Limak, investitori më i madh në Kosovë

0
123

Një prezantim i kompanisë turke Limak, e cila ka ndërtuar dhe marrë për 20-vjet me koncesion menaxhimin e Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.

Marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike mes Kosovës e Turqisë kanë ndikuar që edhe ato ekonomike të jenë në nivel të lartë. Edhe pse ka ende shumë hapësirë, Turqia është ndër investitorët më të mëdhenj në Kosovë. Janë sektorë të ndryshëm ku janë bërë investime dhjetëra milionëshe, por edhe qindra milionëshe, siç është rasti me ndërtimin e Terminalit të Ri të Aeroportit të vetëm në Kosovë për fluturime civile. Investimet turke në Kosovë por edhe në përgjithësi marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Turqi do ti trajtojmë për çdo javë në radion Zëri i Turqisë në shqip dhe në internet, www.trt.net.tr/shqip

Emisionin e parë e kemi realizuar me investitorin më të madh deri më tani në Kosovë. Është kompania turke Limak, e cila në konsorcium me një kompani franceze ka marrë në koncesion aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në afërsi të Prishtinës, duke nënshkruar marrëveshjen e parë në Kosovë, të partneritetit publiko-privatë. Investimet e deritashme në terminalin e ri llogaritet të jenë në vlerë prej rreth 120 milionë eurosh. 

Por, sa ka qenë i vështirë të merret ky vendim? Duke e marrë parasysh se Kosova është një shtet i ri, edhe në pyetje ishte marrëveshja e parë e llojit të tillë, me siguri që kompania Limak i ka bërë analizat, për rreziqet e përfitimet e mundshme. Duke i potencuar këto çështje analitike nëpër të cilat kalon çdo biznes serioz që dëshiron të investojë diku, e pyetëm drejtorin e Aeroportit Haldun Firat Kokturk, se çfarë mund të thuhet sot, a janë të kënaqur me këtë marrëveshje dhe se a është duke e sjellë profitin e synuar? 

Limak, investitori më i madh në Kosovë

Patjetër se thëniet e tua janë plotësisht të drejta. Ishte kjo një marrëveshje e parë publiko-private dhe marrëveshjet e para gjithmonë janë të vështira. Posaçërisht nëse bëhet fjalë për një aeroport, i cili është i rëndësishëm për një shtet dhe ndodhet para syve të të gjithëve, padyshim se arritja e kësaj marrëveshjeje nuk ishte e lehtë, shprehet Kokturk.

Në ligjet e Kosovës kishte elemente që tregonin se nuk kishte infrastrukturë të duhur për këtë privatizim, thotë më tej Kokturk. Mirëpo ligjet, në bazë të marrëveshjes dhe qëllimit të përfitimit nga marrëveshjet e ngjashme të ardhshme u ndryshuan. Sepse ligjet e Kosovës kishin shumë mungesa për arritjen e një partneriteti të mirëfilltë publiko-privat.

Drejtori i Aeroportit Kokturk më tej thekson se kjo marrëveshje koncesionale, është e bërë në mënyrë të mirë, sepse kishte përkrahje e këshilla nga shumë institucione, në krye të së cilëve ishte USAID-i amerikan, shumë këshilltarë holandezë e amerikanë, dhe në bazë të kësaj u shpall një tender, ku konkurruan tre konsorciume dhe në fund me ofertë prej 39.42% dhënie të fitimit nga bruto qarkullimi u fitua ky tender me ortakun francez, “Aeroport de Lion”.

Padyshim se Kosova në fillim shihet si një shtet me rreziqe, thekson z. Kokturk, sepse është një shtet shumë i ri, ka shumë institucione të paformuara, ka probleme në funksionimin e institucioneve, këto me kohë do të rregullohen, dhe janë duke u rregulluar andaj kjo është diçka që na gëzon.

Por në këtë fazë kemi pasur edhe shumë vështirësi serioze. Si p.sh. ambienti politik në Kosovë nuk ishte i formuar me një formë të caktuar dhe vonesat në marrjen e vendimeve neve na humbën kohë. Megjithatë, marrëveshjen koncesionale, përkatësisht terminalin e ri e përmbyllëm me kohë. Është një sukses shumë i madh për një projekt ndërkombëtar.

Do t’iu jap një shembull. Ne pasi e fituam tenderin, në të njëjtin model pas 3-4 muajsh doli në tender edhe aeroporti i Zagrebit. U përcaktua fituesi në tender, por ata deri tani kanë përfunduar themelin dhe kanë bërë ndërtim deri në një masë. 

