Fuqia punëtore e profilizuar mbetet sfidë për Kosovën

0
69

Përgatitja e fuqisë punëtore me njohuri dhe shkathtësi që nevojiten në tregun e punës mbetet një sfidë që duhet adresuar nga qeveria dhe aktorët tjerë relevant.

Për të diskutuar këtë temë dhe çështje tjera që hyjnë në fushëveprimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një tryezë me ministrin, Arban Abrashi.

Në fjalën e tij hapëse, Arian Zeka, drejtor ekzekutiv i Odës Amerikane theksoi se puna dhe politikat që kjo Ministri i zhvillon janë me shumë interes për sektorin privat, pasi lidhen drejtpërdrejt me punën ditore të bizneseve dhe se kjo tryezë është platformë e mirë që kompanitë të ofrojnë mendimet dhe rekomandimet e tyre për çështje të ndryshme. Ai kërkoi nga ministri Abrashi që të mbështesë qëndrimet e sektorit privat në diskutimet dhe vendimmarrjet për çështje të tjera brenda kabinetit qeveritar.

Ministri Abrashi tha se ai e sheh sektorin privat si bartës të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës, duke shtuar se sa i përket legjislacionit, në përgjithësi Kosova qëndron mjaft mirë dhe faktikisht ka ligje që janë të avancuara në nivel të njëjtë me shtete shumë më të zhvilluara, përcjell Kosovapress. Në mesin e hapave konkretë që Ministria pritet të ndërmarrë për stimulimin e punësimit në sektor privat, Abrashi përmendi planet për jetësimin e një skeme për subvencionimin e pagave të punëtorëve të rinj në ndërmarrje që janë në zhvillim e sipër, duke u bazuar në shembuj të ndryshëm të vendeve që kanë treguar sukses në luftimin e papunësisë.

Një çështje tjetër tejet problematike që u ngrit nga bizneset e pranishme ishte edhe ajo e punësimit joformal, që shkakton pabarazi në mes të kompanive të sektorëve të ndryshëm. Abrashi tha se ky është një problem në ekonominë kosovare, që përpos pabarazisë, ai ka implikime edhe në buxhet, në shpërndarjen e asistencës sociale, mirëpo edhe pamundëson nxjerrjen e statistikave të besueshme lidhur me punësimin.

Ai konfirmoi paralajmërimet e inspektoratit të punës se nuk do të ketë aspak tolerancë ndaj kompanive që nuk kanë kontrata të punës për punëtorët e tyre në mënyrë që ky problem të adresohet. Gjithashtu, Abrashi informoi të pranishmit mbi hapat që ministria që ai drejton po ndërmerr që të evidentohen rastet e personave që marrin grante nga Ministria e Bujqësisë dhe që në anën tjetër rezultojnë si të papunë.

Gjatë tryezës bizneset patën rastin të komentojnë dhe diskutojnë edhe tema tjera me ministrin, siç janë ndryshimi i Ligjit të Punës, hapat e ardhshëm sa i përket kontratës kolektive dhe përfaqësimit në Këshillin Ekonomik Social.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here