërësi, ftojnë gazetarët nga e gjithë bota që t’i shohin më për së afërmi vendet e caktuara turistike, për të cilat më pas ata gazetarë do të publikojnë shkrime apo storje të ndryshme nëpër mediet e tyre. Në Kosovë askush deri më sot nuk ka bërë një gjë të tillë, kurse drejtori Bytyqi thotë se kjo praktikë do të fillojë me Prizrenin.
“Ju kisha informuar se ne si drejtori jemi duke e përgatitur një konferencë të madhe ndërkombëtare të turizmit me gazetarë botërorë, rajonalisht pasi që jemi të kyçur Prizreni, Suhareka, Malisheva e Rahoveci në këtë projekt. Dhe pretendojmë që nga 23 shtete të zhvilluara ekonomikisht të botës me I ftua gazetarët dhe me prezantua kapacitetet turistike të qytetit që me shpresë që në vitin kalendarik 2016, numri I ardhjes së turistëve të rritet shumë më shumë.”

Drejtori Mensur Bytyqi thotë se Prizreni e ka Dokufestin, por kjo nuk mjafton.
“Ne kemi një eveniment shumë të fortë I cili deshëm apo jo me pranua, në një mënyrë e ka brenda Prizrenin në arenën ndërkombëtare të turizmit, si qytet turistik, apo si simbol I turizmit të Kosovës. Mirëpo Dokufesti është vetëm 8 ditë. Ne jemi të interesuar që sezonin turistik ta zgjasim, ashtu edhe llojllojshmërinë e turizmit të zgjasim. D.m.th mos ë jetë vetëm turizëm veror, por të kemi dimëror, pranveror, pastaj të kemi konferenca të ndryshme. Poashtu mund të kemi turizëm shëndetësor, kulturor, pra lloje të ndryshme të turizmit që mundemi me inkorporua.”

Ai shprehet optimist për sezonin e ardhshëm turistik.
“Jemi optimist që në vitin kalendarik 2016 me ardhjen e turistëve përmes kësaj konference, do të rritet dukshëm numri i ardhjes së turistëve sepse turistët të cilët do të vizitojnë Prizrenin e rajonin do ti krijojnë përshtypjet e tyre dhe do ti përcjellin bashkë-vendasve të tyre. Tani rrjedhimisht nënkuptohet nëse rritet numri i turistëve do të ketë nevojë për punësimin e kamerierëve, kuzhinierëve, do të ndërlidhet në mënyrë indirekte bujqësia, do të ndërlidhet blegtoria, sepse hotelet do të blejnë djathë, qumësht e gjëra tjera me ç’rast do të rritet numri I të punësuarve në mënyrë direkte ose indirekte. Sepse çdo qytet në rrethinën e Prizrenit I ka specifikat e tyre me të cilat mund të mburret.”

Turistët në Prizren vinë në forma të ndryshme, qoftë individuale, apo edhe grupore, përkatësisht të organizuar. Poashtu është një kapacitet i turistëve nga Turqia të cilët po vinë në rajonin e Ballkanit, por ata nuk po vendosen në Kosovë, por diku tjetër, kryesisht në Shkup, dhe që pastaj po bëjnë vizita ditore në Kosovë, shpesh edhe duke e anashkaluar Prizrenin.

“Kjo ishte arsyeja e trajnimit të agjencive turistike për të hartuar pako turistike. Sepse agjencitë turistike deri në vitin 2014 kanë qenë vetëm bileta shitës, nuk janë marrë me hartimin e pakove turistike me qëllim që pastaj të krijojnë marrëdhënie me agjenci turistike ndërkombëtare, qoftë nga Turqia, Shqipëria, Amerika etj, që në mënyrë të organizuar ti përcjellin grupet turistike që vinë në Kosovë. Fatkeqësisht, por në fatmirësinë e tyre, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Turqia në këtë drejtim janë shumë më të avancuar dhe kryesisht po shkojnë përmes këtyre vendeve dhe Prizreni po bëhet si një lloj trampoline për ardhjen e turistëve me fotografua, eventualisht nëse pinë ndonjë kafe, edhe për t’u kthyer në Maqedoni.”