Limak, investitori më i madh në Kosovë

Drejtori Haldun Firat Kokturk thotë se Limak-u është kompani serioze dhe me reputacion në Turqi:

Pra, është një fat i madh për qeverinë e Kosovës ndërmarrja e investimeve nga ana e Limak-ut. Edhe nga ana jonë, si firmë që kemi aktivitete në shumë sektorë, është një investim i rëndësishëm. Në realitet, në aspektin e madhësisë, nuk është projekti më i madh për kompaninë tonë, sepse ne kemi projekte shumë më të mëdha, siç janë aeroportet, portet detare, kemi investime në sektorë të çimentos, energjisë, turizmit. Por, për ne edhe ky projekt është shumë i rëndësishëm. Dhe kjo rëndësi buron nga, e para, për shkak të lidhjeve historike mes Kosovës e Turqisë, pastaj nga dëshira për ti zgjeruar investimet tona edhe në Ballkan, dhe interesimi jonë për këtu çdo ditë e më tepër po rritet. Por, duhet pranuar realiteti, se Kosova ka edhe shumë hapa për të bërë.

Në çdo biznes mund të ketë edhe probleme të ndryshme, prandaj e pyetëm z. Kokturk se me çfarë problemesh po ballafaqohen eventualisht, apo janë ballafaquar në të kaluarën?

Kosova ende nuk është anëtare e BE-së, por ndodhet në hapësirën ajrore të Evropës. Për këtë arsye në Kosovë duhet të respektohen të gjitha rregulloret standarde të BE-së, kjo është një epërsi, por për vendet jo-anëtare të BE-së ka edhe mangësi, si p.sh. mos-liberalizimi i vizave. Sot, Kosova edhe pse bën pjesë në hapësirën ajrore të Evropës, nuk ka liberalizim të vizave që do të mundësonte lëvizjen pa viza të qytetarëve të Kosovës, e që kjo neve po na krijon pengesë në numrin e udhëtarëve.

Në rajon, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bosnja e Hercegovina, të gjithë janë të lirë në lëvizje. Për këtë arsye ata janë më të rehatshëm. Ne megjithëse kemi potencial të madh të udhëtarëve, trafiku po zhvillohet në një drejtim, me këtë po mendoj se kryesisht po udhëtojnë kosovarët që jetojnë jashtë, e në realitet po të kishte liberalizim të vizave , në të ardhmen edhe qytetarët që jetojnë në Kosovë mund të udhëtojnë dhe kjo në trafikun tonë do të krijonte rritje dhe do të ndikonte pozitivisht në ekonominë e Kosovës.

Kokturk vuri në dukje edhe disa probleme tjera:

Posaçërisht në gjashtë muajt e fundit për shkak të mos krijimit të qeverisë, shumë gjëra në pritje u vonuan. P.sh. ne, edhe me kërkesë të qeverisë e kemi një projekt për zgjatjen e pistës së aeroportit. Sepse kjo pistë është më e shkurta në rajon, është në gjatësi prej 2500 metrash dhe të gjithë në rajon e kanë më të gjatë dhe kjo gjë po na krijon probleme, posaçërisht gjatë motit me mjegull. Ky vendim duhej të ishte i thjeshtë, sepse është një vendim nga i cili përfitojnë të gjithë, të gjithë autoritetet që interesohen për këtë sektor po japin qëndrime pozitive, por shpresojmë se me krijimin e qeverisë ky afat do të përshpejtohet, sepse është shumë me rëndësi për vendin. Edhe sektori i aviacionit është shumë me rëndësi për Kosovën. Aviacioni nuk duhet shikuar vetëm si i tillë, por duhet ditur se ai ndikon në zhvillimin e shumë sektorëve në një shtet. Sot, turizmin, sektorin e ushqimit, të kargos, nuk mund ti paramendoni si të ndarë nga aviacioni. Ka shumë gjëra tjera përcjellëse ku përfitohet, pra ne u munduam paksa në këtë drejtim, për t’u bërë të kuptohet kjo gjë drejt. 

Duke iu kthyer përsëri ligjeve në vend, Kokturk thotë:

Duhet të përmirësohen ligjet e ambientit dhe të ndërtimit, sepse gjatë marrjes së lejeve kemi pasur disa probleme që nuk buronin nga ne, por plotësisht buronin nga ligjet në Kosovë. Por mendoj, ashtu si potencuat, për arsye se në pyetje ishte partneriteti i parë publiko-privat, jemi ballafaquar me këto probleme, ndërkaq në mënyrë që të mos përsëriten lëshimet e njëjta gjatë koncesioneve të ardhshme, ndryshimet e nevojshme janë duke u bërë.

