Standardi i arit: a mund të rikthehet në SHBA?

0
86

Për shumë vite, thirrjet për një “rikthim të standardit të arit” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vendosën kongresmenin Ron Paul në sferën e ekonomistëve eksentristë dhe libertarianë. Por këtë javë, Partia Republikane ra dakord që të ngrihet një komision, i cili do të shohë mundësinë e krijimit të një vlere në ar të dollarit. Cila është arsyeja që i ka bërë republikanët të ndërmarrin një hap të tillë?

Arsyeja e zakonshme që jepet për një rikthim të një tendence të tillë, pra në njëlloj standardi të arit, është se floriri sjell edhe para “të shëndetshme” dhe shmang shumë abuzime që ndodhin në rastet kur nuk është ky standard i aplikueshëm. Kjo, sepse në një rast të standardit të arit krijohet një lidhje mes furnizimit me para dhe sasisë së arit. Duke qenë se rezervat e arit rriten zakonisht me vështirësi, atëherë edhe furnizimi me para, pra prerja e parave të reja, ndjek një ritëm të ngadaltë dhe është e kufizuar, duke penguar kështu rastet e inflacionit. Problemi është se në praktikë, në realitet gjërat nuk funksionojnë sikundër mendohet teorikisht dhe duket se nuk funksionuan kështu nga viti 1919 deri në vitin 1930. Në këtë periudhë çmimet në Shtetet e Bashkuara patën shumë oscilacione dhe ishin problematike.

“Çmimi i floririt ndryshon edhe ai shumë shpesh dhe në këto kushte çmimi i monedhës mund të ndryshojë sipas këtij variabli”, thotë profesori. Ai i referohet me shembuj lëkundshmërisë së çmimit të dollarit në shekullin e 19 dhe në shekullin e 20, në momentin kur dollari varej nga sasia e arit dhe argjendit. Sipas tij, në një sistem të tillë e sheh veten të lidhur me sasinë e një metali të shtrenjtë që gjendet në sasi të vogla dhe jo gjithmonë.

Shtetet e Bashkuara e provuan edhe një herë që të lidhnin paranë me floririn pas Luftës së Dytë Botërore. Nga viti 1945 deri në vitin 1971, periudha e “standardit të shkëmbimit të arit”, Shtetet e Bashkuara e fiksuan çmimin prej 35 dollarësh një ons. Shkalla e rritjes ekonomike ishte shumë e lartë dhe shtimi i pasurisë i madh dhe në këto raste gjithsesi pati një ndarje më të baraspeshuar të pasurisë mes shtresave të ndryshme krahasuar me vitet në vijim. Ndërsa në vijim të kësaj periudhe, pra kur u hoq standardi i arit, papunësia nisi që të rritet dhe të jetë më e lartë se më parë dhe rritja ekonomike pësoi ulje të mëdha e si pasojë edhe pasuria ishte e shpërndarë në mënyrë më disproporcionale se më parë, çka bëri që të shkaktohej një bipolarizim i shtresave të shoqërisë dhe thellim i hendekut mes të pasurve e të varfërve.  Për më tepër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ekonomi të tjera të avancuara në botë ishin së bashku në sistemin e standardit të floririt. Kjo do të thotë se edhe vende të tjera pësuan një ndryshim në këtë standard. Mund të themi se të paktën teorikisht dhe pjesërisht edhe praktikisht standardi i arit është një standard vetëmbështetës.

Që një standard i arit të funksionojë njerëzit duhet të besojnë se nuk do të ketë më kthim pas në standardin aktual, pra ku kartëmonedhat nuk mbështeten dhe nuk kanë lidhje me sasinë e arit në bankë. Ky është sistemi aktual, pra sistemi i kartëmonedhave që nuk kanë mbështetje në flori. Dollarët, eurot dhe paundët britanikë janë të gjitha të krijuara nga bankat qendrore pa asnjë referencë në ndonjë aset të tillë si ari, apo argjendi. “Nëse njerëzit do të dyshonin për kredibilitetin e monedhës, atëherë ata do të merrnin arin”, thotë profesor. Çmimi aktual i arit është rreth 1.665 dollarë onsi. Teorikisht qeveria amerikane mund të premtonte që të rivlerësonte dollarin për arin me këtë çmim të vendosur. Ose në mënyrë alternative, SHBA-ja mund të zhvleftësonte dollarin kundër arit, duke fiksuar një çmim më të ulët, le të themi 2.000 onsin. Në këtë rast problemi fillestar do të ishte mbajtja e kredibilitetit. Në fund të vitit 1960, bankat e huaja qendrore nuk besonin më në deklaratat amerikane, se standardi i ri do të vazhdonte të aplikohej dhe nisën që të kërkonin dollarë në sasi më të mëdha. Kërkesat e mëdha në fakt do të nisnin pas çdo rivendosjeje të standardit të arit. SHBA-ja ka rezervën më të madhe të arit në botë dhe standardi i fundit i arit ra në vitin 1971, kryesisht për shkak të luftës në Vietnam, por borxhi amerikan sot, si në terma realë, ashtu edhe si përqindje e GDP-së, është në një situatë shumë më të rëndë se në vitin 1971. E me gjithë kundërshtimet e ekonomistëve për të rivendosur këtë standard, po bëhen përpjekje për ta shqyrtuar atë edhe një herë. Po si do të shkojë vallë kjo përpjekje? Kohët që do të vijnë do të tregojnë më shumë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here