Një problem tjetër sipas drejtorit të turizmit në Prizren janë edhe ligjet.
“Ne për vitin kalendarik 2016 kemi dërguar në MTI, në divizionin turistik një kërkesë, që kur të vijnë grupet turistike në Prizren, ose në Kosovë gjithsesi të jenë të përcjellë nga ciceronët tanë, jo nga ciceronët e tyre. Çka dinë një cicerone e Maqedonisë për shembull për të folur për objektet e Prizrenit, apo rajonin e Prizrenit. Jemi dëshmitarë të anti-propagandave, kur ka ndodhur, në një rast kur një cicerone e një agjencie turistike më duket se ishte e Maqedonisë, ka hedhë një propagandë shumë të ultë, kur pat thënë se pas luftës në Kosovë, janë djegë mbi 1000 kisha. Nuk e di a ka në tërë Ballkanin 1000 kisha ortodokse, e lëre më në Kosovë. Ishte një propagandë jo e mirë.”

Drejtori Bytyqi po ashtu thotë se arsyeja pse grupet e turistëve vendosen në Maqedoni e jo në Kosovë, ka të bëjë edhe me motivimin, përkatësisht subvencionimin e agjencive nga ana e qeverisë së Maqedonisë.
Një projekt interesant, ka të bëjë me shënjimin e shtigjeve malore. Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, ku është inkorporuar edhe USAID-i, ka filluar këtë projekt të shënjimin e shtigjeve të ecjes malore në Kosovë, Shqipëri, e Maqedoni.

Nga ana tjetër, Bytyqi sheh një potencial të rëndësishëm të turistëve nga Turqia.
“Të them sinqerisht grupet po vinë nga Turqia. Të them më konkretisht po tentojmë që përmes kësaj konference të krijohen urat më të afërta. Ekziston Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), me të cilën kemi marrëdhënie shumë të mira. Ata shumë shpesh janë urë ndërlidhëse mes Kosovës e Turqisë, por edhe shoqata e afaristëve Esnaf ka luajt një rol shumë konstruktiv në këtë aspekt. Unë besoj se në javën që vjen do të bëjë një takim me ambasadoren e re të Turqisë në Kosovë, për të diskutuar edhe mënyrën e ndihmës për këtë konferencë, por edhe për formën si me ndikua që ambasadorja ti kthejë turistët turk nga Maqedonia, Serbia e Mali i Zi, në Kosovë. E që ndoshta të mbajmë edhe ndonjë takim biznesi për biznesin B2B ndërmjet agjencive turistike turke dhe kosovare.”

Është interesant të dihet se çka iu duket interesant turistëve të huaj në Prizren.
“Unë jam i detyruar me përsërit, mikpritja dhe mirëpritja. Kjo është përshtypja e parë, e dyta Prizreni është një qytet antik, dhe pos kësaj ka edhe natyrën fantastike. Natyrisht turistët së pari po vinë brenda në qytet duke ndier kënaqësinë e ushqimit, mikpritjes, ambientit etj. Realisht e kam të vështirë të bëj një lloj ndarjeje, ose të jap prioritet se cila është më interesant por varet edhe nga shija e vet turistit, sepse dikush e pëlqen malin, dikush qebapë, dikush dëshiron ti vizitojë objektet.”

Në përgjithësi, shton më tej drejtori i Turizmit në Prizren, Mensur Bytyqi, turistët janë shumë të kënaqur nga ambienti, rrethanat e kushtet të cilat i ofron Prizreni me rajon. Është një kolorit multi-kulturor në aspektin fetar, në aspektin nacional ,kulturor dhe kjo është kënaqësia më e madhe me të cilën mburret dhe promovohet Prizreni në arenën ndërkombëtare të turizmit.
– Realizoi për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI –

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here