Kosova dhe KE diskutojnë për tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet

0
65
Temat kryesore që u diskutuan në takimin për Dialogun për Procesin e Stabilizim Asociimit (DPSA), i cili u mbaj në Prishtinë, ishin tregtia, industria, politika e NVM, doganat, tatimet dhe lëvizja e lirë e mallrave.
 
Në takim u vlerësuan zhvillimet kryesore në këto fusha, të cilat zënë vend të dukshëm në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) dhe Programin për Reformën Ekonomike.
 
Në mesin e çështjeve të diskutuara gjatë takimit ishin integrimi i tregtisë së Kosovës, bilanci i tregtisë Kosovë – BE dhe planet për qasje në OBT. Përveç kësaj, Kosova e ka prezantuar gjendjen aktuale në negocimin e shërbimeve në kuadër të CEFTA-s dhe Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Turqinë.
 
Në fushën e doganave dhe tatimeve janë diskutuar kapacitetet administrative dhe performanca e të dyja autoriteteve.
 
Pas progresit të rëndësishëm të bërë vitin e kaluar në zgjidhjen e rasteve të pazgjidhura në kuadër të Bordit të Pavarur për Shqyrtim, është vërejtur një akumulim i rasteve të pazgjidhura në divizionet fiskale të gjykatave themelore. Luftimi më i fuqishëm kundër ekonomisë jo formale është identifikuar si çelësi për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.
 
Komisioni Evropian ka inkurajuar Kosovën në miratimin e kornizës së nevojshme ligjore që do të marrë parasysh zhdukjen e derivateve të naftës pas importimit të tyre.
 
Sa i përket sektorit të Industrisë dhe zhvillimit të NVM, janë diskutuar përgatitjet për Indeksin e ardhshëm të Politikave të NVM-ve 2015/2016 në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Përveç kësaj, Kosova i ka prezantuar edhe aktivitetet dhe prioritetet në fushën e përmirësimit të qasjes në financa dhe heqjen e ngarkesave administrative ndaj bizneseve. U diskutua edhe gjendja aktuale në zbatimin e strategjisë për zhvillimin e sektorit privat.
 
Në kuadër të lëvizjes së lirë të mallrave është identifikuar progresi i arritur dhe veprimet përcjellëse në fushat e standardizimit, vlerësimit të konformitetit, akreditimit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut.
 
Takimet e Dialogut për PSA, përfundimet e të cilave hyjnë në Raportin e ardhshëm të Progresit, organizohen së bashku me Ministrinë e Integrimit Evropian.
 
Historiku
 
Dialogu për PSA është një kornizë në kuadër të së cilës Komisioni Evropian dhe administrata e Kosovës diskutojnë rregullisht çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me agjendën Evropiane.
 
Dialogu i PSA monitoron dhe përcjell përmbushjen e reformave nga Kosova dhe identifikon mënyrat se si mund të ndihmojë BE-ja në këtë proces. Takimet sektoriale dhe plenare të Dialogut për PSA bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe qeveria. Secili takim rezulton në veprime pasuese të dakorduara bashkërisht që duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.
 
Ekzistojnë shtatë fusha që mbulohen në takimet sektoriale dhe ato ndjekin nga afër formatin e dialogut që BE-ja ka me kandidatët tjerë dhe kandidatët potencialë. Këta shtatë sektorë janë:
 
– Drejtësia, Liria dhe Siguria
– Inovacioni, Shoqëria Informative, Politikat Sociale, Arsimi dhe Kultura
– Tregtia, Industria, Doganat dhe Tatimet
– Tregu i Brendshëm, Konkurrenca, Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit
– Bujqësia, Peshkataria, Pylltaria, Siguria e ushqimit
– Transporti, Mjedisi, Energjia, Zhvillimi Rajonal
– Ekonomia dhe Çështjet Financiare, Statistikat.kohaislame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here