Mbi 3600 projekte presin mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë

0
38

Një numër i madh i fermerëve, po presin mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë. Janë rreth 3627 projekte të ndryshme të zhvillimit rural, për të cilat fermerët kanë aplikuar në këtë ministri dhe një pjesë e madhe e tyre do të mbështeten përmes granteve investive nga 60 – 80 për qind në vlerën e përgjithshme të investimit.

Zyrtarë të kësaj ministrie, thonë se sivjet, në krahasim me vitin e kaluar ka trefishim të numrit të aplikuesve me projekte për zhvillimin rural.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, tregon se në vitin e kaluar kanë pasur 1429 projekte, ndërkaq sipas përllogaritjeve preliminare sivjet kanë 3627.

“Më së shumti projekte kemi për ngritjen e serrave të reja, rreth 950 sosh, pastaj projekte për ngritjen e pemishteve të reja janë mbi 700, për mekanizimin bujqësor, gjithashtu, rreth 700 projekte. Ndërsa për nëntë nënmasat e tjera që mbështeten përmes granteve investive, numri i projekteve është më i vogël. Për agropërpunim kemi rreth 80, për prodhimtarinë e qumështit rreth 400, për prodhimtarinë e vezëve rreth 50, për prodhimtarinë e mishit rreth 90, mjaltës rreth 200, ujitjes rreth 100 dhe kryesisht kështu sillet numri i projekteve edhe tek nënmasat e tjera”, tha Behramaj.

Ai tregoi se listat që ua kanë dërguar komunat janë plotësuar jashtë standardeve të pranueshme dhe janë me përplot mangësi. Këto, sipas tij, u kanë krijuar vështirësi në importimin dhe sistemimin e të dhënave në softuerin e implementimit të projekteve për zhvillimin rural dhe tash thotë se janë duke e sistemuar secilin projekt një nga një. “Për shkak të këtyre problemeve dhe vëllimit të madh të projekteve, do të kemi pak vonesa në informimin e fermerëve dhe gjasat janë që deri në fund të muajit të ardhshëm të mos mund të bëhet konfirmimi i projekteve përfituese, të cilat vlerësohen bazuar në sistemin e poentimit”, thotë Behramaj.

Ndryshe, përmes granteve investive në vlerë prej rreth 15 milionë euro, Ministria e Bujqësisë do t’i përkrah projektet e prodhuesve të qumështit me një fond prej 1 milion euro, ata të mishit me një fond prej 700 mijë euro. Pastaj, për mekanizëm bujqësor kjo ministri ka në dispozicion një fond prej 1.3 milion euro, për bletarët 250 mijë euro, për vreshtarët 200 mijë euro, për perimtarët 1.4 milion euro, për pemëtarët 1.2 milion euro, për kultivuesit dhe grumbulluesit e produkteve jodrusore të malit 500 mijë euro, për industrinë agropërpunuese 5.5 milionë euro, për shpezëtarinë 300 mijë euro, për ujitjen e tokave bujqësore 1 milion euro, si dhe me 1.5 milion euro do t’i përkrah edhe zonat rurale më pak të zhvilluara, periudha e aplikimit për të cilat sapo është hapur.kohaislame

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here