Drejtorit të aeroportit i parashtruam edhe një pyetje për konkurrencën, duke e ditur se në Kosovë nuk kanë konkurrencë. Por Kosova është një shtet i vogël, që do të thotë se aeroportet tjera rajonale janë shumë afër, bile për një pjesë të qytetarëve janë edhe me afër apo në distancë të njëjtë me të Prishtinës, pra është aeroporti i Shkupit dhe i Tiranës. Si e sheh ai këtë konkurrencë?

Për konkurrencën në kushte të barabarta ne gjithmonë jemi të gatshëm dhe të hapur. Ne i besojmë aeroportit tonë, investimeve tona dhe ekipit tonë. Por, konkurrenca bëhet ndërmjet institucioneve të barabarta, pra ne si aeroport gjithmonë kemi qenë garues qoftë ndaj aeroportit të Shkupit, Tiranës apo të ndonjë aeroporti tjetër në rajon. Por, si shembull, ju që e potencuat aeroportin e Shkupit, aty kemi një gjendje krejt ndryshe.

Drejtuesit e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ankohen për konkurrencë jo ferr nga ana e Aeroportit të Shkupit:

Aeroporti i Shkupit është konkurrenti ynë, njëkohësisht operatorët e tij janë miqtë tanë, kemi shumë marrëdhënie të mira, aeroportet TAV Holding, që janë një kompani shumë me renome turke, dhe kemi respekt të madh për ta si miqtë tanë, por atje qeveria po ndikon direkt. Asnjë operator i aeroportit nuk mund të konkurrojë me një qeveri, bashkëbisedues të qeverive janë qeveritë, ashtu si bashkëbisedues të operatorëve që janë operatorët. Për aeroportin e Shkupit, qeveria e Maqedonisë është duke dhënë një kontribut serioz.

Aeroporti i Prishtinës ka kërkuar sqarime nga Komisioni Europian për çështjen e subvencionimit të aeroportit të Shkupit nga ana e qeverisë së Maqedonisë, thotë Kokturk:

Kjo çështje tani është duke u analizuar nga Komisioni Europian për të parë nëse përkrahja qeveritare ndaj aeroportit ka bazë ligjore apo jo. Në bazë të vlerësimit të Komisionit Europian ne jemi duke planifikuar për të kontaktuar me qeverinë e Kosovës, por jemi në pritje të Komisionit. Padyshim se konkurrenca është diçka e mirë, po ndikon në çmimin e biletave, por duhet të bëhet në kushte të njëjta. Nëse qeveria e Maqedonisë po e bën një gjë të tillë dhe nëse kjo konsiderohet si legjitime, ne do të presim që edhe qeveria e Kosovës të bëjë të njëjtën gjë. Por, nëse nuk është e ligjshme, padyshim se Komisioni Europian do të ndërmarrë hapa të duhur ndaj Maqedonisë. Ne në çdo kohë, në çdo lloj kushtesh jemi të gatshëm për konkurrencë, por vetëm në nivelin tonë, thotë Kokturk.

Në vazhdim drejtorin e pyetëm se a besojnë se do të marrin ndihmë nga qeveria e Kosovës, nëse eventualisht Komisioni Europian konsideron se çdo gjë është ligjore për sa i përket çështjes së subvencionimeve nga qeveria?

Duam të besojmë, sepse kjo do të shkojë në përfitim të vet Kosovës. Sepse këto veprime do të ndikojnë direkt tek mirëqenia e qytetarëve të Kosovës. Ashtu si potencova më herët, kosovarët nuk duhet të mendojnë se të ardhurat nga aviacioni kanë të bëjnë vetëm me këtë sektor. Sot një natë qëndrimi në hotel në Kosovë kushton nga 50 euro deri në 150 euro. Thuajse çdo mysafir, do të qëndrojë në një hotel, do ta shfrytëzojë një taksi, do të shkojë në restorant për t’u ushqyer. Pra, në këtë shtet ai shpenzon para. Maqedonia është e fokusuar pikërisht në këto gjëra, duke e gjallëruar turizmin po mundohen të sigurojnë të ardhura shtesë, dhe për ti ulur çmimet e biletave, po u japin subvencion aeroporteve.

Tani nëse qeveria e Kosovës e bën një gjë të tillë, ndoshta mund të duket si humbje e vogël, kur e them këtë mendoj në 3-4 milionë euro ndihma, ashtu siç bën qeveria e Maqedonisë, pra nuk është ndonjë shifër astronomike, nuk është ndonjë shifër 10 apo 100 milionëshe. Në bazë të saj, nga të ardhurat nga turizmi, Maqedonia është duke përfituar më shumë. Shembulli më i thjeshtë, kur ateroni në aeroport çfarë bëni, hipni në taksi, paguani për taksi, shkoni në qytet ku do të hani ushqim, do të flini në hotel, e merrni me qira një makinë, pra përfitimet janë të shumta, prandaj besojmë se shteti i Kosovës do të mirëkuptojë kërkesën tonë eventuale.

