Vezët e Kosovës

0
83
Kosovarët nuk kanë nevojë për vezë të Maqedonisë, Serbisë e vendeve tjera të botës. Ata i kanë vezët e veta. Madje mund të krenohen me cilësinë dhe sasinë e tyre me të gjitha vendet përreth.
 
Gjatë një viti me vezët e pulave të Kosovës ushqehen 75 për qind të kosovarëve. Kjo edhe është njëra nga prodhimtarit kryesore të vendit me mundësi eksporti, sipas raportit të UNDP-së, “Tregjet potenciale për eksport”.
 
Në këtë raport shpalosen në detaje mundësitë e prodhimit të të gjithë sektorëve dhe në bazë të rezultateve del se kosovarët kanë levërdi ti kthehen punës në bujqësi.
 
Megjithatë, janë shumë faktorë tjerë të evidentuar që aktualisht pengojnë prodhimin bujqësor në vend.
 
Rreth 1 mijë hektarë tokë bujqësore Kosova humb brenda vitit si pasoj e ndërtimeve apo ndërrimit të destinimit të saj. Në kësi rrethanash edhe prodhimi i produkteve bujqësore nuk është i knaqëshëm.
 
Shumica e mallrave të konsumit importohet nga vendet tjera, kryesisht Serbia e Maqedonia.
 
Bujqësia e ardhmja e Kosovës
 
Por, analizat tregojnë se e ardhmja e ekonomisë kosovare duhet të orientohet ekskluzivisht në bujqësi.
 
“Bujqësia dhe përpunimi i ushqimit janë sektorët më të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës dhe kanë potencial të mirë që të mbështesin aktivitetet konkurruese duke prodhuar prodhime që do të zëvendësonin importin në tregun vendor si dhe të zgjeroheshin në tregjet e huaja, veçanërisht ato të rajonit”, thuhet në raport.
 
Raporti tregon se Kosova është e mbushur me prodhime bujqësore të importuara edhe pse ka kushte klimatike shumë më të favorshme se sa vendet e rajonit për prodhim.
 
“Në vitin 2013 eksportet bujqësore dhe të përpunimit të ushqimit kanë qëndruar në vlerën rreth 35 milion euro, që përbën 4% të importeve gjegjëse. Derisa eksporti i përgjithshëm i Kosovës është rritur për rreth 100 milion euro ndërmjet viteve 2007 dhe 2013, eksportet bujqësore gjatë kësaj periudhe janë rritur vetëm për 2 milion euro. Këto shifra tregojnë dobësitë konkurruese të bujqësisë së Kosovës dhe prodhimeve agro-përpunuese dhe pamundësisë së tyre që të konkurrojnë me tregjet e huaja”.
 
Gruri është drithi kryesor që zë 20-25% të tokës dhe mbulon rreth 2/3 të kërkesës së Kosovës. Shumica e fermave prodhojnë në nivel ekzistence për nevoja të veta familjare.
 
Çka e vështirëson konkurrencën e grurit është çmimi mesatar i prodhimit i cili në fermat komerciale është relativisht i lartë prej 10 deri 12 centë/kg.
 
Prodhimi i qumështit në nivelin e fermës është konkurrues, mirëpo duhet përmirësuar cilësinë. Kostot e grumbullimit janë shumë të larta dhe prodhimi duhet të koncentrohet në zvogëlimin e kostove të grumbullimit.
 
Kërkohen prodhime cilësore
 
Por nga prodhuesit kosovarë kërkohet edhe prodhimi cilësorë.
 
Vera është prodhim në të cilin aktualisht Kosova ka bilanc tregtar pozitiv dhe në rast se ruhet cilësia dhe rritet sasia, Kosova ka gjasa të mira që të rris eksportin në mënyrë të konsiderueshme.
 
Sa i përket kompanive për përpunimin e mishit, pengesa më e madhe aktualisht është rihapja e tregjeve për eksport.
 
“Bazuar në lokacionin e vet gjeografik të Kosovës dhe afërsinë me shtetet që nuk janë anëtare të BE-së, siç janë Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Turqia, për fillim do të duhej ndërmerrej një qasje pragmatike afat-shkurtër për tu përqendruar në eksportimin e mishit në këto destinacione, me mundësi të zgjerimit në tregjet më kërkuese të BE-së në fazën tjetër”.
 
Shumica prej këtyre bizneseve ballafaqohen me konkurrencë të madhe nga prodhimi i importuar që ka çmim të lirë. Ekziston potencial i dukshëm për zëvendësimin e disa prej këtyre importeve si dhe që të fitohet pjesëmarrje në tregun e rajonit dhe më gjerë përmes eksportit, mirëpo kjo kërkon furnizim të mjaftueshëm me lëndë të parë vendore e cila do të kishte çmim konkurrues. Marrëveshjet për tregti të lirë u japin mundësinë përpunuesve që të gjejnë lëndë të parë në shtetet fqinje si dhe fermerëve që të shesin prodhimet e përpunuara jashtë Kosovës. Standardet e BE-së po bëhen normë në rajon kështu që është qenësore që të jepen stimulime për futjen e tyre në një mënyrë të rregulluar dhe kosto-efektive.
 
 
 
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), nga Regjistrimi i Popullsisë dhe Ekonomive Familjare të bërë më 2011, del se 53 për qind e tokës së Republikës së Kosovës ishte bujqësore, kurse 41 për qind e tokës së Kosovës ishte tokë pyjore. Për dallim me këto të dhëna, Kosova ka vetëm 1 për qind të tokës së saj me sipërfaqe ujore për derisa 5 për qind ishte sipërfaqe tjetër.
 
Por ekonomia e vendit mund të marr hov edhe përmes zhvillimit të sektorit të përpunimit të drurit.
 
“Sa i përket tregjeve për eksport, shtetet fqinje janë një destinacion i rëndësishëm të cilat kanë një pjesëmarrje të respektueshme në eksportin e këtij sektori, megjithatë tregjet kryesore janë Zvicra dhe Gjermania të cilat shfaqin potencial të madhë për produktet kosovare të këtij sektori”.
 
Në Kosovë para mund të fitohen edhe përmes zejet artizanale, bile ato kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës. Kjo për shkak të industrializimit të ulët të ekonomisë, kështu që artizanët mbeten aspekt i rëndësishëm për gjenerimin e të ardhurave. Eksporti i prodhimeve artizanale gjatë viteve 2011 dhe 2012 ishte afro 1 milion euro. Tregjet kryesore për eksportet e tilla janë Gjermania dhe Zvicra të përcjellë nga Shqipëria dhe Mali i Zi.
 
 
 
Eksportet kosovare janë të orientuara drejt vendeve të rajonit si dhe vendeve të BE-së, kryesisht për shkak të marrëveshjeve ekzistuese tregtare. Mesatarisht 80% e mallrave “made in Kosovo – prodhuar në Kosovë” eksportohen në vendet anëtare të BE-së dhe CEFTA-s. Zvicra është tregu i gjashtë më i madh i Kosovës; mesatarisht 5% e të gjitha eksporteve kosovare gjatë periudhës 2005-2013 janë destinuar për tregun e Zvicrës. Kjo ndoshta mund të i atribuohet përqendrimit të lartë të diasporës kosovare në këtë vend. Vlerësohet se gati 25% e mbarë diasporës kosovare (mbi 700 mijë) jetojnë në Zvicër2. Ekziston një trend në rritje i eksportit kosovar drejt Turqisë, që ka arritur nivelin më të lartë në vitin 2012 me vlerë totale prej 11.3 milion euro apo 4% e të gjitha eksportit./ Gazeta Fjala

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here