Harrohet fondi emergjent për të riatdhesuarit

0
60
Ndonëse, numri i qytetarëve që po migrojnë në shtetet perëndimore ka rënë jashtëzakonisht shumë, numri i atyre që po kthehen vazhdon të rritet. Thuajse çdo ditë me dhjetëra qytetarë të Kosovës kthehen nga shtetet ku kanë migruar, meqë nuk u është dhënë azili për qëndrim
Numri i të rikthyerve kishte ngjallur frikën se do të krijonte probleme sociale, meqë ata që migruan shitën pasuri, kanë hyrë në borxhe dhe se kthimi i tyre do të sjell edhe me tepër varfëri. E, për këtë ishte parë e nevojshme krijimi i një fondi emergjent për të rikthyerit që migruan në gjashtë muajt e fundit.
 
Megjithatë një fond për ata që riatdhesohen ekziston, por që nga ai mund të përfitojnë vetëm ata të cilët kanë migruar para vitit 2010.
 
Zyrtarët qeveritarë kanë premtuar shtimin e këtij fondi për të rikthyerit, sepse vala e kthimit është e madhe dhe mund të mbesin pa mjete.
 
Derisa, opozita po e quan dështim të Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, meqë sipas tyre është dashur qysh moti të krijohet një fond emergjent për riatdhesimin e atyre që migruan në kohën e fundit.
 
Por, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni në një raportim me 2 mars para Komisionit për Integrime Evropiane, kishte thënë se ka vendosur si pikë shtimin e buxhetit për të rikthyerit, sepse mund të mbesin pa para.
 
“Po, kam vendosur si pikë që me rishikim të buxhetit të shihet mundësia e shtimit të fondit për riatdhesim sepse ka mundësi që mund të vijmë në situatë që na mungojnë mjetet”, kishte thënë Hyseni.
 
KosovaPress, ka tentuar të marr një qëndrim të MPB-së nëse kanë kërkuar nga Qeveria krijimin e një fondi emergjent, por nuk kanë dashur të deklarohen për këtë çështje.
 
Mirëpo, krijimin e një fondi e kishte e paraparë edhe rezoluta e propozuar nga AAK-ja, e cila kishte dalë pas interpelancës së kryeministrit Isa Mustafa për migrimin ilegal.
 
Derisa, shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se është tejet i nevojshëm krijimi i fondit emergjent që do të trajtonte nevojat emergjente të qytetarëve.
 
“Sigurisht që është i nevojshëm, është edhe pikë e rezolutës e cila është nxjerr nga Kuvendi i Kosovës, një fond emergjent i cili në pikë të parë do të trajtonte nevojat e qytetarëve të cilët për shkaqe se janë në varfëri ekstreme dhe kanë jetike mbijetesën lëvizin në këtë formë të organizuar dhe shpërngulen nga Kosova. Tani pasi jemi në këtë fazë që të njëjtën që janë futur edhe në borxhe për të ikur nga Kosova, po të njëjtit kur të kthehen, qeveria është e obliguar t’iu siguroj kushte për kthim”, thotë Kadaj-Bujupi.
 
Kadaj-Bujupi shprehet se asnjë pikë e rezolutës së miratuar në Kuvend nuk është përmbushur, ndonëse ishte përkrahur nga të gjitha grupet parlamentare.
 
Edhe Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se institucionet tashmë do duhej të formonin një fond ose një program për t’u përballur sa me lehtë me të rikthyerit që do të jenë në numër të madh, meqë edhe migrimi ka qenë masiv për vetëm brenda pak muajve.
 
“Unë them që institucionet e Kosovës duhet të kenë absolutisht përgjegjësi në gjetjen e formave dhe çfarë të bëjnë me ata persona që kthehen. Ne jemi të vetëdijshëm që ata kanë shitur pasuri, janë futur në borxhe ose kanë marr kredi për të ikur dhe kthimi i tyre e rëndon edhe me tutje gjendjen e tyre ekonomike që edhe ashtu e kanë pasur para se të shkojnë atje. Të themi se institucionet duhet të mendojnë ose krijimin e një fondi, ose krijimin e një programi të veçantë të trajtimit të tyre, sepse them se askush nuk merret me këto çështje më mirë se sa institucionet e tona”, tha Selmanaj.
 
Migrimi ilegal i qytetarëve të Kosovës ishte mjaft i madh, sidomos në kohën e bllokadës institucionale dhe në muajin janar dhe fillimin e muajit shkurt. Qytetarët që migronin tregonin hapur se shkaku kryesor ishte gjendja ekonomike, derisa për të migruar qytetarët shitnin gjithçka që kishin, hynin në borxhe, madje e linin edhe punën në të cilin merrnin deri në 300 euro, apo më shumë. /KP/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here