Kosovë – Pista e aeroportit të Prishtinës do të zgjatet 3 km

0
59

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” për një kohë të shkurtër do të zgjasë pistën për 3 km, pasi është pista më e shkurtër në rajon.

Aeroporti synon që të përmirësojë edhe trafikun dhe të bëjë uljen e çmimit të biletave për shqiptarët në mënyrë që këta të fundit të udhëtojnë më shumë, duke mos anashkaluar edhe zhvillimin e objekteve të reja.
Një ndër prioritetet e aeroportit është edhe punësimi i 30 studentëve të rinj, të cilët janë trajnuar nga profesorë turkë, ku me certifikata, që do t’i marrin nga ky trajnim, do të mund të punësohen jo vetëm në Aeroportin “Adem Jashari”, por edhe në vende të Evropës dhe të botës.
Në një intervistë për “KosovaPress”, drejtori i Aeroportit “Adem Jashari” të Prishtinës, Haldun Firat Kokturk, tha se i kushtojnë shumë rëndësi projekteve të rëndësishme sociale në Kosovë, pasi papunësia në Kosovë është shumë e lartë dhe se shumë të rinj janë të papunë.
“E dimë që Kosova ka një shkallë shumë të lartë të papunësisë, e cila është më e lartë se 50% edhe zyrtarisht të rinjtë janë të papunë dhe në aeroportin tonë, ne kemi nevojë për një burim të qëndrueshëm për burimet tona njerëzore, për këtë jemi duke planifikuar të organizojmë një institut në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Universitetin e Turqisë. Kemi filluar një proces duke përzgjedhur studentë nga Universiteti i Prishtinës, të cilët janë në fund të studimeve. 450 studentë kanë aplikuar për këtë projekt në dy provime, që janë mbajtur dhe pas këtyre provimeve është mbajtur një intervistë, ku i kemi përzgjedhur 30 studentë dhe tani ndjekin ligjërata nga profesorët e Universitetit të Turqisë. Pas këtyre ligjëratave ata do të pajisen me certifikatë “excel”, e cila është e njohur në 70 shtete, duke mbuluar tërë Bashkimin Evropian. Pra, kjo certifikatë u mundëson studentëve të gjejnë punë në Evropë dhe rreth e rrotul botës, por synimi ynë kryesor është t’i punësojmë në aeroportin tonë”, u shpreh Kokturk për “KosovaPress”.
Ai pohoi se Kosova ka një nga terminalet me teknologji më të shkëlqyer jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, duke thënë se rreth 95% e udhëtarëve janë të kënaqur në biznesin e aviacionit.
Sipas tij, prej privatizimit të aeroportit e deri më tani kanë pasur vetëm disa probleme për leje koncesionale, të cilat janë zgjidhur dhe se edhe këta kanë ndihmuar qeverinë për ta zgjidhur këtë problem.
Ndërsa duke folur për këtë çështje, Kokturk pohoi se, si koncesion, i kanë përmbushur të gjitha detyrimet e parashikuara me kontratë dhe se kanë qenë model për të gjitha projektet, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, është privatizuar prej katër vitesh dhe drejtohet nga LIMAKosovo.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here