Do t’ju jap një shembull të thjeshtë, të ardhurat direkte nga aviacioni janë në raport 20/1 me të ardhurat indirekte. Pra, të ardhurat e tjera indirekte që burojnë nga aviacioni, janë 20 herë më të larta se të ardhurat direkte nga aviacioni. 

 

Po si shprehen qytetarët e Kosovës të cilët kanë pasur rastin të shohin dhe të fluturojnë përmes terminalit të ri. Si iu duket atyre ky terminal?

“Mirë është mirë, si jashtë si këtu, dallim shumë të madh nuk pash veçse hapësira pak më e vogël, por mirë është, në rregull është gjithçka, edhe bukur shumë, shumë më pëlqeu”, shprehet një qytetare për Zërin e Turqisë.

Çka po ju pëlqen në këtë terminal në krahasim me të vjetrin? 

“Shumë, shumë ndryshime të mëdha janë bërë, hapësira më e madhe… është më moderne…” shton ajo.

A e dini kush e ka privatizua, përkatësisht marrë në koncesion?

“Turqit apo? Aha… faleminderit edhe prej tyre”, përfundon qytetarja.

Fjalë të mira për aeroportin kishte edhe Nimetullahu nga Prizreni:

“Nëse e krahasojmë me terminalin e vjetër, terminali i ri i ANP-së “Adem Jashari” ka një pamje evropiane, ka një pamje të moderuar. Jo vetëm pamje, por edhe hapësira brenda e jashtë aeroportit, por edhe kushtet janë lehtësuar për të gjithë qytetarët, të cilët kanë vendosur të udhëtojnë përmes ANP-së. E them këtë se terminali i ri i plotëson gati të gjitha kriteret me këto aeroportet më të njohura në Europë me aq sa kam parë e sa kam udhëtuar. Ky është jo vetëm mendimi im por edhe i të gjithë qytetarëve e pasagjerëve me të cilët kemi udhëtuar apo kemi shoqëruar deri tek aeroporti, të cilët thonë se tani pas një kohe të gjatë edhe ANP i plotëson kushtet për një fluturim sa më komod”, shprehet Nimetullahu.

Por, qytetarët me të cilët bashkëbiseduam kryesisht kanë një ankesë, se nuk ka transport të lirë me autobus ashtu siç ekzistojnë nëpër aeroportet e tjera, por duhet të paguajnë taksi që kushton shtrenjtë. Ata thonë se më lirë u kushton shkuarja me autobus nga Prishtina qoftë në aeroportin e Tiranës apo të Shkupit, se sa me taksi nga Prishtina drejt aeroportit, që është vetëm 15 km larg. Prandaj, e pyetëm drejtorin e Aeroportit Haldun Firat Kokturk, se a e kanë evidentuar këtë si problem që ndoshta dëmton afarizmin e tyre?

Tash në Kosovë qeveria ka marrë iniciativë se do të sigurojë një autobus pa pagesë, ne po presim rezultatin e kësaj. Nëse sigurohet ky transport, problemi do të zgjidhet. Nëse nuk marrim një përgjigje pozitive, ne padyshim që me qëllim për të siguruar një qasje më të lehtë në aeroport, kemi në plan për të marrë masa. Por, pasi që një iniciativë e tillë ka ardhur nga qeveria ne jemi ndalur. Supozoj se me fillimin e vitit të ri, për të udhëtuar nga qyteti për në aeroport, qeveria do të sigurojë një linjë me çmim shumë të arsyeshëm, ose pa pagesë, ashtu si na është premtuar. Po presim lëvizje pozitive, nëse nuk bëhet nga qeveria, ne vet do të ndërmarrim një hap të tillë, sepse për një kohë të gjatë e kemi në rend dite. 

Limak, investitori më i madh në Kosovë

Ishte ky prezantimi i kompanisë turke Limak që e ka marrë në koncesion Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Kompania ka partneritet me qeverinë e Kosovës për ta menaxhuar Aeroportin për një periudhën 20-vjeçare. Kontrata ishte nënshkruar në gusht të vitit 2010, përderisa transferimi i aeroportit tek Limak dhe Aeroport de Lion ishte bërë në prill të vitit 2011. Pas përfundimit të afatit, Aeroporti do ti kthehet përsëri qeverisë së vendit. Ndryshe, sipas disa analizave, marrëveshja e qeverisë së Kosovës me Limak-un është më e mira në rajon.

M.Saragjolli / Prishtinë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here