Raca autoktone Busha – po vazhdon mbijetesën

0
88

Blegtorët kosovarë me mjaft këmbëngulësi po arrijnë që në fermat e tyre të mbajnë edhe racat vendore të gjedhëve. Me shumë përkushtim këta fermer, deri më tash kanë arritur që të mbarështojnë racën Busha, e cila sipas tyre po vazhdon të tregohet mjaft e suksesshme në prodhimtarinë e qumështit. E Ministria e Bujqësisë përmes subvencioneve për lopët qumështore, ka arritur që të përkrah edhe ata fermer që mbarështojnë këtë racë vendore, e cila po mbijetojnë mjaft mirë përkundër importimit të racave të reja në vend.
Fermeri Qamil Miftari, nga fshati Babaj i Bokës i Komunës së Gjakovës, është njëri nga fermerët kosovarë, i cili për më shumë se 20 vite merret me mbarështimin e gjedhit të racës Busha.

Ai thotë për portalin “Ferma Ime” se kjo racë ka dal të jetë e mirë për të, pasi që fshati ku jeton është i thatë. “Po me mbarështimin e lopëve të racës autoktone vendore Busha merrem që shumë vite, pasi që janë treguar të mira dhe janë përshtatë me fshatin Babaj Bokës dhe janë treguar mjaft të suksesshme në prodhimtari”, thotë ai.

Ai tregon se edhe në luftë e ka pasur këtë racë, por nga 28 krerë gjedhe që i ka pasur i kanë shpëtuar vetëm 2 lopë. “Aktualisht kam 32 lopë në stallën time, që të gjitha janë të racës autoktone të Bushës. Jam i kënaqur me rendimentet e qumështi që japin po ashtu edhe me plleshmerinë e tyre”, ka treguar fermeri Miftari.

Ai thotë se do të vazhdojë mbarështimin e saj në mënyrë që fondi i gjedheve të kësaj race të rritet edhe më shumë në stallën e tij. “Nuk mendoj ta ndërrojë këtë racë pasi që janë përshtatur mirë dhe janë të lehta për t’i mbajtur. Kemi marrë përkrahje nga Ministria e bujqësisë 50 euro për krerë të lopëve qumështore”, tha blegtori Qamil Miftari nga Babaj i Bokës i Gjakovës.

Ai tregon se nuk ka shumë të interesuar për ta mbarështuar racën e Bushës, pasi që fermerët e tjerë janë drejtuar kah racat e reja, të cilat janë importuar nga shtetet perëndimore. Ndryshe Qamil Miftari, e ka tash e disa vjet vendin e parë në Komunën e Gjakovës me rrethinë për racën autokton të gjedhit.

E sipas zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, ky institucion përmes programit për mbështetjen direkte të kafshëve për prodhimtarinë e qumështit, ka mbështetur mbarështimin e lopëve qumështore pa dallime racore. E sipas tyre, përpos stimulimit të fermerëve për zhvillimin e prodhimtarisë blegtorale, ky program ka reflektuar pozitivisht edhe në mbajtjen e popullacionit të gjedhit të racës Busha.

Ndryshe, sipas të dhënave nga Fakulteti i Bujqësisë, gjedhi i racës Busha, e cila ndryshe njihet dhe si gjedhi Ilir, përfaqëson gjedhin autokton, i cili në Kosovë kryesisht mbarështohet në ekonomitë e vogla familjare veçanërisht në zonat kodrinoro-malore, ku kushtet e mbarështimit janë të pa favorshme për racat tjera. Mesatarisht jep 1.000 kg qumësht gjatë një laktacioni, e në kushte diç më të mira edhe deri 2.000 kg, me rreth 4% yndyrë.

Sipas të dhënave në vend janë këto raca autoktone: raca e lopëve Busha me dy tipe të saj: Busha Ilire e Sharrit dhe Busha Ilire e Dukagjini; racat e deleve të Sharrit, delja Bardhoka, Delja e Kosovës, delja Balusha dhe qeni i Sharrit./FermaIme

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here